Studimi që gjeti se një acid që gjendet tek mishi i kuq ndihmon qelizat të luftojnë tumoret nuk është një këshillë për të ngrënë më shumë mish. Vetë autorët paralajmërojnë se konsumi i tepërt i mishit të kuq sjell një sërë efektesh të dëmshme për shëndetin.

—————————————————-

Një studim mbi mishin e kuq nga shkencëtarët e Universitetit të Chicagos po përdoret në rrjete sociale për të ulur kredibilitetin e Organizatës Botërore të Shëndetit.

Postimi i mësipërm i referohet një studimi të publikuar në Nëntor 2023 në revistën shkencore Nature.

Ky studim gjeti se acidi trans-vaksenik (TVA), një acid yndyror i gjendur tek mishi i kuq dhe produktet e bulmetit, përmirëson aftësinë e qelizave T CD8+ në sistemin imunitar të infiltrojnë tumoret dhe të vrasin qelizat kanceroze.

Gjetjet tregojnë gjithashtu se njerëzit me nivele të larta TVA-je në gjak reagojnë më mirë ndaj imunoterapisë.

Megjithatë, autorët e studimit theksuan se qëllimi i studimit nuk është t’i këshillojë njerëzit të hanë më shumë mish të kuq.

Matt Wood nga Departamenti i Shkencave Biologjike në Universitetin e Chicagos tha në një njoftim për shtyp se “ka prova që sa vijnë e shtohen për efektet e dëmshme për shëndetin që sjell konsumimi i tepërt i mishit të kuq dhe bulmetit, kështuqë ky studim nuk duhet të përdoret si justifikim për të ngrënë më shumë hamburgera dhe pica.”

“Studimi tregon se suplementet ushqyese si TVA mund të përdoren për të nxitur aktivitetin e qelizave T,” tha Wood.

Jing Chen, PhD, autori kryesor i studimit tha se acide të tjera yndyrore me origjinë bimore sinjalizojnë me anë të një receptori të ngjashëm me atë të TVA.

Për më tepër, një studim i shkencëtarëve të universitetit të Harvardit, i publikuar në Tetor 2023, gjeti se konsumimi i vetëm dy racioneve mishi të kuq në javë rrit rrezikun e shfaqjes së diabetit më vonë në jetë. Rreziku rritej me rritjen e konsumit të mishit të kuq.