BallinaAktualitet200 nxënës më pak se vjet, në Kukës po mbyllen shkollat në fshatra

200 nxënës më pak se vjet, në Kukës po mbyllen shkollat në fshatra

EMIRIOLA VELIA

Bashkia e Kukësit, e cila numëron rreth 78 objekte arsimore në territorin e saj, përfshirë edhe njësit administrative, ka gjithmonë e më pak nxënës, në arsimin 9 vjeçar dhe atë të mesëm. Pakësimi i nxënësve që po çon në mbylljen apo bashkimin e shkollave, po ndodh kryesisht në fshatra. Shkak është emigrimi, por edhe zgjedhja e shkollave të qytetit për t’u arsimuar, për arsye të mungesës së formimit profesional të mësuesve, siç raportojnë prindërit.

Gjatë viteve të fundit numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme është ulur në mënyrë të pandalshme. Largësia e shkollave me qendrat e banuara në fshatra të largët, emigracioni, lëvizja drejt qyteteve të mëdha si Tirana e Durrësi, apo kërkesa për arsimim cilësor, janë disa nga shkaqet që kanë çuar në uljen e këtij numri.

Prindër që jetojnë në fshatrat e Kukësit e pranojnë se kanë zgjedhur t’i sjellin fëmijët në shkollat e qytetit, pasi kanë më shumë besim te mësuesit aty.

“Kërkesa dhe mësimdhënia nga mësuesit e shkollës më ka shtyrë që fëmijët t’i sjell çdo ditë në Kukës, pasi njohuritë që merrnin në shkollën e fshatit nuk ishin të plota.”- thotë D.C nga fshati Gostil, prindi  dy fëmijëve të cilët ndjekin mësimin në një prej shkollavë 9-vjeçare të qytetit

B.O nga fshati Kolsh thotë: “Djalin e sjell në Kukës, sepse në klasë janë shumë pak nxënës dhe mësuesit me arsim përkatës të lëndëve bazë, në përgjithësi nuk pranojnë të japin mësim në fshatra. Për pasojë në ato pozicione pune emërohen mësues që janë jashtë profilit.”

G.D. nxënës në klasën e 9-të udhëton me këmbë për 45 minuta, nga fshati Kodër Lumë për në shkollën “Avni Rrustemi” që ndodhet në qytet. Sipas tij mësim cilësor zhvillohet vetëm në shkollat e qytetit, gjë e cila e shtynë të ec çdo ditë në këmbë.

Numri i ulët i nxënësve ka të bëjë jo vetëm me cilësinë e mësimdhënies, por edhe me lëvzjen demografike dhe emrigimin e të rinjve dhe familjeve të tyre drejt vendeve europiane dhe jo vetëm.

Në një komunikim zyrtar me ZVA-në Kukës, mësuam se numri i nxënësve në qershor të 2021 ka qenë 7401 (nga të cilët 5472 në arsimin 9-veçar dhe 1929 në arsimin e mësëm).

Kërkesa për informacion dërguar ZVA Kukës 

Ndërsa të dhënat pas nisjes së vitit shkollor 2021-2022 tregojnë se numri i nxënësve në total është 7226, nga të cilët 5385 i përkasin arsimit 9-vjeçar dhe 1841 atij të mesëm. Nga këto të dhëna vihet re që viti i ri shkollor ka rënë me 200 nxënës.

Kjo ulje ka çuar edhe në mbylljen apo bashkimin e disa shkollave në fshatra shumë të largët, gjë që konfirmohet edhe nga burimet zyrtare të ZVA-Kukës. Në shtator 2020 u mbyllën dy, një në fshatin Gdheshtë në njësinë administrative Malzi dhe tjetra në Domaj të Kolesjanit, njësia administrative Bicaj.

Këtë vit shkollor, pritet të mbyllet shkolla në fshatin Kollovoz, në njësinë administrative Shishtavec, pasi aty mësojnë vetëm dy nxënës. Këto shkolla janë shumë të vështira për t’u arritur për shkak të distancës dhe mungesës së infrastrukturës rrugore.

“Është e pamundur për mua të jap mësim në zona të thella, sepse mungon transporti dhe të shkosh në këmbë është e pamundur, pasi dimri në ato zona është i gjatë dhe i ashpër.” – thotë Z. D me profesion mësuese.

K.H nga fshati Gdheshtë thotë se fëmijët dhe të rinjtë e këtyre zonave po emigrojnë herët për shkak të kushteve të vështira ekonomike, çka u heq edhe mundësinë e shkollimit.

Në rrethin e Kukësit janë 78 institucione arsimore, nga të cilat 34 janë të vendosur në qytet dhe rrethina. Gjatë periudhës së pandemisë, raportohet se të vertmet shkolla që arritën të bëjnë mësim online ishin ato të qytetit ndërkohë që ato të fshatrave, e patën të pamundur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img