Ekspertët e edukimit mediatik takojnë nxënësit e shkollës “Karl Gega” në Balldren

Nga Faktoje - 25 Tetor, 2021

Ekipi i ekspertëve të edukimit mediatik dhe artit vizual i përbërë nga Z. Enkelejd Llanaj, Znj. Elira Çanga dhe Z. Eno Milkani dhe ekipi i H.A.N.A, partneri në zbatim i projektit “Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perendimor dhe Turqi”, me zbatues kryesor organizatën mediatike Faktoje.al u takuan me 16 të rinj kureshtarë e të talentuar nga Shkolla e Mesme e Bashkuar “Karl Gega”.

Ekipi u prezantua me të rinjtë dhe mësuan për interesat e tyre në fushën e informimit mediatik duke i nxitur ata që të bashkëndajnë format më të zakonshme të ekspozimit të tyre ndaj lajmeve, platformave të mediave sociale.

Pas këtij momenti thyerje akulli, Elira Çanga i udhëhoqi të rinjtë në një prezantim të parimeve e komponentëve kryesore të lajmit nga përfaqësuesit profesionist të medias si një mënyrë që të rinjtë prezent të dallojnë çfarë e bën një lajm të vërtetë në kontrast me morinë e dezinformimit e lajmeve të rreme në qarkullim.

Enkelejd Llanaj i udhëhoqi ata në diskutime praktike, me shembuj të shumtë nga gazetaria qytetare e profesionale dhe rolin që luajnë në median tradicionale e veçanërisht sociale për informimin e audiencave. Duke e fokusuar diskutimin mbi 5 pyetjet kryesore që lajmi duhet t’i përgjigjet, në praktikë si parimet udhëheqëse të një raportuesi, kushdo qoftë ai, nga mesi i komunitetit apo nga komuniteti i gazetarëve; Kush, Kur, Çfarë, Si, Pse.

Së fundmi, sesioni i tretë i takimit u moderua nga Eno Milkani, i cili shpjegoi rolin e rëndësishëm të instrumentave vizualë që shoqërojnë një lajm, tregim a raportim; fotoja e videoja. Ky sesion gjallëroi diskutimin mes të rinjve pjesëmarrës për shkak të dominimit të rrjeteve sociale e jetes virtuale në kohën e tyre.

Së shpejti, pjesëmarrësit do të mund të angazhohen ne punë praktike për të jetësuar mësimet e marra gjatë kësaj seance të parë, duke trajtuar në formate të thjeshtuara por të hapura për një publik, çështje të dala prej vetë atyre.

Profesionistët mentorues janë aty hap pas hapi për t’i inkurajuar e mbështetur për të avancuar në impulset e tyre për t’ju drejtuar bashkëmoshatarëve përmes programeve mediatike të ideuara nga vetë ata.

Organizata Fact Checking Faktoje dhe ekipi i H.A.N.A, po zbatojnë projektin “Edukimi mediatik në
komunitetet lokale në Shqipëri” në kuadër të PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar
lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor
dhe Turqi.

Ky botim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është
përgjegjësia e vetme e organizatës Faktojes dhe jo domosdoshmërisht pasqyron opinionin e Bashkimit
Europian.’