BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriZyra e re e këshillimit në Sukth, një premtim i mbajtur me donacionet e të huajve

Zyra e re e këshillimit në Sukth, një premtim i mbajtur me donacionet e të huajve

Në fillim të këtij viti kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako u premtoi banorëve të Sukthit se do të hapej një zyrë e re këshillimi për kategorinë e personave në nevojë. Nga verifikimi i Faktoje, ky premtim rezulton i mbajtur, por realizimi i tij është bërë me financime të donatorëve. Një standard ky që ndryshon kur projektet financohen nga pushteti vendor ose qendror.

 

Albina Hoxhaj

 Gjatë një takimi me banorë në Njësinë administrative Sukth, Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako premtoi ndër të tjera hapjen e zyrës për këshillim për njerëzit në nevojë, raste të fëmijëve apo të rriturve që për këshillim psikologjik dhe problematika sociale.

Screen i premtimit të Sakos

Për verifikimin e këtij premtimi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë zyrtare Bashkisë së Durrësit ku kërkoi të dhëna nëse është hapur zyra e premtuar e këshillimit dhe cilat janë shërbimet që përfitojnë qytetarët.

 

Kërkesë për informacion drejtuar bashkisë Durrës

Në përgjigjen zyrtare Bashkia e Durrësit konfirmoi përmbushjen e këtij premtimi, i cili është realizuar në kuadër të projektit Shërbime sociale të integruara për zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të komuniteteve në nevojë. Zbatimi i programit nisi në muajin maj të vitit 2022 dhe financohet nga Zyra e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Zviceran (SDC) dhe zbatohet nga Fondacioni “Ndihmë për Fëmijët” (NPF) në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të UNDP-së. Vetë bashkia, në përgjigjen zyrtare pranon se projekti është realizuar me financimin e donatorëve.

 

Përgjigjja zyrtare nga bashkia Durrës, Njësia administrative Sukth

Njësia administrative Sukth, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej prej 53 km2 numëron diku tek 27 500 banorë. Zyrtarisht kjo njësi bën me dije se po trajton me ndihmë ekonomike 41 familje, Invalidë të Përgjithshëm 395 persona dhe 66 kujdestarë, të verbër 73 persona dhe 17 kujdestarë, paraplegjikë 38 persona dhe 38 kujdestarë si dhe 403 kujdestarë.

Vlerësimi i familjeve përfituese është bërë në bazë të kritereve të projektit, nëpërmjet listave të familjeve me probleme social-ekonomike të vëna në dispozicion nga shkollat, ndihma ekonomike dhe NjMF të nga Njësia e Këshillimit për fëmijët dhe familjen, pranë njësisë Administrative Sukth.

Sipas përgjigjes zyrtare, nëpërmjet vizitave në familje janë përzgjedhur 50 familjet përfituese në Sukth dhe Hamallaj të cilat po marrin shërbime nga zyra e këshillimit.

Llojet e shërbimeve që ofron kjo qendër për të realizuar fuqizimin social ekonomik të familjeve janë:

  • Punësimin e prindërve, nëpërmjet regjistrimit në zyrën e punës dhe referimit nëpër biznese.
  • Kurse profesionale për të rinjtë ku rimbursohet transporti dhe pajisen me kite profesionale. Janë regjistruar 12 të rinj, ndër të cilët 5 për kursin e kuzhinës, 1 në kursin e rrobaqepsisë, 3 në kursin manikyr-pedikyr, 1 në kursin e parukerisë, 2 në kursin elektroauto.
  • Janë mbeshtetur me skema gjenerimi të të ardhurave psh. Tregti rrobash të përdorura, rritje dhe tregti pula dhe zogj), 7 familje në Sukth dhe Hamallaj.
  • Mbështetje e fëmijëve me materiale shkollore dhe monitorim i tyre gjatë vitit shkollor për frekuentimin e shkollës dhe ecurinë mësimore.
  • Propozuar 1 Start up mbi ide biznesi të vogël formal derinë 5000$, i cili është vlerësuar nga eksperti i biznesit.
  • Regjistrimi i fëmijëve në klasën e pare dhe të dhjetë, nëpërmjet portalit e-albania dhe mbledhja e dokumentave.
  • Ndihmuar përhapjen e një llogarie në e-albania për nxjerrjen e dokumentave të qytetarëve të cilët kanë kërkuar këtë shërbim.
  • Janë realizuar aktivitete ndërgjegjësuese dhe informuese në kuadër të tematikave të ndryshme.
  • Janë realizuar këshillime në familje dhe në ambjentet e qendrës mbi marrëdhënien prind-fëmijë. Këshillim drejt punësimit, drejt kurseve profesionale. Referime për shërbime të specializuara, në shëndetësi, në shërbim ligjor.

 

Foto të aktiviteteve nga zyra e Këshillimit Sukth, Durrës

 

Faktoje.al kontaktoi me UNDP dhe kërkoi informacion lidhur me këtë projekt në Sukth. Në përgjigje të interesit tonë UNDP na informoi se kostoja totale e projektit për të 4 Bashkitë dhe 8 njësitë administrative parashikohet rreth $225.000 në vit.  Projekt është pjesë e një programi te UNDP- i cili synon të sjellë ndryshime sistemike në fushën e mbrojtjes sociale dhe përfshirjes sociale në Shqipëri.

Projekti “Shërbimet e integruara sociale për zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të komuniteteve vulnerabël” zbatohet në periudhën Janar 2022 – Korrik 2025 (43 muaj). Ai targeton familjet më vulnerabël të zonave të zbatimit duke synuar mbështetjen më shërbime të të gjithë anëtarëve të familjes me qëllim fuqizimin e saj.

Në Njësinë Administrative Sukth, deri më tani janë mbështetur me shërbime sociale të integruara 50 familje në nevojë ose 256 inidividë.

Projekti “Shërbimet e integruara sociale për zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të komuniteteve vulnerabël”, zbatohet nga Fondacioni “Ndihmë për Fëmijët” (NPF), në 4 bashki të vendit, në Njësi Administrative (NJA) të targetuara:

  • Bashkia Tiranë, NJA nr. 4 dhe 8
  • Bashkia Durrës, NJA Sukth
  • Bashkia Lushnjë, NJA nr. 2, 4 dhe 5
  • Bashkia Divjakë, NJA Tërbuf dhe Grabjan.

Sipas të dhënave të UNDP, në Sukth projekti ka 2 punonjës të punësuar nga Fondacioni “Ndihmë për Fëmijët”, një facilitator dhe një punonjës social.  Shërbimet sociale ofrohen në familje, pranë komuniteve dhe në mjediset e Qendrës Komunitare në NJA Sukth.

 

 

 

Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e kryetares së bashkisë së Durrësit, për hapjen e zyrës së këshillimit ta konsiderojmë premtim të mbajtur, duke vënë në dukje faktin se kur bëhet fjalë për projekte me financim të donatorëve premtimet përmbushen, kret ndryshe nga standardi i vendosur për projekte me financime të vetë pushtetit vendor apo qendror. Sjellim këtu shembullin e shkollave të rindërtuara në afat kur janë me financim të huaj dhe zvarritje të projekteve të ridnërtimit kur kanë financim të brendshëm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img