BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookSoros nuk financon anijet humanitare që shpëtojnë emigrantë në Mesdhe

Soros nuk financon anijet humanitare që shpëtojnë emigrantë në Mesdhe

Anijet humanitare që shpëtojnë emigrantët e paligjshëm që nisen drejt Evropës, nuk po financohen nga Fondacioni Shoqëria e Hapur. “Faktoje” kontaktoi fondacionin si dhe organizatën gjermane të akuzuar nga portali “Patriotik media” si pjesë e konspiracionit të rradhës.

Jona Plumbi

Filantropisti liberal, miliarderi George Soros qëndron pas shumë teorish konspirative të krahut të djathtë. Një prej këtyre akuzave është ajo e mbështjetjes së qëllimshme nga Soros, të emigrantëve nga Afrika që udhëtojnë në mënyrë të parregullt drejt Evropës.

Kjo teori është ringjallur së fundi me ardhjen në pushtet në Itali të forcave të djathta dhe tentativave të qeverisë Meloni për të bllokuar ankorimin e anijeve humanitare që ndihmojnë emigrantët në detin Mesdhe.

Një artikull i publikuar në 10 nëntor nga portali shqiptar “Patriotik Media”, i jep zë kësaj akuze, duke përmendur rastin e organizatës jo-fitimprurëse “SOS Humanity” me seli në Berlin, e cila pretendohet se nën financimin e fondacionit të Soros po vijon të sjellë në Itali emigrantë të paligjshëm nga Afrika.

Gjithçka sipas portalit ndodh si pjesë e skemës së ‘zëvendësimit të madh’ të Bashkimit Evropian sipas së cilës, elitat e BE-së dhe Kombet e Bashkuara po përdorin migrimin masiv për të zëvendësuar popullsinë evropiane. “Emigrantët e paligjshëm po ndihmojnë të majtën në luftën e tyre për të zbehur kulturat pritëse, për të siguruar më shumë vota dhe për të konsolideuar pushtetit e tyre”. Për këtë pretendim kaq të rëndësishëm, nuk ofrohet asnjë provë apo dokument nga portali, që si për ironi, e ka publikuar këtë lajm në rubrikën “Stop fake”.

Në të vërtetë artikulli është një përkthim i dobët i një lajmi të publikuar në “rairfoundation.com”. Ai pretendon se organizata “SOS Humanity” abuzon me ligjin e detit, duke zgjedhur enkas që emigrantët e shpëtuar në det, t’i zbarkojë në brigjet evropiane dhe jo ato të Libisë, Marokut apo Algjerisë, edhe kur këto shtete janë më afër se Italia. Ky fakt – sipas artikullit – tregon pikërisht përfshirjen e këtyre misioneve humanitare në “makinerinë e zhvendosjes” së popullit europian.

Për të verifikuar këto akuza, “Faktoje” kontaktoi Fondacionin Shoqëria e Hapur të George Soros. Zëdhënësja e Fondacionit, Denise Sammon në përgjigje të interesimit të Faktoje, tha se “Fondacioni Shoqëria e Hapur (OSF) nuk e financon ‘SOS Humanity’ dhe asnjë operacion tjetër kërkim-shpëtimi në Mesdhe”.

Njëkohësisht, ajo konfirmoi në emailin e saj se Fondacioni “mbështet organizata të ndryshme në Itali dhe Europë, të cilat punojnë për zbatimin e politikave të trajtimit dinjitoz dhe efektiv të emigrantëve, të sanksionuara në shtetin e së drejtës”.

Fakti që “SOS Humanity” nuk financohet nga Soros, u konfirmua për “Faktoje” edhe nga vetë organizata në fjalë. Njëkohësisht, Faktoje pyeti edhe për arsyet mbi të cilat bazohet SOS Humanity, kur vendos që emigrantët e shpëtuar në det t’i zbarkojë në bregun e njërit apo tjetrit shtet.

Zyra e shtypit e kësaj organizate na shpjegoi se ata “operojnë në Mesdheun Qendror dhe zbatojnë ligjin detar, ndaj për ankorimin pyesin qendrat e koordinimit se cili është porti i sigurt më i afërt, gjë që për arsye gjeografike mund të jetë vetëm Italia dhe Malta, pasi Libia nuk është e sigurtë”.

Bazuar mbi këto fakte rezulton se artikulli i shpërndarë në rrjet nga patriotikmedia.com, nën rubrikën “stopfakealbania” është i pasaktë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

*Imazhi i përdorur në artikull është marrë nga faqja zyrtare e SOS Humanity në rrjet

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img