BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookUshtarët turq mund të zbarkojnë në Kosovë, por si pjesë e NATO

Ushtarët turq mund të zbarkojnë në Kosovë, por si pjesë e NATO

Shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë pas njoftimit nga sekretari i përgjithshëm, Stoltenberg është interpretuar në rrjet si “përfshirje e trupave Turke” në ndihmë të Kosovës. “Faktoje” verifikoi se 700 trupat që NATO dërgoi në 30 Maj në Kosovë i përkasin kombësive të ndryshme dhe se Turqia mund të përfshihet me trupa në Kosovë, si ushtria e dytë më e madhe në NATO.

Jona Plumbi

Një publikim në rrjete sociale nga një organizatë e quajtur Terror Alarm, firmë sigurie private anonime, pa adresë fizike, staf të publikuar apo llogari bankare, e cila në faqen e saj deklaron se financohet nga kriptomonedhat, ka ngritur dyshimin se  trupat turke janë në pritje për të zbarkuar në Kosovë në mbështetje të forcave të NATO-s me qëllim ndalimin e genocidit serb.

Pretendimi i ngritur si pyetje nga Terror Alarm, është interpretuar si fakt në rrjetin social Facebook. “Kapelave te Bardha iu bashkangjitet edhe Turqia për shkatêrrimin e deep state në Mitrovicë.” – shkruhet në publikim ku shfaqet imazhi i postimit në Twitter i Terror Alarm.

Imazhi i përdorur në lajm është ai i takimit mes presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe atij të turqisë, Rejep Tayip Erdogan, shkrepur në mars 2022 kur Erdogan priti zonjën Osmani në një vizitë zyrtare.

Në anën tjetër, informacioni lidhur me shtimin e trupave në Kosovë pas përplasjeve në Mitrovicën e Veriut, është i 30 Majit 2023, por bëhet fjalë për 700 trupa të NATO-s, të cilat do të dërgohen në Kosovë pas lëndimit të 30 ushtarëve të KFOR në përplasje me protestuesit serb. Njoftimin e ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas një takimi në Oslo me Kryeministrin norvegjez në 30 Maj.

Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa të tjera nga forca rezervë operative për Ballkanin Perëndimor dhe të vendosim një batalion shtesë të forcave rezervë në gatishmëri më të lartë, në mënyrë që ata të mund të dislokohen nëse është e nevojshme. Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij.” –  tha Stoltenberg për mediat.

*pjesë nga njoftimi i publikuar në faqen e NATO-s mbi deklaratën e Stoltenberg

Një publikim në Twitter i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, që i shërben Aleancës së NATO-s përmes përgatitjes, planifikimit dhe kryerjes së operacioneve ushtarake shpjegon se “Një batalion shtesë shumëkombësh i forcave rezervë është urdhëruar të përgatitet për të qenë në gatishmëri brenda shtatë ditëve nga katërmbëdhjetë ditë që ishte njoftuar më parë, në mënyrë që të jenë të gatshëm të përforcojnë KFOR-in nëse është e nevojshme.

Pjesë e publikimit është edhe një njoftim për media e Komandës së Napolit ku shpjegohet se 700 trupat e dislokuara drejt Kosovës pas deklaratës së Stoltenberg i përkasin “Forcave Rezervë Operative” për Ballkanin Perëndimor.

Si kuptohet edhe nga njoftimet e vetë Aleancës Euroatlantike, NATO batalioni me 700 trupat që do të niset drejt Kosovës përbëhet nga ushtarë të kombësive të ndryshme.

Kontribuues në trupat e NATO janë të gjithë vendet anëtare të Aleancës, përfshi Turqinë që është anëtare e NATO-s prej vitit 1952.

Përfshirja e trupave turke në batalionet e NATO-s që shërbejnë në Kosovë nuk do ishte një gjë e re. Madje, Turqia është një nga 27 vendet që kontribuojnë me trupa për misionin KFOR që shërben në Kosovë prej ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Gjithashtu, Turqia është rreshtuar përkrah vendeve të tjera perëndimore që kërkojnë uljen e tensioneve dhe një zgjidhje paqësore duke ofruar ndihmën e saj për të negociuar mes Kosovës dhe Serbisë, e shprehur kjo publikisht nëpërmjet telefonatave të presidentit Erdogan me kryeministrin Kurti dhe presindentin Vuçiç.  Nisur nga këto të dhëna arrijmë në përfundimin se pretendimi që Turqia “po i bashkohet forcave të NATO-s” kundër Serbisë është një keqinferpretim i fakteve.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img