MERXHAN DACI & INVA HASANALIAJ
Turizmi parashikohet të jetë një nga sektorët më të dëmtuar prej pasojave të COVID-19, që po godasin në përgjithësi ekonominë. Kur “Faktoje” pyeti operatorë turistikë vendas ata pranuan se ky sezon turistik është gati i dështuar dhe që të mund të mbijetojnë duhet të ndërhyjë qeveria.
—————————————————————————————————————————————–
Turizmi nuk ishte përfshirë në planin me shtatë pikat të publikuar nga qeveria muajin e shkuar, si pjesë e paketës ekonomike për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19 në Shqipëri.
Kryeministri Rama tha sot (10 prill) se javën e ardhshmE turizmi do të përfshihet në paketën e zgjeruar.
“Do të publikojmë fillimjavën e ardhshmë paketën e zgjeruar të mbështetjes finaciare për të lehtësuar drejtpërdrejt: sektorët e turizmit e të industrisë fason dhe njësitë prodhuese në tërësi”.
Çfarë këshillojnë ekspertët e turizmit
Zak Topuzi, ekspert i turizmit dhe operator turistik, pyetur se cfarë duhet të bëjë qeveria për ta mbështetur sektorin e turizmint tha se duhen parë shqetësimet që ngriti në mes të marsit Këshilli Botëror i Turizmit duke propozuar tre masa jetike që qeveritë duhet të marrin:
- Ndihmë financiare për punonjësit e këtij sektori që po përballen me mbylljen e vendeve të punës.
- Qeveritë të japin kredi jetike pa interes për kompanitë globale, bizneset e mesme dhe të vogla me afate maturimi deri 12 muaj
- Taksat, detyrimet dhe kërkesat financiare të sektorit të udhëtimit duhet të hiqen me efekt të menjëhershëm të paktën për 12 muajt e ardhshëm.
Topuzi thotë se situata ka ardhur duke u rënduar gradualisht dhe shton se ky sezon turistik duket i dështuar.
“Është një luftë që sapo ka filluar për kontinentin europian dhe amerikan. Nuk dihet sa do vazhdojë. Praktikisht ky sezon duket i dështuar. Në Shqipëri janë anuluar të gjitha rezervimet deri në muajin qershor dhe të gjitha prenotimet individuale për sezonin veror. Janë në pritje vetëm kontratat me kompanitë e mëdha, por edhe ato nuk ka shpresë të aktivizohen. Po përgatitemi për një sezon ku mund të pushojnë vetëm pushues nga Shqipëria dhe grupet nga Maqedonia e Veriut, Kosova. Do të jetë një vit i vështirë dhe mbijetese”, tha Topuzi për “Faktoje”.
Eksperti i turizmit dhe operatori turistik Besnik Vathi, i tha “Faktoje” se turizmi është industria më e goditur. Goditjen e parë e mori me tërmetin e 26 nëntorit dhe ende pa u rikuperuar nga kjo fatkeqësi filloi përhapja e virusit, sipas tij.
“Dëmet janë në 100% të të gjithë kapacitetit pasi nuk llogarisim vetëm verën të humbur por edhe gjysmën e vjeshtës. Janë anulluar në 100% të gjitha rezervimet, por parashikojmë që gjysmën e vitit të ardhshëm të mos kemi rezervime të reja, të paktën nga të huajt. Kjo pasi rezervimet e tyre bëhen 3 apo edhe 6 muaj përpara”, tha Vathi.
Sa i përket paketës ekonomike, Vathi thotë se duhet më shumë mbështetje për sektorin.
“Unë kam mbi 25 veta të punësuar, por nuk është thjesht agjensia ime që është e prekur. Janë mbi 100 mijë persona të tjerë të cilët punojnë në këtë industri. Nuk kemi nevojë për pagë lufte një apo dy muaj. Kjo pagë duhet të kishte filluar në shkurt dhe të paktën të zgjaste deri në gusht. A mundet dikush të marri kredi për të paguar punonjësit? Masa më minimale do të ishte pagesa e punonjësve dhe tatimet. Pse duhet të parapaguajmë tatime për 2020 kur e dimë që do kemi humbje?”
Turizmi në Shqipëri
6,4 milionë shtetas të huaj hynë vitin e shkuar në Shqipëri. 6 milionë prej tyre kishin ardhur për pushime apo vizita tek të afërmit.
Edhe shifrat e janarit të këtij viti ishin pozitive sa i takon të huajve që hynë në vendin tonë. Numri i tyre ishte 249,461, që krahasuar me janarin e vitit 2019 shënoi një rritje prej 19,1%. Në Shkurt 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 228.941. Krahasuar me Shkurt 2019, ky numër është rritur me 13,6 %.
Numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri përgjatë dy muajve të parë të 2020-ës është 478.402, duke shënuar një rritje me 16,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Para fillimit të pandemisë nga koronavirusit në Shqipëri, shifrat dukeshin shpresëdhënëse për turizmin shqiptar.
Vitin e shkuar numri më i madh i turistëve ishte nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia dhe Mali i Zi.
Duke marrë parasysh numrin e të huajve që po rritet çdo vit në vend, turizmi po konsiderohet një industri në ekonominë shqiptare me një kontribut të rëndësishëm. Por pasojat e masave shtrënguese nga koronavirusi, siç pranojnë vetë operatorët turistikë dhe ekspertët, pritet të përmbysin këtë pritshmëri, të paktën për disa kohë. Ndaj ata presin një plan që të mund të mbijetojnë deri në ringritjen e aktivitetit të tyre.