BallinaAktiviteteTransparenca në informimin e publikut bën bashkë koordinatorë dhe gazetarë

Transparenca në informimin e publikut bën bashkë koordinatorë dhe gazetarë

Koordinatorët për të drejtën e informimit të institucioneve publike, si ministri apo institucione varësie, kanë qënë pjesë të dy trajnimeve të zhvilluara mbi zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit dhe propozimet për ndryshimet e reja ligjore. Së bashku me gazetarët ata kanë diskutuar dhe dhënë sugjerime të ndryshme për të pasur një bashkëpunim të frytshëm për mirëinformimin e publikut.

Faktoje në bashkëpunim me zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit po vijon trajnimet me koordinatorë, gazetarë dhe studentë të gazetarisë si pjesë e projektit “Forcimi i gazetarisë Fakt-Verifikuese në Shqipëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

——————————————————–

Trajnimi i parë, ai me koordinatorët e ministrive u mbajt më 26 maj në ambientet e “Partners Albania”.  Në fjalën e mbajtur gjatë trajnimit, Elona Hoxha, Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë për të Drejtën e Informimit theksoi se: “Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.”

Pamje nga trajnimi i zhvilluar më 26 maj

Takimi u pasua me diskutime dhe sugjerimet nga palët me qëllim përmirësimin dhe arritjen e një komunikimi të mirë mes koordinatorëve dhe gazetarëve që kërkojnë informacion zyrtar.

Pamje nga trajnimi i zhvilluar më 26 maj

Neni 17 mbi kufizimet që parashikon ligji për të drejtën e informimit ishte një ndër elementet ku diskutimet vijuan duke rendituar raste kur mos dhënia e informacionit është brenda kuadrit ligjor, apo është e pabazuar në ligj.

 Trajnimi i radhës u zhvillua në 3 qershor në ambientet e “Europe House”. Të pranishëm në takim ishin koordinatorë nga institucionet e varësisë së ministrive,

Drejtorja e Përgjithshme në Drejtorinë për të Drejtën e Informimit, Elona Hoxha e vuri theksin te propozimet e bëra për ndryshime në ligjin nr.119, datë 14.09.2014 “Për Të Drejtën e Informimit”.

Zonja Hoxha theksoi se: “Më qëllim rritjen e transparencës në organet e sistemit të drejtësisë, projektligji propozon përfshirjen në programin e transparencës, të vendimarrjes së organeve të prokurorisë për veprat penale që kanë interes të lartë publik, sipas përcaktimeve të bëra në programin model të transparencës të miratuar nga Komisioneri për këtë kategori autoritetesh publike”.

Pamje nga takimi i zhvilluar më 3 qershor

Gjithashtu, ajo bëri të ditur se me ndryshimet e propozuara parashikohen sanksione ndaj nëpunësve në rast të shkeljes së ligjit “Për Të Drejtën e Informimit”.

“Dispozitat aktuale të ligjit nuk parashikojnë mundësinë e sanksionimit të personit përgjegjës për refuzimin e dhënies së informacionit, por vetëm të koordinatorit, i cili referuar praktikës në pjesën dërmuese të rasteve rezulton ta ketë kryer detyrën e tij.

Për rrjedhojë, projekti, parashikon që përveç koordinatorit, të ngarkohet me përgjegjësi çdo nëpunës i cili me veprimet apo mosveprimet e tij, rast pas rasti ka shkelur dispozitat e këtij ligji”, sqaroi Hoxha.

Koordinatorët u shprehën pozitive për ndryshimet e parashikuara, pasi përgjegjësia dhe sanksionet nuk do të rëndojnë vetëm mbi ta, por te personat përgjegjës.

Faktoje në bashkëpunim me zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit po vijon trajnimet me koordinatorë, gazetarë dhe studentë të gazetarisë si pjesë e projektit “Forcimi i gazetarisë Fakt-Verifikuese në Shqipëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img