ARIELA KALEMASI

Parku “Rinia” në Elbasan u premtua se do të shndërrohej në një prej më të bukurve në të gjitha trojet shqiptare, por sot parku i Elbasanit është larg lavdisë së dikurshme. Ai jo vetëm është betonizuar, por është kthyer në një vend ku mblidhen konsumuesit e lëndëve narkotike. Edhe bashkia e Elbasanit e pranon që ky vend është shndërruar në një zonë të nxehtë përsa i përket kësaj problematike.

Parku “Rinia” Elbasan, qershor 2022

“Nga të gjitha dëgjesat që kemi bërë me komunitetin, një nga kërkesat më të mëdha e të gjithë qytetarëve ka qenë rikonstruksioni i plotë i këtij parku, i cili bën një integrim të plotë të disa prej site-ve më tërheqëse të Elbasanit, kalasë, stadiumit dhe së fundmi parkut Rinia, për të cilin unë jam shumë krenar dhe i bindur se do të jetë një nga parqet më të bukur në të gjitha trojet shqiptare. Sigurisht, puna në Elbasan vazhdon me intensitet, të tjerët merren me fjalë, ndërsa Bashkia e Elbasanit, ne deputetët dhe të gjitha institucionet në shërbim të qytetarëve janë në krye të detyrës për t’u shërbyer qytetarëve”, do të deklaronte në vitin 2017 Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS dhe koordinator i qarkut të Elbasanit.

I ndërtuar rreth viteve 70 dhe i rikonstruktuar në vitin 2002, parku kryesor dhe më i madh i Elbasanit ju nënshtrua  një rikualifikimi të plotë, i cili parashikonte  edhe krijimin e vendeve të shlodhjes dhe argëtimit për të gjitha moshat. Parku do të marrte një pamje të re, ndërkohë që hapësira e tij do të shtohej duke u zgjeruar në anën lindore. Në parkun e rikonceptuar do kishte ambjente për çdo lloj grupmoshe, si ajo për moshën e tretë me tavolina shahu e dominoje dhe tavolina pikniku për familjarët.

Parku “Rinia” Elbasan, qershor 2022

Risi në këtë park do te ishte gjithashtu rakenboksi, pista e vrapimit, një fushë basketbolli dhe vollejbolli në përmasa standarde, si dhe disa sheshe për fitnes.

Degradimi

Qytetarët janë të zhgënjyer përballë premtimeve se parku Rinia do të ishte ndër më të bukurit në rajon.

“Përveç betonizimit parku është kthyer në një banjo masive pubike  ku të rinjtë e përdorin  për të marrë lëndë narkotike. Duke e rikthyer ne vatër infeksioni e në një vend jo të sigurt për të qëndruar me  familjen. Jam nënë me fëmijë dhe më vjen zor të kaloj në anë të parkut pasi gjithmonë do shoh të rinj që përdorin drogë apo që shpërndajnë. Duket një situatë normale kjo për shumicën, por parku nuk duhet të ishte ky që është sot”- shprehet një nënë e re nga Elbasani.

Shiringa në parkun “Rinia” Elbasan, qershor 2022

Ajo tregon se si premtua që në park do të kishte ambiente të posaçme, të cilat do të shërbenin si dyqane për t’i shërbyer qytetarëve, por ato nuk u përdoren kurrë si të tilla po por u kthyen ne vende të rrezikshme, sidomos sa i përket të ashtuquajturës shëtitore që përshkon parkun.

“Parku është rindërtuar para ca vitesh përsëri dhe nga ajo veç betonizim kemi parë. U prenë shumë pisha që qëndronin këtu për shumë vite. Pjesa e urës u rikthye në beton dhe sot shërben si një banjo publike duke e kthyer në vatër infeksioni. Gjatë mbrëmjes, por edhe gjatë ditës, i gjithë parku kthehet në vendin ku të rinjtë marrin drogë. Ka shiringa, që janë të shpërndara  gjithëandej  dhe është e pamundur  të qëndrosh me familjen këtu”- shprehet M.T, që nuk dëshiron të identifikohet.

Alket Cepa është një prej të rinjve që ka vendosur të ndërmarrë një nismë për vendosjen e stolave në park, ndërkohë që thotë se kthimi i vëmendjes do të bëjë që edhe problematika e përdoruesve të zgjidhet dhe parku të jetë i gjithë i qytetarëve. “Ne si aktivistë kemi vendosur që të ndërmarrim një nismë për stola pasi vërtet është diçka e domosdoshme, por nuk do të lëmë pas këtë çështje. Kam parë shumë bashkëmoshatarë aty dhe më vjen keq që përfundojnë të droguar, aq më tepër në sy të shumë njerëzve që frekuentojnë këtë park. Shpresojmë që të gjithë bashkë të bëjmë diçka në këtë drejtim”, shprehet ai.

Parku “Rinia” Elbasan, qershor 2022

Qytetarë të ndryshëm madje dhe të rinj kanë kërkuar gjatë forumeve të organizuara që të shtohet më shumë prezenca e policisë në këtë park, për shkak se ndjehen të pasigurtë dhe të rrezikuar nga përdoruesit e drogës dhe ngacmuesit seksualë, që qarkullojnë në hapësirat jofunksionale të këtij parku.

Drejtori i policisë Ardjan Çipa duke iu përgjigjur interesit të të rinjve tha se është i njohur me këtë shqetësim dhe do të shikohet mundësia për të shtuar shërbimet në këtë zonë të qytetit gjatë gjithë ditës duke theksuar se duhet të ketë një vëmendje të shtuar edhe nga struktura të tjera.

Alban Demiri, përgjegjës i parkut Rinia thotë se situata është problematike. “Kemi dërguar shkresa, kemi lajmëruar disa herë policinë për dëmtimin e këtyre ambjenteve nga persona të papërgjegjshëm. Kjo zonë vazhdon të jetë një shqetësim për ne”.

Bashkia pranoi se parku Rinia është kthyer në një shqetësim sa i përket përdorimit të drogës. Megjithëse ka një asistencë të vazhdueshme në pastrimin dhe mirëmbajtjen e parkut, sërish pikat e shitjes dhe shëtitorja mbeten të pa shfrytëzueshme dhe të braktisura, duke mos marrë funksionin e prezantuar gjatë projektit.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në bashkinë Elbasan në fillim të muajt shkurt 2022 kryetari i bashkisë Gledian Llatja ka pranuar ekzistencën e një “hotspoti” të tillë të përdorimit të drogës në një pjesë të parkut Rinia. “Dua të përmend disa nga hospotet apo disa nga kërkesat që ne mund të bëjmë në bazë të problematikave. Në rajonin 1 në lagjen “Emin Matraxhiu” prapa stadiumit, Stacioni i Trenit, brenda lagjes Kala, lagja “Mustafa Demiri”, rajoni nr. 6 pranë qendrës së re shëndetësore, Parku “Rinia”, pjesën e shëtitores së parashikuar për ajrosje. Ka ardhur momenti që të gjejmë një zgjidhje për tjetërsimin e funksionit të këtij vendi pasi duke qenë një shumë i frektuentuar kemi shumë sinjalizime nga qytetarët për përdorues droge në këtë zonë” –sqaron ndër të tjera Llatja.

Betonizimi

“Duket se askush nuk ka menduar për ne, por kanë menduar për bizneset pasi ato stola prej betoni janë vendosur në pjesët ku bie dielli dhe kur bëhet fjalë për beton tani në verë është gjithmonë e më I nxehtë. Duhet të ulemi në kafenetë që kanë gllabëruar parkun për të qëndruar në freski se vetë parku nuk ta ofron aspak. Të paktën të kishte disa stola në hije dhe ne do të kalonim vapën”- thotë Haxhiu, një i moshuar, që e frekuenton çdo ditë parkun.

Parku Rinia para rikonstruksionit kishte një sipërfaqe totale prej 70,544m2.  Rikualifikimi urban i këtij parku është mbështetur financiarisht me anë të një granti prej 247 milionë lekësh të qeverisë shqiptare, si pjesë e programit të Rilindjes Urbane të financuar nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.

Por nisur nga të gjitha premtimet e dhëna nga kreu parlamentar, sot parku ndodhet në një gjendje krej tjetër nga ajo që premtua.

Zonat e gjelbra janë pakësuar duke e zëvëndësuar me hapësira të betonizuara, ndërkohë që mungojnë stolat për të orfruar mundësi shlodhëse sidomos për moshat e treta dhe nënat me fëmijë të vegjël.

“Parku Rinia para rikonstruksionit kishte një sipërfaqe totale prej 70,544m2 nga e cila 11,305 m2 ishte sipërfaqe rrugë te asfaltuara në gjendje shumë të keqe – pra ne total 16% e ish-parkut ishte sipërfaqe rruge me asfalt ose beton,” ka deklaruar gjatë një interviste për BIRN Gentjan Tabaku, përgjegjësi i projektit në bashkinë Elbasan.

“Parku Rinia pas rikonstruksionit ka një sipërfaqe prej 82.120m2  dhe në këtë sipërfaqe ka 9910m2 rrugë pedonale dhe 3584m2 sheshe pushimi apo lojërash, të cilat në raport zënë 16.4% të sipërfaqes se parkut – pra siç shihet është ruajtur i njëjti raport si më parë,” shtoi Tabaku.

Ai mbron përdorimin e betonit duke theksuar se u zgjodh si element për një sërë arsyesh përfshirë kostot e ndërtimit, lehtësinë e punimit, qëndrueshmërinë në kohë dhe koston e ulët të mirëmbatjes. Sipas tij përbërja e betorinit bën që të përshtatet më mirë me ambjentin rrethues.

Po ndërkohë një arkitekt i pavarur Edmond Kapllani e ka cilësuar betonin si zgjedhje të keqe për shkak të nxehtësisë që reflekton në një vend me një stinë të zgjatur vere dhe nuk thith ujin në rast të reshjeve në stinët e tjera.

Tavolinat e parashikuara në projekt janë ndërtuar me materiale prej betoni dhe janë vendosur në shumicën e tyre në vende të papërshtatshme duke qëndruar në shumicën e tyre në diell duke mos përmbushur qëllimin e tyre për të ofruar shlodhje dhe freski. Pista e vrapimit është e ndërtuar, ndërkohë fusha sportive shërben për të dyja sportet njëkohësisht. Sheshet për fitness të shoqëruara nga betoni e bëjnë të vështirë ushtrimin e sporteve, sidomos për fëmijët duke sjellë edhe pasoja në dëmtimin e tyre.

Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.