Fill pas liberalizimit të kryerjes së testeve serologjike, klinikat dhe laboratorët privatë kanë nisur një fushatë promovimi online të testeve serologjike. Para këtij ‘libralizimi’ testimet serologjike planifikoheshin të kryheshin në popullatë sipas vendimit që do merrte Komiteti i Ekspertëve pas përfundimit të procesit tek kategoritë e angazhuara në frontin e parë. Por sot, po lulëzon tregtimi nga privati i testeve serologjike me çmime që variojnë nga 3000 deri në 4000 lekë.
—
Ministria e Shëndetësisë njoftoi në mes të muajit korrik se pas konsultimit me Komitetin Teknik të Ekspertëve vendosi lejimin e zhvillimit të analizave të gjakut për antitrupat edhe në klinikat private.
“Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombëtare e Barnave dhe Paisijeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të liçensuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2,” – tha Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Fill pas këtij njoftimi, klinikat dhe laboratorët privatë nisën fushatën e promovimit online.
Reklamat që të ftojnë për kryerjen e testit serologjik, prej klinikave apo laboratorëve po arrijnë audiencën përmes promovimit të sponsorizuar me postime edhe në rrjetet sociale që shpjegojnë procedurën.
Çmimi për një testim serologjik varjon nga 3000-4000 lekë.
Në fund të muajit prill, nisi testimin serologjik personeli shëndetësor, ku siç ka deklaruar ISHP rreth 4 mijë teste u kryen deri në fund të muajit qershor nga ku doli se pozitiviteti ishte diku tek 5%.
Testi serologjik nuk përdoret për të gjurmuar rastet e reja me COVID-19, por për të zbuluar nëse një person e ka kaluar apo jo koronavirusin dhe nëse ka antitrupa për ta përballuar në të ardhmen.
Që prej muajit mars, po sipas ISHP janë kryer mbi 41 mijë teste me tamponë dhe teste serologjike.
Testet serologjike në rajon
Elvis Mustafa, mjek në spitalin privat ‘Sistina’, në Maqedoninë e Veriut tha për Euronews Albania se spitali ku ai punon ka bërë shumë testime duke nisur nga testet serologjike e deri tek tamponi.
“Kemi tre lloje testimesh: testi serologjik, kushton 20 euro, rezultati merret për 40 minuta; testi me tampon, rezultati merret gjatë ditës, zakonisht në mbrëmje dhe kushton 65 euro, i treti PCR i shpejtë, merret për 40 minuta dhe kushton 130 euro.”- tha mjeku, teksa shtoi se në spitalin ku ai punon kryhen deri në 1500-1600 teste në ditë.
Ndërkaq në Serbi, sipas informacioneve nga burime të Faktoje, një test serologjik kushton nga 33-38 euro.