BallinaPertejTekstet shkollore të huazuara nga ‘perëndimi’ nuk mjaftojnë, mësuesit dhe ekspertët tregojnë ku çalon situata

Tekstet shkollore të huazuara nga ‘perëndimi’ nuk mjaftojnë, mësuesit dhe ekspertët tregojnë ku çalon situata

Nxënësit e sistemit parauniversitar po mësojnë me tekste që kanë probleme të theksuara në kuptim dhe në përkthim. Heqja e teksteve me gabime, përmes zbatimit të një reforme të re u premtua edhe në 2018-n, por Ministria e Arsimit pranon se ka ende nevojë për përmirësime. Zyrtarisht MASR konfirmon se bëhet fjalë për gabime ‘të dorës së dytë’, por ekspertët argumentojnë se problematika me tekstet shkollore të përkthyera copy-paste, është më serioze. Vetë mësuesit pranojnë se hasin vështirësi me tekstet në procesin e mësimdhënies dhe në disa raste janë detyruar t’u rikthehen teksteve të vjetra për mësuesit.

…………………………………………………………

Më 13 nëntor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi se do të rishikohen sërish tekstet shkollore:

“Pavarësisht se tekstet që kemi sot të përkthyera nga Oxford, Cambridge dhe Pearson janë shumë herë më cilësore se sa tekstet që kishim deri dje, ne përsëri jemi plotësisht të vetëdijshëm që ka nevojë për shumë përmirësime.

Prandaj tashmë kemi filluar nga puna për të rishikuar në detaje të gjitha tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, për të korrigjuar çdo pasaktësi apo çdo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit”- deklaroi ministrja Kushi.

Në lidhje me këtë çështje, ne i dërguam fillimisht një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku ndër të tjera e pyetëm sa herë është bërë rishikimi i teksteve nga viti 2013 deri më tani.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Arsimit më 15 nëntor

Në përgjigjen që morëm, nuk na u bë i ditur se sa herë është bërë rishikimi i teksteve, por vetëm mënyra se si është proceduar për rishikimin e tyre.

“Në futjen vit pas viti të teksteve të reja në arsimin parauniversitar bazuar në kurrikulën me kompetenca është ndjekur ky proces: Pas miratimit të teksteve dhe futjes së tyre në Katalogun e Teksteve Shkollore, tekstet i janë nënshtruar një rishikimi nga mësuesit që kanë punuar me këto tekste.

Mësuesit gjatë përdorimit të teksteve, në rastet kur kanë vënë re pasaktësi, kanë mbajtur shënime dhe kanë bërë sugjerime për përmirësimin e tekstit. Shpesh edhe vërejtjet e prindërve të nxënësve janë marrë në konsideratë nga mësuesit.

Sugjerimet e mësuesve janë përcjellë nga shkolla në ZVAP-et, të cilat i kanë paraqitur në MAS. ASCAP nën drejtimin e MAS, ka ngritur grupe pune me mësues sipas profileve, të cilët kanë vlerësuar edhe njëherë sugjerimet e mësuesve dhe kanë përgatitur një raport për përmirësimin e teksteve shkollore.

Raportet sipas lëndëve iu janë përcjellë shtëpive botuese, me kërkesën për rishikimin dhe përmirësimin e tekstit përkatës. Shtëpitë botuese kanë ripunuar tekstet shkollore dhe kanë dorëzuar në MAS kopje të tekstit të përmirësuar, tekst i cili është shpërndarë në shkolla”- thuhet nw pwrgjigjen e ministrisw sw Arsimit.

Gjithashtu, ne e pyetëm Ministrinë e Arsimit në lidhje me problemet që janë evidentuar ne tekste dhe pse janë detyruar sërish që të bëjnë një rishikim të tyre.

“Tekstet që kanë fituar konkursin për t’u përdorur në arsimin parauniversitar nuk paraqesin probleme që bien ndesh me kurrikulën apo programet e miratuara. Tekstet shkollore nga ana përmbajtësore janë në përputhje me kurrikulën dhe programet lëndore. Rishikimi i teksteve konsiston në përmirësimin e ilustrimeve të ndryshme figurative, të ndonjë shprehjeje, ndonjë pasaktësie drejtshkrimore, etj”- sqaron Ministria e Arsimit.

Mirëpo, çfarë do bëhet me nxënësit që deri më tani kanë mësuar me tekstet ‘problematike’?

MASR thekson për Faktoje:

“Të gjitha tekstet që janë në përdorim në arsimin parauniversitar janë në proces të vazhdueshëm përmirësimi, gjë që lidhet edhe me ndonjë ndryshim të mundshëm kurrikular.

Teksti nuk është mjeti i vetëm që ndihmon nxënësin në nxënie dhe mësuesin në mësimdhënie, por ka edhe mjaft burime të tjera që mësuesi dhe nxënësi përdor. Nuk bëhet fjalë për gabime thelbësore që cënojnë dijen e nxënësve, por për përmirësim të teksteve shkollore”.

Problemet me tekstet shkollore

Eksperti i Arsimit, Albano Zhapaj argumenton për Faktoje disa prej arsyeve pse nuk mund të përkthehen shabllon tekstet e huaja.

“Çdo problem social që lind, lind si pasojë e historisë së gabuar, apo interpretimit të gabuar të historisë apo mosnjohjes së historisë reale. Në librat tanë të historisë nuk njihen firmëtarët realë, janë zhdukur nga skena e historisë ata njerëz që kanë kontribuar përshembull në ndërtimin e shtetit, se nuk është vetëm Ismail Qemali. Ata firmëtarët e tjerë, gjatë kohës së komunizmit u janë zhdukur emrat, u janë fshirë, por ama po të shikosh lexohen emrat e tyre te lista e firmëtarëve.

Që këtu fillon gabim, sepse të rinjtë rriten dhe mësohen me idenë që historia është bërë kështu, që këtu është e gabuar në koncept. Dhe për sa i përket historisë, p.sh. gjuhë-letërsisë, edukimit tradicional dhe disa koncepteve të tjera që janë të lidhura me bazën kulturore të edukimit të një shoqërie, nuk mund të përkthehen nga Oxford-i apo shkolla të tjera, nga tekste të jashtme. Sepse ato janë shoqëri me një kompleksitet ndryshe nga e jona. Ne jemi një shoqëri ku mbizotëron tradita, ku respektohet ende gjyshi, gjyshja, nëna, babai.

Nuk mund të marr unë tani librat e Oxford-it, mënyrën se si ata i transmetojnë vlerat e tyre te fëmijët e tyre dhe t’i marr copy-paste dhe t’ua transmetoj fëmijëve tanë, për sa i përket shkencave sociale.

Nevoja për identitet është një nevojë shumë e rëndësishme shpirtërore dhe njerëzore dhe e kanë të gjithë. Përkthimi i librave shabllon nga shkolla të huaja nuk është gjithmonë i frytshëm për zhvillimin e një identiteti personal dhe shoqëror”.

Tekst nga libri i Gjuhës së klasës së dytë

Por, cilat janë problemet e evidentuara në tekstet shkollore sipas ekspertit Zhapaj: “Nga informacionet që kam unë, mësuesit në këto vitet e fundit, për të shpjeguar disa lëndë, përdorin fotokopje të librave të vjetër, sepse janë të sqaruara më mirë dhe më të konceptuara. Ndërkohë, këto librat e përkthyera, le që janë përkthyer keq, por janë edhe me gabime kuptimore. Mësuesit këtë gjë e kanë bërë në heshtje. Një libër që nuk e kupton vetë mësuesi, si mund të jetë në gjendje t’ia shpjegojë vetë nxënësit.

Pra, semantika e librave nuk është në përputhje me logjikën e thjeshtë dhe tradicionale që kemi. Shkon fëmija në shtëpi dhe prindi nuk di t’ia shpjegojë.

Ne kemi një krizë identiteti, sepse edukohemi nga gjëra që nuk janë tonat, ndërkohë që ne kemi vlera si popull. Bërja e librave më përkthime, mua më duket më shumë si biznes që ka ecur ndër vite sesa një dëshirë e shtypshkronjave dhe autorëve për të futur një kulturë të re në vend”.

Faktoje mori opinionin e disa mësuesve të cikleve të ndryshme shkollore, të cilët konfirmojnë vështirësitë që hasin për t’u transmetuar dijet nxënësve, kryesisht atyre të klasave të para dhe të dyta. Mësuesit tregojnë se ka probleme drejtshkrimore në librin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ushtrime të ndërtuara gabim në matematikë, por edhe koncepte shumë të vështira për t’u kuptuar në tekstin e Diturisë së Natyrës.

“Më problem është Dituria e Natyrës, klasa e parë dhe e dytë. Ka shumë tema që duhen riparë. Në Gjuhë ka gabime drejtshkrimore, ndërsa në Matematikë na ka ndodhur që nuk zgjidhnim dot ushtrimet, sepse ishin gabim”, thanë mësuesit.

Vjershë nga libri i Gjuhës së klasës së dytë

Një raport i Bankës Botërore në vitin 2013, i bazuar në testet e Pizës tregonte që 57% e gjimnazistëve në vend nuk kuptonin asgjë nga ato që lexonin në tekstet shkollore.

Në vitin 2014, DW raportonte mbi gjendjen e rënduar të teksteve në sistemin parauniversitar, ku ekspertë të arsimit dhe prindër raportonin për mangësi dhe deformime në përmbajtjen e tyre. Për fat të keq, edhe 7 vite më pas, tekstet shkollore në vendin tonë vijojnë t’i kenë këto probleme të theksuara.

Përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore u premtua edhe në 2018 nga ministrja e Arsimit të asaj kohe, Lindita Nikolla. Nëpërmjet një postimi të bërë në Facebook nga kryeministri Edi Rama në shtator të 2018, Nikolla deklaronte ndër të tjera se kishin hequr tekstet me gabimet më të rëndë dhe kishin filluar reformën e re të teksteve me standardet më të mira.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img