BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookNFL nuk zëvendësoi himnin amerikan me himnin e njerëzve me ngjyrë

NFL nuk zëvendësoi himnin amerikan me himnin e njerëzve me ngjyrë

Federata Amerikane e Futbollit nuk e ka zëvendësuar himnin kombëtar me ate të njerëzve me ngjyrë, siç pretendohet në postime në rrjetet sociale. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se kemi të bëjmë me një informacion të rremë.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se Liga Kombëtare Amerikane e Futbollit ka zëvendësuar himnin e vendit me atë të njerëzve me ngjyrë.

Federata e futbollit amerikan NFL, ka zëvendësuar himnin kombëtar amerikan me himnin e njerëzve me ngjyrë. Quo vadis Ameriqas?-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Publikimi shoqërohet me një video, ku shfaqen një grup të rinjsh me ngjyrë, duke kënduar himnin e tyre.

“Lift every voice and sing” (ngrini zërat dhe këndoni) është një himn i shkruar nga aktivisti, James Weldon Johnson në vitin 1900. Ai bën thirrje për çlirimin e amerikanëve zezakë dhe njihet gjerësisht si “Himni Kombëtar i njerëzve me ngjyrë”. Megjithatë, përfshirja e tij në ngjarjet sportive në SHBA ka zemëruar kritikët, të cilët kanë hedhur akuzuar për diskrimimin e amerikanëve në bazë të racës.

Faktoje bëri një kërkim, ku fillimisht rezulton se himni “Lift Every Voice and Sing” u interpretua nga kori i djemve dhe vajzave të Kansas City përpara ndeshjes NFL të “Kansas City Chiefs” dhe “Detroit Lions”, e para e sezonit të rregullt, mbajtur më 8 shtator 2023.

Mirëpo, ndryshe nga çfarë pretendohet në rrjetet sociale, ky himni nuk zëvendësoi atë kombëtar. Sipas Forbes, mediat sociale përhapën dezinformata se “Lift Every Voice and Sing” zëvendësoi himnin kombëtar në lojën “Chiefs and Lions”. Këngëtarja Natalie Grant performoi himnin amerikan “Star Spangled Banner”, pasi u këndua “Lift Every Voice and Sing”.

Nuk është hera e parë që performohet himni i njerëzve me ngjyrë në evente sportive në SHBA dhe në disa raste ka ngjallur edhe debate.

Këngëtari Will Liverman i këndoi të dyja “America the Beautiful” dhe “Lift Every Voice and Sing” përpara finales së U.S. Open për meshkuj të zhvilluar më 10 shtator të këtij viti.

Aktorja dhe këngëtarja Sheryl Lee Ralph këndoi “Lift Every Voice and Sing” në Super Bowl LVII në shkurt 2023 dhe asokohe ngjalli mjaft reagime. Por, kjo nuk do të thotë se u zëvendësua himni amerikan.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img