BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGafa e gazetares nuk provon se BioTech po zhvillon një trajtim ndaj vdekjeve nga vaksina e Covid-19

Gafa e gazetares nuk provon se BioTech po zhvillon një trajtim ndaj vdekjeve nga vaksina e Covid-19

Një lapsus i gazetares australiane mbi Covid-19 është keqpërdorur nga grupet anti-vaksinë, për të përhapur informacione të rreme. Ndryshe nga çfarë pretendohet, të gjitha studimet aktuale dëshmojnë për efikasitetin e vaksinave kundër virusit.

Informacione mbi efektet anësore të vaksinave kundër Covid-19 vazhdojnë të qarkullojnë në rrjetet sociale edhe 3 vite pas pandemisë. Një video është shpërndarë në rrjetet sociale në vendin tonë, ku shfaqet një spikere, e cila thotë: “Kompania australiane BioTech ka zhvilluar një trajtim të ri për të ndihmuar që njerëzit të mos vdesin nga vaksina kundër Covid-19”.

Krahas pamjeve është shkruar me ironi se: “Për të mirë po përpiqen…”

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pamjeve, fillimisht duke përdorur mjetet për verifikimin e videove dhe fotove, për të kuptuar më tepër rreth saj.

Nga kërkimi rezulton së pari se regjistrimi është shkëputur nga televizioni Australian ‘7 News’, transmetuar më 16 prill.

Veç kësaj, kjo video 8 sekondëshe ka qarkulluar në rrjetet sociale që prej vitit 2021, me qëllim përhapjen e informacioneve të rreme mbi vaksinat e Covid.

Sipas verifikimeve të kryera nga kolegët e “Associated Press”, prezantuesja Tina Altieri thotë gabimisht “vaksina kundër Covid”, por më pas korrigjon veten duke thënë vetëm “Covid-19”. Mirëpo, korrigjimi i bërë nuk jepet në videon manipuluese.

“Një kompani australiane bioteknologjike ka zhvilluar një trajtim të ri që shpreson se do të parandalojë vdekjen e njerëzve nga (vaksina kundër Covid– lapsusi). COVID-19. Siç raporton Katrina Blowers, tani është duke u testuar në Shtetet e Bashkuara”, thotë ajo.

Pra, në këtë video, gazetarja nuk ka folur për ilaçin që duhet të parandalojë “vdekjen nga vaksina kundër Covid-19”. Është një lapsus që ajo e korrigjoi dhe trajtimi për të cilin foli është në testim dhe synon të ndihmojë pacientët e shtruar në spital për shkak të infeksionit Covid-19.

Vaksinat kundër këtij virusi janë të sigurta dhe efektive, siç konfirmohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Universiteti “Johns Hopkins“, i cili është një nga universitetet kryesore mjekësore në botë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img