BallinaFaktometerShqipëria, vendi me numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve në rajon

Shqipëria, vendi me numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve në rajon

Shqipëria prej 9 marsit po përballet me pandeminë “Covid-19”. Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu ka deklaruar se Sistemi Shëndetësor i ka kapacitetet për përballimin e situatës, ndërsa kryministri Rama më herët deklaroi se në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh. Po kur “Faktoje” krahasoi numrin e mjekëve dhe infermierëve për 1,000 banorë me vendet e rajonit, rezultoi se Shqipëria përballet me mangësi të theksuara.


Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e diplomimit të 1600 studentëve të Universitetit të Mjekësisë më 20 shkurt deklaroi se në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh. Rama argumenoi se përhapet panik duke nxjerrë lajme të tilla, por në realitet vendi nuk ka mungesë sipas tij.

Në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh. Ishte fatkeqësi e trashëguar nga ndalimi i pashpjegueshëm për 4 vite i specializimeve që krijoi një boshllëk të madh mes nevojës dhe mundësisë për të përmbushur nevojën. Vetëm gjatë 2018-2019 janë punësuar 400 mjekw të rinj, jo vetëm në moshë, por edhe të kthyer nga jashtë dhe 2200 infermierë. Shumëkush duke dëgjuar lajme, thotë nuk ka mjekë, nuk ka infermierë, ikën të gjithë”, deklaroi Rama.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim publikoi të mërkurën në 1 prill, raportin mbi rezistencën e ekonomive në zhvillim ndaj krizës së shkaktuar nga Covid-19. Numri i pakët i mjekëve për 100 mijë banorë renditet ndër pikat më të dobëta të Shqipërisë.

Në aspektin e sistemit shëndetësor, Shqipëria renditet në nivel të moderuar sa i përket shpenzimeve të sektorit shëndetësor, së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa shtetet e tjera të rajonit e kanë të lartë këtë tregues. Shqipëria renditet dobët sa i përket numrit të mjekëve, së bashku me Kosovën, ndërsa rajoni e ka këtë tregues të moderuar ose të lartë.

                                                        Raporti i BERZH

Observatori Global i Shëndetit, më herët raportoi se Shqipëria ka 1.2 mjekë për 1000 banorë ose në total 1.200 mjekë në gjithë vendin, ndërsa referuar numrit të dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë ose 3,600 në total në gjithë vendin.Rrjeti i kujdesit shëndetësor parësor konsiston në 413 qendra shëndetësore. Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike. Spitalet universitare, të përqendruara në Tiranë, tërheqin një fluks pacientësh në rritje, për shkak të mungesës së shërbimeve në spitalet bashkiake e rajonale dhe anashkalimit ose mospërdorimit të sistemit të referimit.

Siç edhe vërehet nga të dhënat e Observatorit Global të Shëndetit, Shqipëria ka 5 herë më pak mjekë se Greqia. Nga ana tjetër, Serbia ka dyfishin e mjekëve në raport me Shqipërinë.

Në 29 prill të vitit të shkuar, në Raportin e Shëndetit 2019, Shqipëria pati renditjen më të keqe, duke u pozicionuar e 82-mes 84 vendeve (bazuar në gjetjet e sipas qyteteve që janë marrë në shqyrtim në Europë)  për sa i përket Indeksit të Shëndetit.

Për të gjeneruar indeksin, Numbeo mbledh të dhëna deri në 36 muaj. Në indeks përfshihen vetëm qytetet për të cilët ka të paktën një numër përfaqësuesish që kontribuojnë. Të dhënat publikohen çdo gjashtë muaj.

Indeksi i shëndetit është një përllogaritje e cilësisë e sistemit të përkujdesjes shëndetësore, e profesionistëve të punësuar në shëndetësi, pajisjeve, stafit, doktorit dhe kostove.

Pas përllogaritjeve me formulat përkatëse të këtyre treguesve, Numbeo vlerëson me pikë nga 0 deri në 100 indeksin e shëndetit. Sa më i ulët të jetë ky tregues aq më e dobët është shëndetësia në atë vend.

MARJO BRAKAJ

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img