BallinaPertejShqipëria dhe biçikletat, mes (mos) përpjekjeve për infrastrukturë dhe fataliteteve  

Shqipëria dhe biçikletat, mes (mos) përpjekjeve për infrastrukturë dhe fataliteteve  

MERXHAN DACI

Dielli kishte perënduar ditën e ftohtë të 8 janarit të këtij viti teksa P.K., nga Fushë-Miloti po i drejtohej me biçikletë biznesit privat ku punonte si roje nate.

Një furgon e përplasi në afërsi të Lezhës duke i rrezikuar seriozisht jetën. Në gjendje të rëndë ai u transportua me urgjencë për në spital.

Policia dyshoi se shkak i aksidentit ishte bërë parakalimi i gabuar i furgonit.

Ky nuk ishte fati i tetë personave të tjerë të cilët humbën jetën me biçikletë gjatë 2018-ës në rrugët e Shqipërisë.

————————————————————————————————————————————————————-

Shifrat e aksidenteve, heshtja e institucioneve që vret

Shqipëria nuk njihet si një shtet që i ka kushtuar rëndësi transportit me dyrrotak. Tirana është qyteti me më shumë korsi biçikletash teksa investime shumë modeste janë bërë edhe në Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër.

Të dhënat që vijnë nga Policia e Shtetit flasin për një numër jo të vogël të fataliteteve, plagosjeve të rënda apo të lehta në këto tre vitet e fundit.

 

Në vitin 2016 ishin 19 persona që humbën jetën me biçikletë, ndërkaq në vitin 2017 ishin 9 dhe në 2018-ën 8. Parimisht duket një trend në rënie i të aksidentuarve që humbin jetën por rastet e aksidenteve me plagosje sado të lehta apo të rënda vazhdojnë të jenë prezente në një numër të lartë.

Rastet e personave që kanë humbur jetën janë më shumë në qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit.

Ndërkaq plagosjet e rënda janë po ashtu të shumta në numër. Numri i tyre ka rënë në krahasim me vitin 2016 por shifrat mbeten konstante dy vitet e fundit.

 

Plagosjet e lehta kanë shënuar rritje në këto tre vitet e fundit në rang republike.

 

Biçiklistët ngrenë zërin për rreziqet në kaosin urban të “qyteteve” tona

 

Harry Muça është një 28-vjeçar nga Shkodra që merret me futboll dhe prej vitesh përdor biçikletën në qytetin që njihet se këtë mjet transporti e ka kulturë.

Biçikletën kam 20 vjet që e përdor. Rrugë për biçikleta nuk ka në Shkodër, pothuajse në asnjë vend por ruhemi të gjithë si makinat e këmbësorët dhe ne që lëvizim me biçikleta. Jam përfshirë edhe vetë në aksidente, disa herë”, tregon Muça teksa shton se i kanë kërkuar më shumë investime bashkisë por përgjigja e tyre ka qenë heshtja.

Dhjetëra përdorues të biçikletave mblidhen në Tiranë për të sensibilizuar shoferët e makinave dhe këmbësorët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të mos vënë në rrezik jetën e biçiklistëve.

Biçiklistët e mbledhur nën emrin e Critical Mass në kryeqytet kanë organizuar pedalime në mbrojtje të të drejtave të pedaluesve të biçikletave.

Ai është një organizim global i përshkruar si një “protestë mujore nga çiklistët që rimarrin rrugët” duke u shndërruar në një lëvizje të madhe sociale.

Në Tiranë biçiklistët shqiptarë kanë ngritur zërin për aksidentet e shumta me pasojë vdekjen. Takimi i Critical Mass mbahet zakonisht të premten e fundit të çdo muaji.

Erald Halili, një ndër organizatorët e Critical Mass prej dy vitesh tregon për “Faktoje” se korsitë e biçikletave në kryeqytet janë problematike.

Korsitë e biçikletave janë shtuar në disa pjesë të qytetit por janë të papërfunduara. Edhe aty ku janë bërë janë vendosur kioska që pengojnë, kosha plehrash, dhe stacionet e urbaneve që shpesh krijojnë edhe përplasje. Në trotuare ka pemë që vështirësojnë rrugën e këmbësorëve dhe i detyron të kalojnë në korsinë e biçikletave. Pastaj me automjetet vazhdon akoma ‘konflikti’ shekullor. Biçikletat nuk janë të mirëpritura”, thotë Halili, pasi shton që nuk mund të ndërgjegjesohen këmbësorët nëse nuk ka sinjalistikë të rregullt dhe trotuaret të lirohen.  

*Në foto: Critical Mass

Renaldo Salianji, i cili së fundmi fitoi një çmim pasi bëri për një muaj 800 km me biçikletë në Tiranë, i angazhuar disa herë me Ecovolis për lirimin e korsive tregon për Faktoje sa sfiduese është të pedalosh në kryeqytet.  

Biçikletën e kam përdorur për në punë, shkollë. Edhe bukën me biçikletë e blej. Ka qenë goxha sfiduese por tani është përmirësuar disi infrastuktura, janë ndërtuar korsi. Biçikletat janë tre ose katër fishuar në rrugën e Dibrës për shembull. Por korsitë duhen ndërtuar me plan. Në rrugët ku pedalojnë më shumë studentët nuk ka korsi”, thotë Salianji teksa shton se edhe shoferët që ankohen se bashkia i ka defavorizuar pas ngushtimit të rrugëve le të përdorin biçikletat.

Salianji tregon se një problem i madh janë këmbësorët të cilët ende nuk e kanë kuptuar se në fakt nuk kanë punë tek korsia e biçikletave.

Ecin shumë keq njerëzit, duhet të edukohen, unë zihem gjithmonë me ta. Zihem ndonjëherë keq. Ka pasur raste edhe me sharje se nuk kuptojnë dhe këmbëngulin. Problemi më i madh janë ata, ndjekur nga motorët e picave që futen në korsinë tonë”, thotë ai duke shtuar se Unaza e Vogël është pjesa më problematike e kryeqytetit.

Një herë jam vënë në rrezik. Ka qenë te një nga semaforët e rrugës së Elbasanit. Një vajzë me telefon në një makinë Smart nuk e pa që u ndez e kuqja dhe më përplasi. Shpëtova mirë.”

*Në foto: Renaldo Salianji

Ndërkaq Geri Emiri, përfaqësues i grupimit qytetar “Bicycle Durrës” që lobon prej tre vitesh tek bashkia për krijimin e infrastrukturës për lëvizjen me biçikletë tregon se qyteti ka nevojë të menjëhershme për korsi.

Dy rrugë në Durrës, ajo e Plazhit dhe përbri portit kanë korsi biçikletash. Këto investime janë periferike krahasuar me nevojat që ka qyteti. Prej 3 vitesh me anë të peticioneve, protestave, pedalimeve dhe takimeve në bashki, si grupim qytetar kemi kërkuar korsi por kjo nuk ka ndodhur”,  thotë Emiri për Faktoje teksa shton se shëtitja me biçikletë duhet të jetë tërheqëse në një qyetet bregdetar si Durrësi por që në mungesë të infrastrukturës, mbetet vetëm dëshirë.

Emiri tregon po ashtu se aksidentet ndodhin shpesh në qytet.

Një pjesë e madhe e anëtarëve të “Bicycle Durrës” kanë pësuar aksidente dhe fraktura, deri në rrezikimin e jetës, pasi automjetet që lëvizin me shpejtësi apo që hapin dyert papritur janë një rrezik me të cilin përballemi çdo ditë”, thotë ai.

Sipas Emirit, interesi për biçikletat është në rritje në Durrës megjithë mungesën e korsive.

Interesi për përdorimin e biçikletës shihet që tek të vegjlit, të cilët bashkohen shpesh me pedalimet tona në qytet. Po ashtu të rriturit e përdorin biçikletën jo vetëm për të mbajtur trupin në formë, por edhe për të kryer punët e përditshme. Durrësi ka një traditë në përdorimin e biçikletës, ku të moshuarit vijojnë të shkojnë me biçikletë në plazh”, thotë Emiri duke shtuar se trendi në rritje i përdoruesve të biçikletës duhet të reflektohet edhe me përmirësimin e infrastrukturës.

*Në foto: Geri Emiri

Shqiptarët dhe iniciativat bike-sharing

Ecovolis është një program bike-sharing i biçikletave në komunitet nisur në vitin 2011 në Tiranë. Ai bazohet në disa stacione biçikletash në kryeqytet ku mund të marrësh një biçikletë me një kartë ID-je. Programi Ecovolis ka treguar sukses në rritjen e përdorimit të biçikletave në Tiranë dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur dyrrotakët në vend të mjeteve të transportit që ndotin mjedisin.

Mobike është një tjetër iniciativë bike-sharing e biçikletave pa stacion e lançuar së fundmi në kryeqytet. Me bazë në Pekin të Kinës, Mobike mbërriti edhe në Ballkan.

Mënyra e përdorimit të Mobike ishte një risi për Shqipërinë. Të interesuarit duhet të shkarkonin aplikacionin në telefon, të regjistroheshin me kartën e kreditit, të gjenin biçikletën në hartë, të skanonin kodin dhe më pas të nisnin udhëtimin e tyre në qytet.

Megjithëse Tirana u bë kryeqyteti i parë në Ballkan me këtë iniciativë miqësore me mjedisin, Mobike nuk lëshoi aq shumë biçikleta në kryeqytet sa tha në fillim. Kjo shihet qartë edhe në hartën e saj në aplikacion e cila është tkurrur dhe ka shumë pak biçikleta.

Rrjetet sociale u mbushën javët e para të lançimit me foto dhe video të njerëzve që i vidhnin këto biçikleta duke u dëmtuar sistemin GPS e i futur kështu në shtëpitë e tyre. Po ashtu pati raste të dëmtimit dhe parkimit jo në vendet e duhura. Këto ngjarje treguan mos-familjarizimin e një pjese të shqiptarëve me iniciativa të tilla sociale.

Të pyetur nga Faktoje, Mobike tregoi se në fakt kjo iniciativë bike-sharing nuk ka regjistruar ndonjë aksident të përdoruesve të saj.  

————————————————————————————————————————————————————-

Qytetarët ankohen anembanë Shqipërisë se bashkitë nuk po investojnë sa duhet apo aspak në korsi biçikletash teksa përballemi me numrin e lartë të plagosjeve dhe një numër jo të vogël të vdekjeve. Mos-investimi nga ana e bashkive bie ndesh me pretendimet e të zgjedhurve lokalë për t’i bërë qytetet më miqësore dhe të jetueshme.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img