Që prej fillimit të pandemisë, Maqedonia e Veriut ka kryer disa herë më shumë teste për rastet e COVID-19, sesa Shqipëria. Sipas ekspertëve, ka shumë gjasa që situata reale nga pandemia sa i përket rasteve me COVID-19 dhe viktimave në vendin tonë, të jetë e ngjashme me Maqedoninë, por numri i ulët i testimeve në Shqipëri e pengon evidentimin real të tyre.
—
Në datën 24 shtator Maqedonia e Veriut raportoi se kishte kryer 1630 testime për COVID-19. Në të njëjën ditë Shqipëria raportoi se kishte kryer 852 testime, gati gjysmën e Maqedonisë.
Sipas shifrave zyrtare, deri sot, Maqedonia e Veriut ka bërë mbi 181 mijë testime që nga fillimi i pandemisë. Ndërkaq, Shqipëria ka bërë diku tek 83 mijë testime, ose rreth 100 mijë më pak.
Thënë ndryshe, Maqedonia ka testuar mbi 86 mijë individë/1 milion banorë, ndërkohë që në Shqipëri ky raport është diku tek 27 mijë/1 milionë banorë.
Përse Maqedonia është kaq para me testimet?
Një burim nga Maqedonia e Veriut i tha Faktoje se numri i testimeve është i ndryshëm çdo ditë, zakonisht nuk ka mbi 2000 testime në 24 orë dhe nga ky standard dalin rreth 10% të infektuar. Numri i testimeve varet nga numri i atyre që kanë simptoma si dhe interesimi i atyre që thjesht dyshojnë dhe nuk duan të presin rekomandimin e mjekut, andaj kryejnë teste privatisht. Ndërkaq në Maqedoni ka pasur edhe screening (ose kampione rastësore) në kopshte dhe çerdhe.
Në Shqipëri rezulton se që prej shfaqjes së pandemisë janë prekur mbi 12 mijë persona dhe kanë vdekur 370. Maqedonia i ka më të larta këto shifra, përkatësisht mbi 17 mijë të prekur dhe 712 të vdekur.
Erion Dasho, epidemiolog i tha Faktojes se ka shumë mundësi që Shqipëria të jetë në të njëjtën situatë si Maqedonia e Veriut, kur vjen fjala për numrin e rasteve të prekura apo vdekjeve, por kjo nuk është e mundur sa kohë kemi numër më të ulët testimesh.
“Në Shqipëri duhet të ketë shumë persona që nuk diagnostifikohen,as si të prekur dhe as si të vdekur nga COVID. Ka shumë raste, përfshirë njerëz të njohur të mitë të cilët klinikisht pothuajse është e sigurt se kanë vdekur nga COVID, por duke qenë se nuk janë testuar në kohë, nuk janë kapur dhe diagnostifikuar si duhet”-tha Dasho.
“Vende si Maqedonia, Serbia dhe shtete të tjera të Ballkanit, kanë testuar më shumë dhe aty ku testohet më shumë, kontrolli si rregull është më i mirë, bëhet diagnoza e hershme, fillon mjekimi i hershëm, ke mundësi të ndërpresësh zinxhirët e transmetimit nëpërmjet gjurmimit. Kjo ka bërë që Maqedonia të ketë në letër, në statistikë më tepër raste. Realisht duhet të jenë të njëjtat vlera si në Shqipëri dhe Maqedoni”- shtoi Dasho për Faktoje.
Testi tek privati, në Maqedoni më lirë se në Shqipëri
Në fillim të shtatorit Faktoje raportoi se në Maqedoninë e Veriut, testet PCR (tamponi) tek ‘privati’ varionin nga 50-100 euro.
Ndërkaq, në Shqipëri çmimi për një test PCR ose tampon është 12,000 lekë ose 100 Euro dhe nuk ka ndryshuar që prej liberalizimit të testeve PCR në laboratorët privatë.
Së fundmi në Maqedoninë e Veriut, Fondi për Shëndetësi vendosi çmim më të lirë për testin molekular sesa në Shqipëri.
Testimi i të gjithë pacientëve të dyshuar për COVID-19 në spitalet publike të Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë pa pagesë, por në vend të 3.600 denarë (rreth 60 euro), çmimi referues i cili do t’u jepet spitaleve dhe laboratorëve private për testim PCR (tampon), do të jetë 1.850 denarë (rreth 30 euro), sipas raportimeve nga SDK dhe Portalb.mk.
Nga fillimi i pandemisë deri tani, në Maqedoninë e Veriut janë kryer 176.000 teste PCR (tampon) gjithsej.
Sipas statistikave të Institutit për Shëndet Publik në Maqedoninë e Veriut, (55%) prej tyre janë bërë në spitale publike. Ditët e fundit po bëhen më shumë testime në spitalet dhe laboratorët private sesa në ato publike.