.

.

BallinaPertejShisha ‘nxjerr tym’ edhe gjatë pandemisë COVID-19 në Shqipëri

Shisha ‘nxjerr tym’ edhe gjatë pandemisë COVID-19 në Shqipëri

Një shpërthim i 36 rasteve të COVID-19 në qytetin gjerman të Göttingen në Saksoninë e Ulët u gjet në një bar nargjile që nuk duhet të ishte hapur, sipas konfirmimit të autoriteteve vendore, në qershor të këtij viti.

Punonjësit lokalë të shëndetësisë identifikuan 310 persona që ishin në kontakt me të infektuarit, përfshirë dhjetëra fëmijë dhe adoleshentë. Të gjithë u vendosën në një karantinë të rreptë, raportoi Deutsche Welle.

Shisha përfshihet padyshim në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e virusit COVID-19, për shkak të socializimit në grupe të mëdha.

OBSH për shishën

Bazuar në këshillat e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorimin e nargjiles, sugjerohet se pirja e duhanit të nargjileve duhet të rregullohet për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

OBSH ka një shpjegim më të detajuar për rrezikshmërinë e përdorimit të shishës në këtë kohë pandemie.

Sipas saj, natyra e pirjes së nargjiles nënkupton që një grykë e vetme ndahet shpesh midis disa përdoruesve, veçanërisht në mjediset shoqërore. Përveç kësaj, vetë aparati i gypave të ujit mund të sigurojë një mjedis që promovon mbijetesën e mikroorganizmave jashtë trupit. OBSH thekson se shumica e bareve qw e servirin, priren të mos pastrojnë pajisjet e gypave të ujit, përfshirë kavanozin e ujit, pas çdo seance duhani, sepse larja dhe pastrimi i pjesëve të gypave kërkon shumë kohë. Këta faktorë rrisin potencialin për transmetimin e sëmundjeve infektive midis përdoruesve.

Në përputhje me këtë, OBSH shton se provat kanë treguar që përdorimi i tubave shoqërohet me një rrezik në rritje të transmetimit të agjentëve infektivë, duke përfshirë viruset e frymëmarrjes, virusin e hepatitit C, virusin Epstein Barr, virusin Herpes Simplex, tuberkulozin, Heliobacter pylori dhe Aspergillus.

Grumbullimet shoqërore gjithashtu ofrojnë mundësi të mjaftueshme për përhapjen e COVID-19. Meqenëse pirja e nargjiles është zakonisht një aktivitet që zhvillohet brenda grupeve në mjediset publike dhe përdorimi i tubave të ujit rrit rrezikun e transmetimit të sëmundjeve. Sipas OBSH, ai gjithashtu mund të inkurajojë transmetimin e COVID-19 në grumbullimet shoqërore. Kur përdorimi i shishas bëhet në zona të brendshme, siç ndodh në shumë vende, aq më tepër në dimër rreziku mund të jetë më i lartë.

Foto e OBSH

Ndryshimet ligjore për shishën

Në 18 korrik të vitit 2019, Kuvendi miratoi disa ndryshime në Ligjin e Duhanit, ku përfshihet për herë të parë termi shisha apo nargjile, çështje e raportuar dhe ndjekur me prioritet nga “Faktoje”.

Në maj të vitit 2019, “Faktoje” investigoi se si funksionon shisha si biznes në kurriz të të miturve, kulturë e cila sjell dëme të mëdha sociale, shëndetësore por edhe financiare.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lajmëroi në një dalje për mediat dy javë pas investigimit në 31 maj nismën e re për të ndryshuar Ligjin e Duhanit.

Produktet novatore të duhanit që kanë hyrë së fundmi në tregun shqiptar dhe që kanë qenë tërësisht të parregulluara, si cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të konsiderohen produkte duhani dhe do të trajtohen si të tilla”, tha Manastirliu.

Në fillim të korrikut të vitit të shkuar, ministrja Manstirliu paraqiti në Komisionin e Shëndetësisë draftin me ndryshimet që do të rregullonin çështjen e cigareve elektronike dhe shishave.

Në seancën e fundit për sesionin e kaluar, në 18 korrik, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligj. 15 ditë pas votimit, ndryshimet hynë në fuqi.

Moda e Shishas në Shqipëri

Shisha është bërë prej kohësh një trend masiv në Shqipëri, kryesisht tek të rinjtë, përfshirë edhe të miturit.

Faktoje pyeti zyrtarisht Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor nëse ka bërë inspektime dhe çfarë qasjeje ka pasur ndaj shisha -bareve në këtë periudhë pandemie.

Përgjigja e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor:

Nga data 18 maj 2020 deri më datë 30 shtator 2020 është lejuar shërbimi vetëm në ambientet e jashtme të këtyre subjekteve.

Nga data 1 janar deri më datë 4 tetor 2020, ISHSH ka kryer 83,289 monitorime dhe inspektime në subjekte bar – kafe – gastronomi dhe ka vendosur 258 masa administrative.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor i tha Faktoje se nuk kryen klasifikim të bareve sipas produktit ose produkteve që konsumohen.

Kjo e bën të vështirë për të dhënë një numër të saktë apo të përafërt të shisha-bareve të inspektuara apo gjobitura, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre janë afër shkollave publike.

Ndërkohë këto ditë nëntori, në Tiranë vijon konsumimi i nargjiles megjithëse jo masivisht si përpara pandemisë.

Dy të rinj duke tymosur shisha pranë Rrugës së Elbasanit

Edhe pse Faktoje konstatoi raste kur shisha konsumohej në mjedise të mbylluara, ato ishin raste sporadike, pasi konsumohej në mjedise të hapura apo gjysmë të hapura, por me ftohjen e motit, rreziku i tymosjes në mjedise të mbyllura dhe në grup mbetet i pranishëm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img