BallinaPertejShisha, “trendi” që rrezikon të miturit shqiptarë

Shisha, “trendi” që rrezikon të miturit shqiptarë

SIRMA MOLLA & MERXHAN DACI & INA KILA

V.V., mamaja e një djali 13-vjeçar, nxënës në shkollën 9 vjeçare publike “Edith Durham” në Tiranë është e shqetësuar. Kjo pasi mori vesh se djali i saj bashkë me disa bashkëmoshatarë kishin përdorur një mënyrë të re të tymosuri.

Prej disa ditësh shihja djalin të kollitej e të ishte i këputur,  ndërsa mësueset ankoheshin se nuk përqëndrohej ose largohej nga mësimi. Nga fotot në telefonin e tij kuptova se konsumonte shisha bashkë me disa shokë. Nisa të kërkoj informacion dhe mësova se ajo shërbehet rëndom nëpër bare dhe po reklamohet shumë edhe në rrjete sociale. Ndërkohë mora vesh se në një dyqan “tobacco” djali me disa shokë kishte blerë dy shishe të vogla me përbërës të dyshimtë, që e përdornin fshehtas edhe në shkollë- tregon ajo.

Ajo që më shqetëson është se djali dhe disa shokë e shoqe të tij janë të bindur se shisha nuk është e dëmshme por simptomat tregonin të kundërtën. Ky biznes po fuqizohet shumë në kurriz të të miturve pasi promovohet si një gjë e padëmshme, ndërsa Instagrami është plot me imazhe të miturish që tymosin në grup”, thotë V.V., për Faktoje teksa shton se lokali që shërben shisha është vetëm dy metra nga oborri i shkollës dhe ku jo rrallë sheh nxënës që e frekuentojnë gjatë paradites.

Shqetësimi më i madh i saj është se duke nisur kështu fëmijët mund të eksperimentojnë gjëra të tjera të dëmshme.

————————————————————————————————

Shisha, e njohur ndryshe si nargjilja, është kthyer në trend për të rinjtë shqiptarë. Këtij trendi nuk po i shpëtojnë as të miturit, të cilët ndihen “cool” nëse e frekuentojnë bashkë me shoqërinë. Ky fenomen i ekspozon ata ndaj lëndëve kancerogjene dhe varësisë ndaj një kulture orientale e të qëndruarit në grup për orë të tëra duke tymosur.

Çfarë është shisha?

Është procesi i tymosjes së duhanit me shije, i cili realizohet nëpërmjet djegies së qymyrit dhe ftohjes së tymit nga uji. Shijet janë nga më të ndryshmet që fillojnë që nga frutat e deri tek më të fortat siç është ajo me pije energjike dhe që nga dëshmitë e të rinjve që e përdorin, të shkakton marrje mendsh. Përjashtim nuk bën edhe shisha me shije hashashi.

Udhëtimi i shishës nga vendet orientale tek lokalet e Shqipërisë

E.K., 30 vjeç, ka punuar në sektorin e tregtimit dhe shpërndarjes së shishave dhe shijeve në baret e Tiranës. Ai thotë se përhapja më masive e tyre ka nisur para 3 vitesh.

Klientët nuk janë vetëm lokalet që  punojnë ekskluzivisht me shisha por edhe baret e thjeshta, unë kam shitur produkte për shisha në Tiranë dhe qytete të tjera. Një pjesë e lokaleve që ndodhen afër gjimnazeve dhe shkollave nëntëvjeçare kanë ambiente të mbyllura ku shisha mund të tymoset lehtësisht nga të rinjtë pa u parë nga prindërit”, thotë E.K.

Ai konfirmon se të miturit përbënin klientelën e rregullt të produkteve të shishas dhe rrjedhimisht edhe përdorues të saj.

“Shijet e shishas ua kam shitur edhe individëve nën moshën 18 vjeç. Adoleshentët preferojnë t’i mbajnë edhe nëpër shtëpi. Është një produkt që nuk i ndalohet blerja si në faqet “online” por dhe në pikat ku shiten shisha dhe shijet e saj. Shpesh adoleshentët e blejnë produktin duke bashkuar paratë në grup”, thotë ai.

Çmimet e shishave që ai ka sjellë në Shqipëri me prejardhje kryesisht nga Turqia, varionin nga 50-600 Euro, por E.K. thotë se produktet për këtë biznes futen edhe kontrabandë dhe kjo pasqyrohet tek çmimi i ulët me të cilin joshen lokalet që e shërbejnë. Ndryshe ndodh me çmimin në “tobacco shop” i cili është më i lartë.

“Faktoje” kontaktoi R.B., shitëse në një “tobacco shop” në Tiranë e cila na tregoi se në dyqanin ku punon shkojnë vazhdimisht të mitur për të blerë shisha apo shije.

Pjesa më e madhe e klientëve janë 17-20 vjeçarë por ka dhe të rritur që interesohen për të blerë me shumicë për qëllime biznesi. Të miturve nuk u kërkojmë mjete identifikimi”, tregon R. B për “Faktoje”.

Në këtë dyqan “tobacco” R. B tregon se çmimet e shishave variojnë në bazë të madhësisë, nga 2200 lekë të voglat, 3500-6000 të mesmet dhe 7500-15.000 të mëdhatë, çmime mjaft të kripura po t’i krahasosh me duhanin.

Shisha si “trend”, një shqetësim për shëndetin e të miturve dhe shoqërinë

“Faktoje” pyeti Institutin e Shëndetit Publik nëse ka dijeni për fenomenin dhe a e konsideron të rrezikshëm për shëndetin.

Përdorimi i shishave me përmbajtje duhani nga të miturit është një problem shqetësues i ISHP si dhe i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila aktualisht ka draftuar ndryshime ligjore mbi ndalimin e përdorimit të shishave në mjedise të mbyllura”, tha ISHP.

Për specialistët e ISHP shisha nuk ishte e panjohur si fenomen. Ata janë njohur me problematikën mbi përdorimin e shishave me përmbajtje duhani nga moshat e reja, por institucioni nuk ka një studim lidhur me numrin e të rinjve konsumatorë të shishas në vend dhe pasojat në shëndet.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tymi i prodhuar nga djegia e shishave është toksik. Analizat laboratorike të tymit të shishave kanë zbuluar nivele të matshme të lëndëve kancerogjene dhe toksike si oksid nitrik dhe metale të rënda. Përveç kësaj, djegia e qymyrit gjeneron nivele të larta të monoksidit të karbonit.

Këto substanca toksike bëhen shkak për sëmundje të zemrës, mushkërive dhe kancerit tek duhanpirësit dhe mund të sjellin të njëjtat pasoja edhe te përdoruest e shishave, nëse absorbohen në trup në sasi të konsiderueshme.

Kultura e tymosjes në grup dhe veset

Arjana Muçaj, sociologe, njëkohësisht lektore në Faktultetin e Shkencave Sociale në Tiranë tha për “Faktoje” se ky është një trend i të rinjve të cilët duan të duken.

Në Shqipëri është shumë i përhapur si trend i ri që e gjejmë në bare ditore por edhe në ato të natës. Është diçka atraktive për t’i bërë ata më të dukshëm në sytë e të tjerëve, është pikërisht mosha në të cilën duam të dukemi, konsumimi i nargjilesë do të thotë të jesh në qendër të vëmendjes”, shpjegon Muçaj.

Sipas saj ky është një trend i rrezikshëm dhe përvec dëmit shëndetësor ka edhe një dëm tjetër më afatgjatë që është varësia.

“Është shumë e rrezikshme! Në pamje të parë krijohet ideja se nuk ka ndonjë problem, por është shumë e dëmshme. Nargjileja ka përmbajtje qymyri dhe nikotine që thithet në mushkëri dhe kjo sjell atë që quhet varësi. Të rinjtë mendojnë se mund ta lënë kur të duan, që e kanë veten në dorë por kjo nuk është e vërtëtë”, thotë sociologia Muçaj duke shtuar se fakti që ka edhe fëmijë që e konsumojnë, e bën akoma më shqetësues fenomenin.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pyetur nga “Faktoje” mbi përdorimin e shisha-s në ambjentet afër shkollave tha se nuk ka informacion duke ia lënë shkollave ta trajtojnë si një prej shumë fenomeneve që ndodh tek nxënësit.

Nuk ka informacione për problemin e ngritur dhe nuk është referuar asnjë ankesë nga stafet e shkollave apo komuniteti i prindërve për këtë problem”, tha MASR në përgjigjen zyrtare. Shkollat sipas ministrisë kanë mjetet dhe strukturat për të trajtuar çdo fenomen që dëmton procesin mësimor dhe ndikon negativisht në formimin e nxënësve.

Por “Faktoje”, pasi u interesua në një nga shkollat 9-vjeçare, mësoi se stafi pedagogjik kishte disa raste të largimit të nxënësve nga ora e mësimit për të frekuentuar një lokal që shërben shisha, vetëm pak metra larg shkollës. Nga drejtoria mësuam se në takimet me përfaqësues të drejtorisë arsimore dhe asaj të policisë, shqetësimi është bërë prezent.

Ndërkohë Policia e Shtetit nuk ktheu një përgjigje, pyetur nga “Faktoje” për këtë fenomen.

Gazetarët e “Faktoje” shkuan vetë për të provuar modën e re “shisha” në një bar fare pranë një tjetër shkolle 9-vjeçare në mesditë. Siç pritej, lokali ishte i mbushur me të rinj, disa prej tyre të mitur që mezi dalloheshin  nga shtëllungat e tymit. Gjatë porosisë askush nga shërbimi nuk kërkoi ndonjë mjet identifikimi, ndërsa pas konsumit gazetarët shfaqën turbullim, djegie fyti apo dhembje koke.

Në fund të kësaj eksperience, “Faktoje”, bëri edhe një verifikim që na bindi se biznesi në lokalet e shishas është pa kontroll. Nga të dhënat e faturës kontrolluam në shërbimin online të Qendrës Kombëtare të Biznesit ku na rezultoi se ky bar ashtu si shumë të tjerë nëpër Tiranë, ka të deklaruar si aktivitet “bar-kafe”, ndërsa në realitet prezantohet si “shisha-lounge” dhe “night club”. Me një kërkim të theshtë në webfaqen e QKB rezultojnë vetëm 6 licenca për lokale me aktivitet për “shisha”.

“Faktoje”-s i mjaftoi një tjetër kërkim në Google Maps me fjalët “shisha lounge” për të vërtetuar se shumica e lokaleve të tillë janë shumë më tepër. Promovimi i tyre po bëhet kryesisht në rrjetet sociale, aty ku adoleshentë e të rinj shpenzojnë një pjesë të madhe të kohës. Kjo duket edhe nga fotot e videot e publikuara në Instagram. Epoka e bar-llotove në çdo pëllëmbë rrugë perëndoi por tani po lind trendi i ri “shisha” që kërkon të ushqehet me të rinj me xhepat plot e kohën bosh.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img