BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingSa real është premtimi për rritje me 150 % të pagës së policëve që punojnë jashtë vendbanimit

Sa real është premtimi për rritje me 150 % të pagës së policëve që punojnë jashtë vendbanimit

Ina Allkanjari

 Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u zotua për rritje page deri në 150% për efektivët e policisë së shtetit të cilët punojnë larg vendbanimit të tyre. Nisma që pritet të japë efektet në janar 2022, komentohet pozitivisht nga sindikata e policisë, por rritja në masën 150% konsiderohet jo reale. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Zef Preçi shprehet skeptik dhe sugjeron se është më produktiv rekrutimi dhe formimi i individëve nga komunitetet lokale, kundrejt transferimeve nga një zonë në tjetrën të punonjësve të policisë.

————

“Projekt-buxheti që sapo miratuam sjell dy lajme të mira për Policinë e Shtetit: I pari, ka të bëjë me rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, që ushtrojnë detyrën e tyre jashtë vendbanimit, vitin që do vijë, në formën e bonusit dhe do ta çojë deri në 150 % pagën e punonjësve me detyrë jashtë vendbanimit”- deklaroi Ministri i Brendshem, Bledi Çuçi më datë 22 tetor pas mbledhjes së qeverisë.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Brendshme, ku kërkuam të njiheshim me kriteret mbi të cilat do të pëllogaritet shtesa në pagë, për këtë kategori punonjësish dhe sa efektivë do të përfitonnin nga ky vendim.

Screenshot, kërkesa për informacioni drejtuar Ministrisë së Brendshme datë 28.10.2021

Në përgjigjen e kthyer për Faktoje më 5 nëntor, Ministria e Brendshme nuk ofroi asnjë të dhënë, duke argumentuar se këto detaje ishin pjesë e procedurave në Kuvend.

“Të gjithë hapat ligjorë, vendimet përkatëse do të ndërmerren menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, të ligjit për Buxhetin e vitit 2022. Në aktin përkatës që miratohet nga Këshilli i Ministrave do të detajohen kriteret, mënyrat dhe kushtet specifike të dhënies së bonusit për punonjësit e Policisë së Shtetit, që punojnë larg vendbanimit”- shkruhet në përgjigjen e ardhur për Faktoje nga Ministria e Brendshme.

Screenshot, përgjigja e ardhur nga Ministria e Brendshme datë 05.11.2021

Po në 5 nëntor, Ministri Bledi Çuçi duke folur në Komisionin e Sigurisë në Parlament për projekt-buxhetin 2022 për Ministrinë e Brendshme tha:

“…sot do të përfitojnë 1179 efektivë të policisë, pasi në këtë skemë ne do të përfshijmë të gjithë punonjësit e policisë, nga inspektori deri tek drejtuesit e parë, të cilët punojnë jashtë vendbanimit të tyre. Në një projekt që kemi bërë dhe llogari, sipas rritjes që ka për këtë zë, i kemi ndarë përkatësisht në bazë të kilometrave, pra largësisë që ka punonjësi që punon jashtë vendbanimit, duke u nisur nga 20 deri në 60 km largësi, do të përfitojë 20% më shumë mbi pagën, nga 61 km deri 120 km, do të përfitojë 30% më shumë mbi pagën dhe mbi 121 km, do të përfitojë 50% mbi pagën mujore”- deklaroi Ministri i Brendshëm.

Tabelë e krijuar nga Faktoje për kriteret e përfitimit të bonusit për punonjësit e policisë së shtetit

Më datë 9 nëntor, gjatë takimit për prezantimin e projekt-buxhetit 2022 për Policinë e Shtetit, Çuçi u shpreh se bonusi i pagave për këtë kategori punonjësish në Policinë e Shtetit do të nisë të zbatohet në Janar të vitit 2022.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë prezantimit të projekt-buxhetit 2022 për Policinë e Shtetit, datë 9 nëntor 2021

“Kjo është një rritje e konsiderueshme dhe vetëm sot që flasim janë rreth 1200 punonjës policie që përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo shtesë, nga ky bonus që do t’u japë buxheti i vitit 2022. Sigurisht që është një numër që ndryshon në varësi edhe të lëvizjeve që bëhen brenda strukturës së Policisë së Shtetit. Për herë të parë në buxhetin e vitit të ardhshëm, do të ketë një trajtim të veçantë për këta punonjës”- u shpreh Ministri i Brendshëm.

I pyetur nga Faktoje mbi premtimin për rritjen deri në 150% të pagës së efektivëve të kësaj kategorie, kreu i sindikatës së policies së shtetit, Sadetin Fishta u shpreh se e mirëpret si nismë, por ka rezerva për masën prej 150%.

“Nuk ka rritje page, është bonus mbi pagën bazë, paga është ajo që ka qenë, ky është bonus për natyrë të vecantë pune. Rritja e thënë shoh shpesh që është keqkuptuar, nuk është 150% rritje page. Është 20%, 30% dhe 50% rritje mbi pagën bazë. Vendimi ka qenë në fuqi por nuk ka qenë me përqindje, ishte fikse me kilometra. Vendim për trajtim financiar për punonjësit që ushtrojnë punën e tyre jashtë vendbanimit.  Me këtë vendim të ri, ka një trajtim më të mirë, pasi përfitimi do të jetë më i lartë.  Besoj se ky vendim do të rrisë performancën pasi ne kemi një numër të lartë punonjësish që ushtrojnë punën jashtë vendbanimit.  Tashmë presim të hyjë në fuqi në janar të vitit 2022, shpresojmë të zbatohet, të mos jetë propaganda, por realitet”- tregon për Faktoje kryetari i Sindikatës së Policisë së Shtetit.

Më tej Fishta tregon se kjo praktikë ndiqet edhe në vende të tjera.

“Ka vende si Maqedonia që zbatojnë të njëjtën praktikë me përqindje, madje ato kanë edhe disa përfitime të tjera, psh nëse punojnë përgjatë fundjavës ata përfitojnë shtesë page për shkak të privimit që i bëhet familjes. Pra kanë përqindje në pagë edhe për këtë arsye”- tregon Fishta.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi shprehet skeptik për Faktoje, duke argumentuar se në vend të transferimit të efektivëve të policisë, mund të investohet në rekrutimin dhe formimin e individëve si efektivë të policisë.

“Kjo masë edhe pse është pozitive në parim dhe ndihmon punonjësit e policisë, në thelb po përdoret si instrument i gabuar që mund të shndërrohet në burim abuzimi. Përqindja ka synim stimulimin e vajtjes, por mendoj që nuk është zgjidhje, ajo vlen vetëm për mjekët, pagesat suplementare kur punojnë jashtë territorit. Për shërbimet e tjera do të ishte e dëshirueshme që të shënohet kualifikimi, trajnimi dhe rekrutimi nga zona ku jeton individi. Është e pakuptimtë që të kërkosh të dërgosh polic në Has nga Kukësi ndërkohë që Hasi ka varfëri të lartë, mund të pajtosh një polic atje, ta trajnosh dhe ta gjesh nga komuniteti. Pra shërbimi duhet të ofrohet nga komuniteti dhe në këtë rast nuk bëhet duke deleguar, por duke përfshirë, duke angazhuar dhe rekrutuar nga komuniteti”- sugjeron eksperti.

Sipas tij duhet të realizohet një studim kombëtar nëse mendohet të bëhen ndryshime në paga.

“Pagat e punës është e nevojshme të studiohen në nivel kombëtar që të kenë një piramidë, jo të bëhen ndryshime të pjesshme që më shumë motivohen nga interesa elektorale se sa nga përmirësimi i kushteve, kualifikimit etj. Ne duhet ta zgjidhim në mënyrë institucionale dhe praktikat e qeverisjes së mirë të financave publike këshillojnë që të përdoret sa më pak kompensimi në CASH që shndërrohet në burim abuzimi, për qëllime të kësaj natyre që janë të zgjidhshme me transport të posaçëm”- shprehet eksperti i ekonomisë.

Në 15 nëntor kryeministri Edi Rama duke prezantuar në parlament projektbuxhetin 2022, përsëriti zotimin për rritjen e pagës deri në 150% për punonjëit e policisë që punojnë jashtë vendbanimit, një premtim që mbetet të verifiohert në muajt e parë të vitit 2022.

“Injektojmë financime të konsiderueshme. Rrisim pagat me një bonus të posaçëm deri në 150% për punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit”- deklaroi Rama.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img