BallinaTë pambajturaQukës-Qafë Plloçë, rruga e florinjtë që nuk justifikon kostot dhe injoron blegtorët

Qukës-Qafë Plloçë, rruga e florinjtë që nuk justifikon kostot dhe injoron blegtorët

Projekti për rrugën rreth 43 kilometra Qukës – Qafë Plloçë, që nis nga zona e Librazhdit dhe është nyje lidhëse me Qafë Thanën, ka shkelur deri tani katër afate përfundimi. Lista e pasojave nis me dyfishim të kostos në buxhetin e shtetit, 400 milionë USD nga 150 milionë të planifikuara. Në rastin më optimist rruga përfundon në 2029-ën kur kostoja pritet të katërfishohet. Njihuni me verifikimin e 4 premtimeve të shkelura për rrugën e nisur në 2011-ën dhe argumentat e inxhinierëve se pse është jo efikase, si po e paguajmë me “flori” ne taksapaguesit një rrugë që nuk ka as elementët e një autostrade dhe zërin e padëgjuar të blegtorëve të zonës që ndikohen nga ky projekt.

Dorina Azo

Odisea e projektit Qukës-Qafë Plloçë

E projektuar në vitin 2009, rruga Qukës -Qafë Plloçë ka kaluar në odisenë e premtimeve të shkelura elektorale nga të dy kahet e politikës.

I pari ishte Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, që premtoi ndërtimin e rrugës në prag të fushatës për zgjedhjet paramentare të 2009-s. Deklarata ndeshi kundërshtime nga inxhinierët e veprave të infrastrukturës rrugore, me këto argumenta:

Së pari mungonte studimi i fizibilitetit, pa të cilin nuk mund të niste projekti.

Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e rrugës, 3 – 4 kilometra janë në 1,300 metra mbi nivelin e detit, çka do ta bënte të pakalueshëm këtë aks gjatë ngricave.

Së treti, mungesa e efikasiteti të projektit, kusht i pashmamngshëm që, sipas ekspertëve, përcaktohet në standarde.

Për daljen deri në Korçë, rruga Qukës – Qafë Plloçë shkurton vetëm 2,5 kilometra distancë, thuajse e papërfillshme po të marrësh parasysh kostot e ndërtimit. Madje në terma kohore, ky variant do të jetë edhe më i gjatë se rruga ekzistuese. Pavarësisht kundërshtimeve nga profesionistët, ish qeveria “Berisha” nuk ngurroi të priste shiritin elektoral dhe të niste punimet në 2011-n, duke propaganduar se me këtë projekt po përmbushte angazhimin për të ndihmuar daljen nga “izolimi” të fshatrave malore të Mokrës.

Kjo propagandë rrëzohet nga inxhinierët si një absurditet, që shpjegohet me mungesën e një studimi të plotë fizibiliteti. Nëse bëhej fjalë për lidhjen dhe daljen nga “izolimi” të këtyre fshatrave, nuk ishte e nevojshme të ndërtohej një rrugë e këtyre parametrave dhe kostove marramendëse, që sot për sot është dyfishuar dhe çdo ditë zvarritjeje vetëm sa i rrit shpenzimet në kurriz të taksapaguesve.

Verifikimi në terren

Në fund të janarit 2024, ne provuam të përshkojmë rrugën “e re”  që nis në hyrje të fshatit Qukës të Librazhdit ku qëndron si relike tabela e vjetër që tregon nisjen e punimeve në 2015-n dhe vlerën fillestare të projektit.

Tabela e vjetër e punimeve për Qukës-Qafë Plloçë
Sinjalistika për punimet përgjatë Qukës-Qafë Plloçë

Përgjatë rrugës hasëm segmente të asfaltuara në mënyrë të çrregullt, pjesë të dy seksioneve të para, por që nuk janë të lidhura në vijimësi me paketën e plotë të këtij projekti. Pjesa fundore, pjesërisht e hapur, është krejt e pandërtuar.

Qukës-Qafë Plloçë, pjesë e asfaltuar

I shtruar rezulton segmenti pas fshatit Trebinjë të Mokrës së Sipërme deri në dalje të fshatit Kalivaç, konkretisht deri te tuneli i ndërtuar poshtë zonës së njohur si “varrezat e grekëve”. Mbi këtë tunel vijon rruga e vjetër, (pa asnjë standard sigurie) që të nxjerr drejt qytetit të Pogradecit dhe që nuk ka lidhje me arterien e re siç parashikohet në projekt.

Qukës-Qafë Plloçë, segment i paasfaltuar në afërsi të Pogrdecit

Aty takojmë 65 vjeçarin Josif Sillo lindur dhe rritur në fshatin Potgozhan të Mokrës së Sipërme. Josifi dhe fermerë të tjerë të fshatrave përreth e kanë të lidhur jetën me blegtorinë dhe për ta shqetësim kryesor është si të kalojnë bagëtitë, në një vepër që mundëson vetëm kalimin e kafshëve mbi rrugë në prezencë trafiku.

“Afër fshatit tonë nuk ka nënkalim, jemi të detyruar të çojmë bagëtitë mes për mes fshatit Kalivaç që të përdorim nënkalimin. Kafshët aktualisht po i kalojnë mbi rrugë pasi nuk ka trafik, por kur të nisë fluksi i makinave do të na ndodhë siç iu ndodhi atyre në Labinot”, thotë Josifi.

Josif Silo, banor i fshatit Potgozhan

Aq të painteresuar janë autoritetet të dëgjojnë ankesat e banorëve, që jetën e tyre ia kanë dedikuar blegtorisë, sa Josifi shprehet:

“Nuk kërkojmë t’i vendosim në pozitë të vështirë për të ndërtuar një nënkalim të ri për fshatin tonë, por të paktën të sistemohet toka para përroit të thatë (i përfunduar si kanal i gjerë betoni për kalimin e ujërave), për kalimin e bagëtive në kohë thatësire.

Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë dhe më e lirë!”. Pasi u ndamë me 65 vjeçarin nga vendi i njohur si “zona e qershive” përshkuam rrugën për të arritur deri në tunelin dalës që bën lidhjen me segmentin e tretë të kësaj rruge. Deri më tani është realizuar vetëm hapja e trasesë, ndërsa rruga që do të përshkohet nga tunelet dalëse (që do të shërbejnë për kthimin nga Qafë Plloça drejt Qukësit) janë asfaltuar vetëm në disa metra. Tuneli me tutje nuk të mundëson asnjë dalje. Duke i parë nga afër punimet e lotit të tretë të rrugës, duken pothuajse të panisura, duke paralajmëruar se përfundimi është ende larg.

Vetë kreu i ARRSH-së, Evis Berberi deklaroi shtatorin e vitit të kaluar se për Lotin III ishin kryer 37 % e punimeve dhe se ato parashikohej të përfundonin në 31 korrik 2025.

Ndërkohë një inxhinier që njeh nga afër ecurinë e punimeve në kushte anonimati deklaroi për Faktoje se duhen të paktën 4-5 vite për ndërtimin e këtij loti: “Është hapur vetëm traseja, pasi vetëm heqja e dherave zë deri 30% të volumit të punimeve. Pra nuk është bërë asgjë për lotin e tretë që mundëson daljen në Qafë Plloçë. Punimet e këtij loti nuk arrijnë të përfundojnë më 2025, por me këtë ritëm, do të duhen 4 deri 5 vite të tjera. Edhe për dy lotet e tjera që deklarohet se kanë përfunduar 76% e punimeve, segmentet janë pa vijimësi mes tyre”.

Projekt i “vjetër”, fatura “të reja”

Më 2013-n me ardhjen në pushtet të socialistëve, punimet e rrugës vijuan sipas projektit të qeverisë paraardhëse, ndryshuan vetëm kompanitë nënkontraktore dhe u shtuan faturat.

Në 26 janar të 2018-s në ministri i Infrastrukturës  në atë kohë Damian Gjiknuri duke inspektuar punimet, nxitoi të deklaronte se rruga Qukës-Qafë Plloçë do të përfundonte një vit më pas:

“Ka qenë një ndër projektet e trashëguara me shumë probleme, por që po futet në rrugën e zgjidhjes. Me financimin shtesë jemi të bindur që brenda një periudhe 1 vjeçare kjo rrugë do të përfundojë. Afati kaloi dhe rruga nuk përfundoi.

Nga një kontroll i raportit të Monitorimit të MIE-s për 2021, në seksionin “Shpenzimet për financimin e politikave ekzistuese për projektet në vazhdim për financimin e huaj”, mësojmë se punimet për seksionin e parë dhe të dytë të rrugës do të përfundonin më 2021.

Deri më 31 dhjetor 2020 sipas këtyre të dhënave, punimet ishin realizuar në masën 68%. Realizimi i projektit është i ndarë në 3 lote me kosto totale në vlerën 18,2 miliardë lekë, me financim të huaj dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Referuar të dhënave që pasqyrohen në raportin e Monitorimit të MIE, nga 2015 deri më 31 dhjetor 2020, për ndërtimin e 3 loteve të projektit ishin shpenzuar 12,2 miliardë lekë nga totali i vlerës të kontratës.

Për Lotin I të rrugës Qukës-Qafë Plloçë referuar të dhënave të publikuara, kontrata e nisur më 2015-n ishte me vlerë 5,4 miliardë lekë, por deri në fund të 2020-s ishin shpenzuar 4,1 miliardë lekë e barabartë me 76% të fondit. Në raportin e monitorimit parashikohej që punimet të përfundonin më 2021.

Për Lotin II vlera e punimeve sipas kontratës që kishte nisur të zbatohej që në vitin 2015 arrinte 8 miliardë lekë. Deri në fund të 2020-s ishin shpenzuar 5,7 miliardë lekë, ose 71% e ecurisë së punimeve.

Për Lotin e III kontrata me vlerë 4,6 miliardë lekë nisi zbatimin në vitin 2016. Deri më 31 dhjetor 2020 ishin shpenzuar 2,3 milardë lekë e barasvlefshme me  51% e vlerës. Për këtë segment punimet ishin parashikuar të mbylleshin më 2019.

Në shkelje të të gjithë këtyre afateve, rruga Qukës – Qafë Plloçë është ende larg përfundimit.

Në interpelancën e 22 Shtatorit 2021, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, deklaroi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, se afatet e përfundimit të Loteve I dhe II të parashikuara të mbylleshin më 2021 (referuar edhe raportit të monitorimit) shtyheshim me më shumë se një vit, me një faturë shtesë prej 106 milionë dollarë (USD). “Ndryshimi i projektit është shoqëruar edhe me efekte financiare, shtesë për secilin lot, gjithashtu edhe me shtyrje të afatit të përfundimit të këtyre punimeve që janë prill 2021. Ndonëse afati i fundit të disbursimit për 2 lotet e para është caktuar data 30 Prill 2021, ARRSH ka kërkuar shtyrje të afatit të punimeve deri më 31 dhjetor 2022”, deklaroi ministrja Balluku gjatës interpelancës për ketë rrugë.

Kostoja e artë e Qukës-Qafë Plloçë

Afatet për përfundimin e rrugës janë shtyrë të paktën 4 herë dhe kostot shtesë në buxhet janë miratuar bërë të paktën dy herë, me rezultat dyfishimin e kostos fillestare të projektit. Deri në fund të dhjetorit 2022, fatura financiare për ndërtimin e dy seksioneve të para llogaritej në vlerën e 168 milionë USD sipas konfirmimit nga menaxhuesve të projekteve në ARRSH. Në total, fatura financiare për ndërtimin e rrugës, duke përfshirë edhe huanë shtesë me vlerë 49 mln USD të Fondit Saudit për Zhvillim ka arritur 217 mln USD.

“Deri tani është realizuar rreth 73% e punimeve të projektit. Segmentet e rrugës të realizuara deri tani me dy shtresa asfaltike, janë, Km 2.9 – Km 10.5 dhe Km 21.8 – Km 33.5. Seksionet e përmendur më sipër janë të aksesueshme. Por këto seksione janë ende në proces kompletimi me gjithë elementët e sigurisë rrugore. Projekti pritet të përfundojë brenda dhjetorit 2024”, theksonte ARRSH më herët në një përgjigje zyrtare për Monitor.al.

Inxhinierët parashikojnë shumëfishim të kostove deri në përfundimin e projektit. “Deri në fund të vitit 2022 kostoja e rrugës arrinte në vlerën e 273 milionë USD. Ky projekt ndërkohë parashikohej të përfundonte me kosto prej 150 USD. Pra deri në fund të 2022-t kostoja është gati dyfish. Deri në përfundimin e saj kostoja do të arrijë në vlerën e 400 milionë USD. Pra pothuajse e katërfishuar nga çfarë u parashikua në fillim”, deklaroi në anonimat për Faktoje një nga inxhinierët e njohur të veprave infrastrukturore.

Projekti i rrugës në letra dhe shifra

Projekti për Qukës – Qafë Plloçë do të ketë gjatësi prej rreth 43.3 km, e ndarë në 3 lote.

Loti I dhe II  (km 2.9–km 33.8) janë mundësuar përmes financimit të Bankës Islamike për Zhvillim,  për Lotin 3 (km 33.8 – km 40.5) nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe për Lotin 0 (km 0.0 – km 2.9) nga Qeveria Shqiptare.

Për nisjen e punimeve në Lotin III, i cili konsiderohet si “Thembra e Akilit” e aksit,  Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi më 19 dhjetor 2022 marrëveshjen e huasë për kredinë me vlerë 49 milionë USD. Para miratimit në seancë plenare të marrëveshjes zv.ministrja e MIE znj. Enkeleda Muçaj deklaroi se afati fundor për mbylljen e punimeve të rrugës ishte brenda vitit 2024.

Rruga në 10 kilometrat e para kalon përgjatë lumit Shkumbin dhe më pas vazhdon në malësinë e Mokrës, zonë me reliev të thepisur  që kërkon një numër të madh muresh mbajtës dhe pritës, mbi 20 ura e viadukte si dhe një tunel 375 metra i gjatë.

Rruga do të ketë gjerësi prej 12 metrash, nga të cilat dy korsi me gjerësi 3.75 m secila, dy bankina të asfaltuara me gjerësi 1.5 m secila dhe 2 bankina të paasfaltuara me gjerësi 1 metër secila. Projekti Qukës – Qafë Plloçë është trumpetuar me të madhe se do të jetë edhe pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian. Por për inxhinierët, rruga konsiderohet tërësisht e padobishme, për t’i shërbyer vijimit të projektit të Korridorit VIII që bashkohet me autostradën që vjen nga Kapshtica, pasi nuk përmban parametrat e një autostrade. Për inxhinierët, rruga Qukës -Qafë Plloçë është vetëm një aks kombëtar, që nuk dihet se kur do të përfundojë, i  pakalueshëm gjatë stinës së dimrit për shkak të ngricave dhe që bëhet pengesë për komunitetin e blegtorëve e fermerëve, të cilët nuk mund të nxjerrin kafshët në një rrugë me trafik automjetesh.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e qeverisë për përfundimin e rrugës në fund të muajit korrik 2025, e vlerësojmë të parealizueshëm dhe të përdorur për propagandë elektorale. Zvarritja e punimeve dhe shumefishimi i kostove, siç argumentojnë ekspertët, mbeten ndër problematikat kryesore për realizmin e këtij projekti. Zvarritja e projektit konsiderohet si “gllabëruese” e parave të buxhetit të shtetit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img