Donald Trump nuk ngriti një kodër për të anashkaluar kufizimet e qytetit të Palm Beach mbi gjatësinë e lejuar të shtizës së flamurit amerikan. Trump vendosi një shtizë të lartë, hodhi qytetin në gjyq pas kërkesave për ta hequr atë duke kërkuar 25 milionë dollarë, dhe si përfundim pranoi të dhuronte 100 mijë dollarë për bamirësi në vend të pagesës së një gjobe 120 mijë dollarë.

————————————-

Ndërsa zgjedhjet presidenciale pritet të mbahen në ShBA në Nëntor të këtij viti, në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon një histori që lëvdon patriotizmin e ish-presidentit amerikan Donald Trump. 

Sipas postimit të mësipërm, “Trump refuzoi të hiqte shtizën 15 metra ku valëvitej flamuri amerikan, megjithëse ligjet vendore e kufizojnë deri në 9 metra lartësinë e shtizës së flamujve. Si pasojë, ai u gjobit 1000 dollarë në ditë, për 120 ditë. Kur gjoba arriti 120 mijë dollarë, Trump pranoi ta zëvendësonte shtizën me një shtizë 9 metërshe nëse këto para do t’i dhuroheshin veteranëve. Më pas, ai punësoi një kompani për të ndërtuar një kodër 6 metra të lartë, mbi të cilën nguli një shtizë 9 metra për të valëvitur flamurin amerikan”.

Faktoje zbuloi se kjo histori përmban disa të vërteta, por gabon në disa pjesë.

Sipas një artikulli të Palm Beach Post nga 2013, Trump u gjobit çdo ditë nga qyteti i Palm Beach, jo West Palm Beach, pasi ngriti një shtizë 24 metra të lartë përpara resortit të tij Mar-a-Lago në 2006.

Vendosja e shtizës ishte bërë pa marrë leje nga bashkia, ndërkohë që lartësia dhe vendndodhja e saj shkelnin parametrat e lejuara nga qyteti. Sipas bashkisë, madhësia e flamurit ishte 15 herë më i madhe seç ishte e lejuar nga rregulloret vendase.

Në Dhjetor 2006, Trump hodhi në gjyq bashkinë duke kërkuar 10 milionë dollarë dëmshpërblim si pasojë e kërkesave të njëpasnjëshme që ai t’i bindej rregullores. Më vonë, dëmshpërblimi i kërkuar nga Trump arriti 25 milionë dollarë. 

Më 6 janar 2007, bashkia nisi ta gjobiste Trump 1250 dollarë në ditë.

Eventualisht, Palm Beach dhe Trump arritën një marrëveshje. Qyteti pranoi të lejonte ngritjen e një shtize 21 metër të lartë në një vendndodhje tjetër. Trump pranoi të dhuronte 100 mijë dollarë bamirësive për veteranët, në vend që të paguante gjobën prej 120 mijë dollarësh.

Faktoje nuk gjeti ndonjë artikull apo lajm që përmend se Trump ndërtoi një kodër 9 metra për të mos prekur flamurin e tij. Shannon Donnelly, reportere për gazetën lokale Palm Beach Daily News, e cila ka mbuluar Mar-a-Lagon për disa vite, konfirmoi për USA Today se nuk ka një kodër të tillë në resort.

Ndërkohë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search Faktoje zbuloi se foto që shoqëron pretendimin nuk tregon pronën e Trump në West Palm Beach, Florida. Ajo është postuar për herë të parë në 2021 në rrjetet sociale të resortit Trump National Golf Club Los Angeles, i cili ndodhet nga ana tjetër e ShBA, në Kaliforni.