Kryebashkiakja e Patosit, zonja Rajmonda Balilaj, gjatë zgjedhjeve të vitit 2019 nuk u kursye per ti premtuar banorëve ndërtimin e qendrës së Kuqarit në Patos. Ky projekt rezulton se nuk është buxhetuar, e deri më tani nuk ka asnjë hap konkret për realizimin e tij.
—
Në 9 qershor të vitit 2019, kryetarja e Bashkisë Patos Rajmonda Balilaj tha se qendra rurale në Kuqar do të niste së shpejti.
Ajo e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook.
Postimi në Facebook i Rajmonda Balilajt
Kuqari është një fshat në Bashkinë e Patosit me rreth 150 familje, që po vuan largimin e banorëve në emigracion apo drejt qyteteve.
Faktoje pyeti Bashkinë e Patosit për këtë premtim dhe ky institucion konfirmoi se punimet nuk kanë nisur ende.
Përgjigja e bashkisë
Faktoje shkoi në fshatin Kuqar dhe pa se projekti për rehabilitimin e qendrës nuk kishte nisur akoma.
“Rruga ashtu ka qenë prej kohësh qëkur. Shkolla është mbyllur se s’ka nxënës, kanë ikur poshtë në qytet. Qendra është siç ka qenë para 30-vitesh”- i tha Faktoje-s Gëzimi, një prej banorëve të Kuqarit.
Qendra e Kuqarit
Shkolla e dikurshme e Kuqarit
Ajo çfarë quhet tani qendra e Kuqarit është thjesht një rrethrrotullim i improvizuar që sillet rreth një shtylle të energjisë elektrike.
Ashtu si edhe në fshatrat përreth, banorët e Kuqarit merren kryesisht me bujqësi, kultivimin e ullirit ose janë naftëtarë.
Faktoje kontrolloi tek buxheti online i Bashkisë Patos nëse ka një projekt për qendrën e Kuqanit dhe kur do të financohet, por nuk gjeti të dhëna.
* Faktoje, e mbeshtetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki ne vend, dhe po verifikon nese jane mbajtur ose jo premtimet e dhena nga kryebashkiaket.