BallinaTë pambajtura“Ping pongu” i bashkisë me FSHZH shtyn pa afat nisjen e rindërtimit të pallateve në Shijak

“Ping pongu” i bashkisë me FSHZH shtyn pa afat nisjen e rindërtimit të pallateve në Shijak

EDIT NIKOLLI

Në Bashkinë Shijak, lagjja Lugina, ku planifikohet rindërtimi i 18 pallateve, ka dështuar dy herë afati për hapjen e themeleve, premtuar nga kryebashkiaku Arbana. Nga verifikimi i Faktoje, rezulton se zvarritja është kthyer në “ping pong” mes bashkisë dhe FSHZH, ku secili ia hedh fajin tjetrit.  Edhe pse në “letra” nuk përcaktohet afat për nisjen e pallateve për shkak të kësaj loje përgjegjësish, kryetari i Bashkisë vazhdon të premtojë afate të reja.


Pasi ka kaluar një vit nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, bashkitë e goditura nga pasojat e tij, dalin me ‘defiçit’ nëse bëjnë bilancin e përmbushjes së premtimeve për rindërtimin.

Në bashkinë Shijak u premtua hapja e themeleve për rindërtimin e pallateve në javën e parë të tetorit,  kurse afati ‘i ri’, pasi dështoi i pari, ishte muaji  nëntor.

Gjatë kësaj kohe, “Faktoje” ka bërë disa verifikime për premtimet e dhëna, përmes vëzhgimit në terren dhe sigurimit të informacionit zyrtar mbi rindërtimin në bashkinë Shijak.

Në fillim të muajit nëntor kur kishte kaluar afati i premtuar nga kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana, burimet zyrtare na konfirmuan se janë gati për procesin e nisjes së ndërtimit.

                                                                  Përgjigje e Bashkisë Shijak 3 nëntor

Më 9 nëntor “Faktoje” shkoi në terren për të verifikuar nëse kishte filluar hapja e themeleve për pallatet. Si fillim shkuam tek lagjja “Lugina” ku janë shembur pallatet e dëmtuara dhe duhej të kishte nisur puna për hapjen e themeleve. Gjatë vëzhgimit mësuam se në këtë territor punohej vetëm për infrastrukturën e brendshme, ndërsa hapja e themeleve nuk kishte nisur, edhe pse kryebashkiaku i Shijakut kishte garantuar nisjen brenda muajit tetor.

                                     Lagjia “Lugina”, vendi ku do rindertohen pallatet e reja 9 nëntor

                                 Lagjia “Lugina”, vendi ku do rindertohen pallatet e reja 9 nëntor

Ne kontaktuam me inspektorin e rrugës i cili na konfirmoi:

“Po punojmë me infrastrukturen e terrenit dhe të rrugës, për sa i përket punimeve nuk e them dot se kur përfundojnë, por që po punojmë dita-ditës”.

Në 20 nëntor Faktoje shkoi sërish në lagjen “Lugina”, pas premtimit të dytë të kryebashkiakut Elton Arbana për nisjen e themeleve brenda nëntorit, por edhe këtë herë situata ishte e njëjtë.

                                           Lagjia “Lugina”, vendi ku do rindertohen pallatet e reja,  20 nëntor

Pas vëzhgimit në terren “Faktoje” shkoi në zyrat e bashkisë Shijak ku takoi  kryebashkiakun, Arbana.  Pyetjes së Faktoje, përse po vonohej hapja e themeleve për pallatet, ai iu përgjigj:

“Për pallatet mund të përgjigjet “Fondi Shqiptar i Zhvillimit’. Ata janë përgjegjësit kryesorë. Kemi pasur vonesa për arsye të kërkesave të shumta të banorëve dhe zhvendosjes së disa shtëpive individuale nga terreni i papërshtatshem dhe duke shtuar numrin e apartamenteve, nga 5 kate që ishin vendosur në fillim, në 7 kate”.

Pas këtij komunikimi ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

                                                  Përgjigje e Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Fondi Shqiptar i Zhvillimit na dha këtë përgjigjen sa i përket afatit për nisjen e procesit të rindërtimit të pallateve në Bashkinë Shijak:

“Plani i pallateve të Bashkisë Shijak është duke u rishikuar, si rezultat i kërkesave të shtuara nga Bashkia. Pasi të merret vendimi i përfunduar i saj, do të përfundojë edhe rishikimi i Planit të detyruar. Në këtë drejtim edhe për çështjen e dytë numri i pallateve nuk është përcaktuar ende përfundimisht.”

Nga komunikimet zyrtare kuptuam se të dy institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit duke shtyrë pa afat hapjen e themeleve për pallatet, teksa banorët që humbën shtëpitë numërojnë ditët e mezi presin të strehohen. Pavarësisht “ping pongut” të përgjegjësive, kryetari i Bashkisë Shijak nuk hezitoi të jepte afatin e radhës për këtë proces gjatë një interviste për Report TV, në 26 nëntor

Brenda javës së parë të muajit dhjetor vazhdon dhe hapja e plateve të këtyre pallateve”. Shtoi më tej kryebashkiaku

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img