BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëPropaganda elektorale me 40 shkollat e reja në Tiranë

Propaganda elektorale me 40 shkollat e reja në Tiranë

Një prej arritjeve që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po promovon në fushatën e zgjedhjeve vendore për mandatin e tij të tretë, është ndërtimi i 40 shkollave gjatë tetë viteve në detyrë. Nga verifikimi i të dhënave rezulton se bashkia ka bërë 12 shkolla të reja dhe rikonstruktuar 9 shkolla ekzistuese me investimet e veta dhe pjesa tjetër, janë shkolla ekzistuese të rikonstruktuara apo të rindërtuara pas tërmetit të viti 2019 me fondet e qeverisë apo donacione. Nga verifikimi në terren rezulton se të paktën 3 prej shkollava janë ende kantier, ndërkohë që mësimi me turne dhe mbulimi i zonave me objekte arsimore sipas planit të territorit, mbeten çështje të pazgjidhura.

I ftuar në emisionin ‘Opinion’ më 27 prill, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se janë bërë 40 shkolla të reja në kryeqytet gjatë dy mandateve në detyrë. Ndërkohë, kryebashkiaku theksoi se Tirana ka nevojë edhe për 10-15 shkolla të reja.

Edhe në 1 maj, Veliaj foli sërish për ndërtimin e shkollave, ku bëri një krahasim edhe me paraaardhësin e tij, zotin Lulzim Basha.

“Është padyshim një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi bërë 40 shkolla. Unë jam gati të jap llogari, siç po jap llogari, pse 40 dhe jo 50 shkolla. Por 40 me 0 është prapë një rezultat mbreslënës”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

Nisur nga rëndësia dhe interesi i madh publik në lidhje me këtë çështje, Faktoje bëri një verifikim të deklaratës për 40 shkollat e reja. Ashtu siç do shpjegohet në vijim, rezulton se kjo shifër përfshin shkolla të reja, shkolla të rindërtuara pas tërmetit të viti 2019 dhe shkolla ekzistuese të rikonstruktuara. Gjithashtu, jo të 40 shkollat janë investim i Bashkisë së Tiranës. Një pjesë e tyre janë financuar nga Fondi i Rindërtimit, disa të tjera janë financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet projektit EU4schools, por ka edhe shkolla të financuara nga Katari.

Gjatë përpunimit të të dhënave të siguruara në rrugë zyrtare, rezulton se shkolla të reja me fonde të bashkisë janë vetëm 12 pra thuajse ¼ e asaj që deklaron Veliaj, 9 të tjera janë shkolla ekzistuese të rikonstruktuara po me fondet e bashkisë, që në rastin më të mirë e çojnë në 21 numrin e objekteve arsimore me investime të saj. Pjesa tjetër janë financimi i qeverisë, si pjesë e fondeve të rindërtimit, dhe financime të huaja (Eu4Schools, Katari, 1 Sllovakia dhe një investim i pjesshëm nga Çekia).

Më poshtë tabela e detajuar për numrin e shkollave të reja dhe ato ekzistuese të rindërtuara me financimin përkatës.

Tabela e përpunuar nga Faktoje

Shkollat e ndërtuara me financim nga Bashkimi Europian në Tiranë janë: “Shkolla 26 nëntori’; ‘Asim Vokshi’; ‘Emin Duraku’; ‘Musine Kokalari’; ‘Myslym Keta’; ‘Xhezmi Dielli’; ‘Ardian Klosi”.

Shkollat në Tiranë, financuar nga EU

Shkollat e ndërtuara me financim nga Katari: “Shkolla 9-vjeçare ‘Jeronim De Rada’; Shkolla 9-vjeçare ‘Lasgush Poradeci’; Shkolla fillore dhe e mesme ’16 Shtatori”.

Verifikimi në terren

Në 40 shkollat e artikuluara si të “bëra“ ka disa të cilat ende nuk janë gati pasi vijojnë punimet. Faktoje bëri një verifikim në terren, për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Në gjimnazin “Partizani”, ku financues është bashkia Tiranë po zhvillohen punime. Në kantier, tabela e punimeve përcakton afatin 12 muaj, por jo datën e nisjes dhe përfundimit të tyre.  

Tabela e punimeve në gjimnazin “Partizani”, 2 maj 2023

Ky objekt nuk kishte përfunduar ende dhe nga verifikimi në terren shihet se ka akoma punë deri në përfundimin e plotë të objektit.

“Ndërtimi i shkollave mendoj se nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje. Fëmijët bëjnë akoma mësim me turne dhe prandaj unë jam detyruar që ta dërgoj fëmijën në shkollë private”, thotë Alba, nënë e dy vajzave.

Punimet në shkollën e mesme “Partizani”, 2 maj 2023

Një tjetër objekt arsimor, që nuk ka përfunduar ende dhe financohet nga Bashkimi Europian është gjimnazi i gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. Punimet kanë filluar në nëntor të vitit 2022 dhe afati i përfundimit të punimeve është 8 muaj.

Gjimnazi ‘Asim Vokshi’, 2 maj 2023

Një tjetër objekt arsimor që ende nuk ka përfunduar është edhe shkolla “Musine Kokalari” në zonën e Kombinatit.  Tabela e punimeve e vënë në hyrje të kantierit tregon qartë se ky objekt financohet nga Bashkimi Europian. “Rindërtimi dhe riparimi i shkollës 9-vjeçare ‘Musine Kokalari’, Tiranë”.

Aty janë të përcaktuara edhe data e nisjes së punimeve 9 shkurt 2023 dhe e përfundimit pas 9 muajsh. Referuar tabelës në hyrje të kantierit, vlera e kontratës është 179,839,899.75 lekë.

Punimet për ndërtimin e shkollës “Musine Kokalari”, Kombinat, 2 mars 2023 

Shkolla të reja, por a mbulohet kërkesa sipas planifikimit të territorit ?

Sipas studimit të fizibilitetit, bazuar në VKM nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit” rrezja e mbulimit me shërbimin parauniversitar në vijë ajrore duhet të jetë: “Për shkollat fillore dhe 9-vjeçare, rrezja e mbulimit në vijë ajrore: 500 – 600 metra në zona urbane; 1000 – 1500 metra në zona urbane

Për shkollat e mesme, rrezja e mbulimit në vijë ajrore: 1000 – 1500 metra në zona urbane; 2000 – 4500 metra në zona rurale”.

Mirëpo, në një artikull të publikuar në mars të këtij viti, Faktoje raportoi se zona e Yzberishtit, sot njësi administrative që numëron të paktën 70 mijë banorë, nuk ka një shkollë në përputhje me këtë rregullore (edhe pse është premtuar gati 8 vjet më parë), çka përbën një shkelje të rregullave të planit urbanisitik.

Përpos kësaj, ndërtimi i objekteve arsimore nuk i ka dhënë fund mësimit me turne, një problem mjaft shqetësues për prindërit dhe nxënësit, të cilin Faktoje e ka raportuar në disa artikuj.

Ne do të kategorizojmë këtë deklaratë të zotit Veliaj gjysmë të vërtetë, pasi një pjesë e 40 shkollave të përmendura nga kryebashkiaku nuk kanë përfunduar ende, ndërsa disa të tjera janë rikonstruksion pas dëmtimit nga tërmeti i 2019-s.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img