BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFushata në Elbasan, dezinformim për të njollosur kandidatin Boçi

Fushata në Elbasan, dezinformim për të njollosur kandidatin Boçi

Gjykata e Elbasanit nuk ka rihapur për gjykim asnjë çështje që lidhet me kandidatin e kolacionit “Bashkë fitojmë”, Luçiano Boçin, siç pretendohet në një artikull të shpërndarë nga mediat online. Faktoje verifikoi këtë informacion, duke iu drejtuar institucioneve zyrtare, por edhe duke pyetur drejtpërdrejt zotin Boçi.

Në 2 maj, në kulmin e fushatës zgjedhore, në katër media lokale në Elbasan u publikua njëherazi një lajm që lidh kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë”, Luçiano Boçin me një aferë korruptive.

3500 euro për një vend pune, emri i Luçiano Boçit në dosjen e prokurorisë”, titullohet shkrimi i portalit “Elbasani News”, që është ndarë në të njëjtin format edhe nga “Elbasani Flash News”, “Egnatia News”,  “Elbasani Plus”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portalet

Artikujt njoftojnë se “Gjykata e Elbasanit ka nisur rigjykimin e dosjes së shtetases Athina Hidri. Ajo u hetua për mashtrim dhe u largua menjëherë nga vendi drejt Greqisë. Në Elbasan, Hidri u dënua nga gjykata në vitin 2015 me 15 muaj burgim nën akuzën e mashtrimit. Gjykata e Lartë vendosi rigjykimin e saj dhe tanimë procesi prej Prillit të këtij viti ka rifilluar në Gjykatën e Elbasanit”.

Sigurisht, fakti që ngjall kureshtje në këtë ngjarje të rreth dhjetë viteve më parë, është lidhja që pretendohet mes të akuzuarës për mashtrim dhe kandidatit Boçi.

…Athina Hidri njihet gjerësisht nga qytetarët e Elbasanit pasi përpara vitit 2013 ajo ishte një ndër personazhet kyçe që merrej me emërimet në administratën publike. Pozitë kjo që sipas burimeve garantohej nga marrëdhënia e veçantë dhe shumë e afërt e saja me deputetin e atëhershëm të Partisë Demokratike Luçiano Boçi”, shkruan portali “Elbasani News”.

Në lidhje me këtë lajm të shpërndarë në mediat online, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Gjykatës së Shkallёs sё Parё të Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan. Zyrtarisht ky institucion sqaroi në përgjigjen e tij të datës 5 maj 2023 se nuk ka një çështje të hapur ndaj shtetases Athina Hidri, ndryshe nga çfarë shkruajnë portalet.

Nё pёrgjigje tё kёrkesёs tuaj, ju vemё nё dijeni se nga kёrkimi ushtruar nё Sistemin e Menaxhimit tё Çёshtjeve Gjyqёsore nё Gjykatёn e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan, nuk rezultojnё çёshtje me palё nё proces shtetasen ATHINA HIDRI”, sqaron zyrtarisht Gjykata e Elbasanit.

Përgjigjia zyrtare për Faktoje, 5 maj 2023

Edhe në kërkimet në arkivat e çështjeve të shqyrtuara nga Gjykata e Lartë, nuk rezulton se dënimi i Athina Hidrit për një çështje minimale mashtrimi të jetë gjykuar deri në shkallën më të lartë të gjyqësorit.

Ne kontaktuam edhe zotin Boçin, i cili theksoi: “Dikush ka mashtruar dikë dhe ka artikuluar emrin tim për të bërë të besueshem mashtrimin”.

Sidoqoftë, vetë zoti Boçi nuk dëshiroi të vinte gishtin më tej se kush qëndron pas rishfaqjes së kësaj ngjarjeje në këto ditë fushate.

Nga verifikimi rezulton se kemi të bëjmë me një lajm dizinformues, të shpërndarë qëllimisht disa ditë para zgjedhjeve të 14 majit, mesa duket me qëllim ‘dëmtimin’ e imazhit të kandidatit Luçiano Boçi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img