BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingPremtime dhe ripremtime që shtrihen në kohë/ Vora dhe Kruja, jashtë afateve të rindërtimit

Premtime dhe ripremtime që shtrihen në kohë/ Vora dhe Kruja, jashtë afateve të rindërtimit

Ina Allkanjari

Dhjetra banorë në Kombinat, Vorë dhë Krujë presin me padurim të kenë një datë të saktë se kur ata dhe familjet e tyre do të futen në banesat e reja. Prej tri vitesh jetojnë me qera dhe në kushte të vështira më shpresën se punimet do të ecin dhe premtimet e qeveritarëve do të mbahen. Por gjithnjë ka një arsye që justifikon vonesat por edhe mungesën e një qartësie se kur ata do të marrin çelësat e shtëpisë në dorë. Procedurat e zgjatura e herë të vonuara, duket se po peshojnë dhe rëndojnë jetën e këtyre qytetarëve që pas tërmetit u përballën me pandeminë, e tanimë edhe me çmimet e rritura si pasojë e luftës.

Para tri vitesh Berti banor në qytetit e Krujës humbi shtëpinë. Ai aktualisht jeton me qera në Krujë sëbashku më dy fëmijët, gruan dhe prindërit.

“ Jemi detyruar të ndahemi në dy shtëpi të ndryshme me qera pasi shtëpitë që arritëm të gjenim ishin të vogla 1+1 dhe nuk mund të jetonim 6 persona. Marrim 200 mijë lekë në total qera për një familje, por ndërkohë paguajmë dy qera. Vështirësi e madhe, me frikë rrimë çdo muaj presim bonusit. Shyqyr ka kaluar. Unë kam pasur një shtëpi 2 katëshe në Krujë, po u bë e pabanueshme nga tërmeti. Më thanë që do të përfitoj grant. Pas shumë procedurash dhe pagesash jam ende në pritje që të përfitoj grantin dhe të bëj shtëpinë”.

Berti është në pritje të grantit, por ai ka dhe një tjetër frikë. Shuma e parave që do të mund të përfitojë nga granti nuk i përgjigjet çmimit të lartë të materialeve të ndërtimit që i duhen për banesën.

Foto 26.05.2022, pallat i dëmtuar nga tërmeti në Krujë, ende nuk është shembur

Në një komunikim me Përgjegjësin për Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun, Xhuliano Kafexhiu, ne kërkuam të mësojmë arsyet e vonesave në procesin e rindërtimit në Krujë.

Xhuliano tregon se bashkia Krujë është një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti në vendi ku përshfihet Thumana, Bubq, Fushë-Krujë dhe Krujë.

“Menjëherë pas tërmetit u realizuan studime ku mund të përcaktoheshin lagjet e reja për të realizuar rindërtimin. Në Fushë-Krujë, Thumanë dhe Bubq u gjetën hapësira kurse për pjesën e Krujës u pa mundësia që të ndërtohej lagja e re. Por për shkak të terrenit malor dhe mungesës së një terreni të përshtatshëm në madhësinë që nevojitej u studiuan 2-3 zona ku mund të ndërtohej. Këto zona ishin shumë jashtë qytetit dhe zona më e prekur sidomos me pallate ishte në zemër të Krujës dhe nuk mund të largonim banorët nga qendra e qytetit dhe të shpopullonim qendrën. Më pas u studiua që do realizojmë pjesën e shembjes vetëm në zonën ku është goditja më e madhe me dëme dhe do vazhdojmë ndërtimin aty ku ishin pallatet më përpara. Kjo mori kohën e vetë, pandemia po ashtu ndikoi në krijimin e vonesave.

Foto 26.05.2022 në qytetin e Krujës, vendi ku po ndërtohen pallatet pjesë e procesit të rindërtimit

Më tej Kafexhiu shprehet se aktualisht ka nisur procesi i rindërtimit të pallateve në Krujë me njësi zbatuese Fondin Shqiptar të Zhvillimit, por kanë hasur probleme me shpronësimet. Kjo pasi sipas tij qytetarët e Krujës kanë pasur shtëpi të vjetra dhe nuk i kanë regjistruar.

“Gjithë procedura e verifiikimit të pronave, kalimit dhe regjistrimit të tyre ka vonuar, për ti dhënë pronarëve dokumentacionin që ti shpronësojmë për efekti të rindërtimit. Ne së shpejti presim një VKM për shembjet e fundit që do bëjmë që janë rreth 4 pallate 2-3 katëshe dhe rreth 3 shtëpi që nuk i shmangim dot pasi janë ngjitur me pallatet që po rindërtohen. Këto do të trajtohen patjetër me ligjin e shpronësimit, pra kemi ndjekur marrëveshjen me të gjithë banorët për ti ofruar metra katror të banesat që po rindërtohen aty ose pagesë dëmshpërblimi me çmimin e referencës që është nxjerrë nga qeveria në bazë të metra katrorëve që ato kanë”.

 

Foto 26.05.2022, pallat i përfshirë në procesin e rindërtimit në Krujë me njësi zbatuese FSHZH


“Po ndërtohen rreth 26 pallate, por për shkak të terrenit të vështirë, ka disa kompozime që disa pallate janë të mëdha në gjatësi dhe mund të jenë 2-3 pallate në 1. Rreth 2-3 pallate aktualisht është mbyllur struktura dhe po punohet me pjesën e mureve. Ndërkohë pjesa tjetër po presim shpronësimet që të vijojmë.
Ndërsa përsa i përket rindërtimit të banesave individuale, shumë banorë kanë kërkuar që ti ndërtojnë shtëpitë aty ku i kanë pasur. Ndaj ne po lidhim kontrata individuale, për të vazhduar me procedurën e përfitimit të granteve. Prej tërmetit me banorët e prekur është lidhur bonusi i qerasë i cili do të vazhdojë deri sa të futen në shtëpitë e reja. Shumica janë sistemuar të familjarët, në shtëpi me qera të gjetura në krujë, fushë-krujë, kamëz, Tiranë, sicili familjar sipas nevojave të tij personale”, tregon Xhuliano.

Vorë
Një tjetër qytet i cili ka shfaqur vonesa në kuadër të procesit të rindërtimit është Vora.

Foto 26.05.2022, pallat i dëmtuar nga tërmeti në Vorë, ende i pa shembur

Mirela, banore në qytetin e Vorës tregon se së bashku me familjen e saj jetonin në një apartament i cili 3 vite më parë u shpall i pabanuar për shkak të tërmetit. Ende sot ajo së bashku me femijët dhe bashkëshortin jetojnë me qera dhe nuk kanë një datë se kur do të futen në banesat e reja.

“Jemi 5 pjesëtar në familje, kishim shtëpinë tonë në pallat dhe nga tërmeti kemi 3 vite që jetojmë me qera. Me vështirësi, hapësira është e ngushtë se aq leke është bonusi nuk marrim dot shtëpi të mëdha. Nuk na kanë dhënë asnjë datë se kur do përfundoj pallati ku do përfitojm ne apartament dhe nuk dim as ku do jetë pallati që do futemi. Të përfundosh pa shtëpi, mos të dish çdo ndodhë, shumë e vështirë është”, tregon Mirela banore e qytetit të vorës, shtëpia e së cilës është dëmtuar nga tërmeti.

Ne vendosëm të shkojmë në bashkinë Vorë për të mësuar se çfarë po ndodhë me procesin e rindërtimit, por përfaqësues të bashkisë na kërkuan të dërgojmë një kërkesë për informacion për të marrë përgjigje mbi këtë problematike.

 

Foto 26.05.2022, pallat në proces rindërtimi në Vorë

Foto 26.05.2022, pallat në proces rindërtimi në Vorë

Nga një vëzhgim në tërren në këtë qytet, evidentohet se procesi i rindërtimit do të vijojë përtej vjeshtës së 2022, kjo pasi përpos disa prej pallatave të cilat janë në rindërtimin e sipër dhe mund të jenë gati për të mirëpritur banorët, evidentuam edhe pallate të cilat ende nuk janë shembur për ti hapur më tej rrugë nisjes së ndërtimit të pallatit të ri.

Foto 26.05.2022, pallat i dëmtuar nga tërmeti në Vorë, ende i pa shembur

Premtimet e zyrtarëve për procesin e rindërtimit, çfarë thotë FSHZH

Në 20 prill të këtij viti, ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj deklaroi se përveç zonës së Kombinatit në kryeqytet dhe disa institucioneve publike, pjesa më e madhe e rindërtimit mbaron në vjeshtë të këtij viti.
“Përveç disa institucioneve publike dhe zonës së Kombinatit, pjesa më e madhe e rindërtimit, kryesisht të banesave individuale dhe pallateve e shkollave mbaron në vjeshtë të këtij viti. Do të vazhdojmë përtej vjeshtës me kombinatin që është në proces, por edhe për shkak të pandemisë dhe të shpronësimeve ka pasur edhe një përparësi momentale shumë intensive, por gjithsesi nuk ka ecur me ritmin e sajteve të tjera.”

Nisur nga kjo deklaratë në datë 29 prill Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Rindërtimit ku ndër të tjera kërkuam të dhëna mbi ecurinë e rindërtimit në bashkitë e prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Në përgjigjen e ardhur nga ky institucion, theksohet:
“Janë rreth 49 mijë përfitues nga Programi i Rindërtimit, te shpallur me vendim të Këshillave Bashkiak deri tani. Rreth 39,000 përfitues nga nën programi “Grante Rikonstruksioni”, financuar nga Buxheti i Shtetit, si dhe rreth 1,800 përfitues nga nën programi “Grante Rindërtimi”, financuar nga Buxheti i Shtetit.
Në Programin e zhvillimit të objekteve të reja në lidhje me rindërtimin e Banesave Individuale (Njësitë Zbatuese dhe Donatorë), është financuar nga Buxheti i Shtetit dhe Donatorët rindërtimi i rreth 2600 banesave Individuale dhe rreth 300 banesa kolektive.
Gjithashtu është financuar nga Buxheti i Shtetit riformimi i rreth 220 Banesave Kolektive dhe Individuale.
Ne lidhje me rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta, janë rreth 2000 banesa kolektive financuar nga Buxheti i Shtetit, nga të cilat kanë përfunduar rreth 550 banesa kolektive dhe pritet të përfundojnë edhe rreth 600 banesa kolektive të tjera”.

Screenshot përgjigja e Ministrisë së Rindërtimit

Faktoje iu drejtua me kërkesë për informacion edhe njësive zbatuese në këtë proces rindërtimi, konkretisht Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkisë Tiranë.

Në përgjigjen e ardhur nga Fondi Shqiptar për Zhvillim theksohet se zona e Vorës dhe Krujës, janë dy zona që mund të vijojnë procesin e rindërtimit jashtë afateve, pra përtej vjeshtës 2022.

“Programi i Rindërtimit është i shpërndarë në 10 Bashki, ku në secilën prej tyre punimet janë në faza të ndryshme. Procesi është kompleks pasi ka ndërthurur punën e disa institucioneve prej Institutit të Ndërtimit e deri tek Njësitë Vendore, këto të fundit aktor kyç në procesin e lirimit të sheshit të ndërtimit dhe zgjidhjes së problematikave me pronësitë, të cilat shpesh krijojnë vonesa në realizimin e grafikut të punimeve dhe përfundimit/dorëzimit brenda afateve të përcaktuara.

Pavarësisht kësaj, procesi po vijon me ritme të mira. Ndërkohë referuar zonës së Vorës dhe Krujës, përsa më sipër sqaruar janë dy zonat për rindërtim që mund të vijojnë përtej Vjeshtë 2022″, thuhet në prgjigjen e FSHZH për Faktoje.

 

Screenshot, përgjigja e Fondit Shqiptar për Zhvillim

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img