BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPortalet viktimë e hackerave iranianë për ministrat në listën e të dyshuarve

Portalet viktimë e hackerave iranianë për ministrat në listën e të dyshuarve

Në fillim të Tetorit kanë qarkulluar lajme nëpër media se një sërë politikanësh shqiptarë, përfshirë këtu Ministren e Marrëdhënieve me Parlamentin Elisa Spiropali, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, dhe deputetja Mimi Kodheli, janë në listën e të dyshuarve të Policisë së Shtetit. Lajmi ka ardhur në vazhdën e publikimit nga grupi i hakerave Homeland Justice të një liste të emërtuar “Të dyshuarit shqiptarë”. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se, megjithëse emrat e mësipërm gjenden në dokumentet e publikuar, nuk ka prova se këto dokumente janë, në fakt, databaza e të dyshuarve nga Policia.

Patris Pustina

Në 3 tetor, grupi i hakerave përgjegjës për sulmin kibernetik të Korrikut 2022, Homeland Justice, publikoi në Telegram një listë emrash, fotosh, dhe informacioni personal të një sërë qytetarëve shqiptarë. 

Pas këtij publikimi, një numër mediash shqiptare nxituan të deklarojnë se zyrtarë të lartë të shtetit dyshohen nga Policia. Disa prej tyre kanë shkuar dhe më tej duke riemërtuar listën si ajo e “të shumëkërkuarve”.

Dosja e publikuar nga hakerat ishte emërtuar “Suspects” (të dyshuar) dhe përmban 49 skedarë me po të njejtin emër. Në fund të secilës faqe, në secilin dokument, lexon “Albanian SUSPECTS” (të dyshuar shqiptarë). 

Screenshot i dosjes së publikuar nga Homeland Justice në kanalin e tyre në Telegram. Teksti lexon: “Pse është siguria e qytetarëve tuaj kurbani për korrupsionin e mbështetësve të terroristëve komunistë (MEK)?”

Screenshot nga një nga dokumentet e botuara nga Homeland Justice brenda dosjes së mësipërme.

Duket se këto dy elemente janë të vetmet ‘prova’ se lista e publikuar nga Homeland Justice është vërtet lista e të dyshuarve të Policisë së Shtetit. 

Eksperti i i Informatikës dhe Teknologjisë së Informacionit, Genti Progni tha për “Faktoje” se “Modeli i publikuar është i përpunuar në design, ndërsa në përmbajtje s’mund të thuhet a është përpunuar apo jo, pa patur informacion për strukturën e databazës reale.”

Në të vërtetë, emërtimi i një dosjeje është diçka që mund ta bëjë kushdo. Njësoj, etiketimi në fund të faqes së një dokumenti mund të shtohet nga kushdo, si dhe të modifikohet nga kushdo.

Me një mjet të thjeshtë të gjetur nga një kërkim online “Faktoje” modifikoi një nga dokumentet e publikuara nga Homeland Justice, siç demonstrohet në videon më poshtë.

Kështu, këto dy ‘prova’ nuk janë mjaftushëm të qëndrueshme për të pohuar se lista e publikuar është vërtet lista e të dyshuarve të Policisë.

Çfarë e vë më tej në dyshim teorinë se kemi të bëjmë me lista të dyshuarish është fakti që në to përfshihen edhe fëmijë. Në faqen 132 të dokumentit emërtuar “SUSPECTS (49)” rezulton një person me datën e lindjes në vitin 2010.

Screenshot nga listat e publikuara nga Homeland Justice, ku përfshihet dhe një individ me datëlindjen 30 dhjetor 2010.

Fakti që këto lista përfshijnë dikë që ende nuk i ka mbushur 12 vjeç duket se rrëzon teorinë se këto lista përmbajnë informacionet e personave të dyshuar nga Policia.

Nga ana tjetër, fakti që në këto lista përfshihen vetëm disa të dhëna bazë për individët, por jo informacion më i detajuar lidhur me statusin e të dyshuarit si vepra penale për të cilën dyshohen, gjithashtu ngjall dyshime.

Për krahasim, në 19 shtator 2022, Homeland Justice publikoi një dokument që pretendonin se përmbante personat e kërkuar nga Policia e Durrësit.

Screenshot nga postimi në Telegram i Homeland Justice

Ky dokument përmbante më shumë të dhëna se lista e pretenduar e të dyshuarve, duke përfshirë organin kërkues, veprën penale, masën e marrë, si dhe të dhëna për përdorim të brendshëm të Policisë si numrin e protokollimit.

Screenshot nga dokumenti i publikuar nga Homeland Justice

Screenshot nga dokumenti i publikuar nga Homeland Justice

Ministrja Spiropali ka reaguar në faqen e saj në Facebook, më 3 tetor, duke dënuar nxitimin e portaleve për të përsëritur akuza të pabaza.

Ndërkohë, Policia e Shtetit është shprehur se të dhënat e publikuara nga Homeland Justice nuk kanë rrjedhur nga sistemi i brendshëm i Policisë MEMEX, por nga sistemi TIMS, i cili u sulmua nga Homeland Justice në shtator të këtij viti. Në 4 tetor, “Faktoje” dërgoi kërkesa për informacion lidhur me përmbajtjen e listave në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, si dhe Agjencislnë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 

Kërkesa për informacion drejtuar Policisë së Shtetit

Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, ende nuk është marrë një përgjigje.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img