BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookRëndimi i shëndetit të Fatos Nanos, një lajm i ricikluar

Rëndimi i shëndetit të Fatos Nanos, një lajm i ricikluar

Një lajm i publikuar së fundmi mbi gjendjen e rënduar shëndetësore të ish-kryeministrit Fatos Nano, nuk është i vërtetë. Faktoje verifikoi se bëhet fjalë për një artikull të ricikluar nga mediat online, ku qëllimi i vetëm është tërheqja e sa më shumë lexuesve me tituj “bombastik” dhe dizinformues.

————————————————————————————————————————

Udhëheqësi historik socialist Fatos Nano vazhdon të gëzojë popullaritet dhe të ngjallë ende interes tek një brez nostalgjik i socialistëve edhe pse është larguar prej vitesh nga jeta aktive politike. Portalet shfrytëzojnë këtë popullaritet të tij për të ricikluar apo krijuar lajme të rreme. I tillë është rasti i lajmit për përkeqësimin e shëndetit t ëish-kryeministrit.

Në dhjetor të vitit 2021, mediat publikuan një artikull mbi rëndimin e shëndetit të ish-kryeministrit Fatos Nano. Mirëpo, ndonëse lajmi është publikuar rreth një vit më parë nga portali ddc24news.com është ripublikuar në faqen e Facebook të kësaj media online edhe në muajin qershor të këtij viti.

Artikulli në fjalë shoqërohet me një titull “bombastik” me qëllim të vetëm tërheqjen e sa më shumë klikimeve. Nëse do të shohim të dhënat, vihet re se lajmi ka arritur të marrë mbi 96 mijë shikime.

Dhimbje Shumë E Madhe: Sapo Morëm Lajmin e Hidhur Për Liderin Historik Të Shqipërisë ish Kryeministrin Fatos Nano…” shkruan portali.

Screenshot lajmi i shpërndarë në mediat online

Por, si është e vërteta në lidhje me shëndetin e zotit Nano? “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të lajmit, në mënyrë që të informojmë në mënyrë korrekte lexuesit.

Gjatë një kërkimi në Google rezulton se ish-lideri socialist ka shfaqur probleme me shëndetin në muajin maj 2021 dhe asokohe mediat kanë publikuar edhe video të tij në një prej spitaleve në Tiranë. Por, në artikullin e portalit ddc24news.com të publikuar në dhjetor thuhet se Nano ka “shfaqur sot” probleme me shëndetin, duke dizinformuar audiencën.

Në periudha të ndryshme kohore lajmi është shpërndarë edhe në disa faqe të tjera si: infospostmedia.com në mars të vitit 2022 apo edhe në faqen ë Facebook-ut të Lajme Flash më 5 shtator.

Në shtator të këtij viti, ish-kryeministri Fatos Nano festoi 70-vjetorin e lindjes dhe në fotot e publikuara nga festa shihej që gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë. Nga interesimi pranë ish-bashkëpunëtorëve të z.Nano, mësuam gjithashtu se nuk ka pasur ndonjë përkeqësim të gjendjes shëndetësore të tij gjatë ditëve të fundit.

Vendosja e ngjarjeve në një kontekst tjetër kohor, është një nga mënyrat më të përhapura të dizinformimit të audiencës, ndaj lexuesit duhet të tregohen vigjilentë ndaj portaleve që servin këto lloj informacionesh.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img