BallinaPertejPeshkimi në Shqipëri, i prapambetur edhe pas heqjes së akcizës së naftës

Peshkimi në Shqipëri, i prapambetur edhe pas heqjes së akcizës së naftës

Sektori i peshkimit nuk mund të konsiderohet në ditët e tij më të mira dhe produktive edhe pas heqjes së akcizës së naftës. Edhe pse ky hap ka qenë një përkrahje për operatorët e licensuar, peshkimi po has vështirësi që nisin nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar, deri tek mungesat logjistike që mund të penalizojnë të ardhmen e eksporteve të produkteve të detit, për shkak të mospërmbushjes së standardeve.

 

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, vitin e kaluar, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 15.011 tonë nga 14.875 tonë që ishte në vitin 2018, duke shënuar një rritje me vetëm 0,91 %.

Në vitin 2019, rezultojnë 651 subjekte të licencuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit, ose 19 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë (2018-n).

Vitin e kaluar, porti me numrin më të madh të anijeve të licencuara pwr peshkim është ai i Durrësit, me 37,33 % të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka 30,41 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga ai i Sarandës me 15,82 %.

Çfarë i shqetëson peshkatarët

D.Z, që punon prej 7 vitesh në sektorin e peshkimit, kryesisht në detin Adriatik tha për Faktoje se has disa probleme.

Një nga problemet kryesore është punësimi. Ne detyrohemi të marrim forcë të huaj punëtore si psh. nga Egjipti apo vende të tjera, sepse nuk ka forcë të tillë të kualifikuar në Shqipëri. Subvencione kam marrë nëpërmjet AZHBR, por nuk mjaftojnë, duhet të ndihmohet sektori më shumë. Një problem tjetër janë portet e peshkimit që nuk i plotësojnë standardet”- tha ai.

Megjithatë ai pranon se heqja e akcizës së naftës për peshkimin ka sjellë një lloj ndihme për të personalisht, por edhe për konkurrentët e tij megjithëse sipas tij nuk mjafton.

Importi dhe eksporti i produkteve të detit

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka rritur importin e peshkut dhe kafshëve guackore të nënujshme me pothuaj dyfish, nëse e krahasojmë me vitin 2015.

Ndërkohë edhe eksportet shqiptare të produkteve të peshkut kanë shënuar rritje, nëse i referohemi treguesve në pesë vitet e fundit. Megjithatë shifrat e vitit 2019 flasin për një ulje të vogël të eksportit.

Nëse krahasojmë importet me eksportet e këtyre produkteve, të parat shënojnë shifra më të larta.

Ku po çalon sektori i peshkimit, sipas KLSH

Në fillim të vitit 2020 Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport për sektorin e peshkimit, ku paraqiste shumë kritika për mënyrën e funksionimit të tij.

Sipas KLSH, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka hartuar dhe miratuar një sërë aktesh nënligjore, duke dështuar në plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës.

Bashkëpunimi jo i mirë midis ministrisë dhe institucionit në varësi të saj DSHPA-së dhe komunikimi i dobët midis strukturave të ministrisë, sipas KLSH janë tregues direkt të menaxhimit jo efektiv të veprimtarisë së peshkimit dhe akuakulturës.

KLSH raportoi po ashtu se anijet e peshkimit kryejnë aktivitet në mungesë të pajisjes përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik, kjo në kundërshtim me Ligjin nr. 64/2012 “Për peshkimin”, i ndryshuar. Si rezultat është e pamundur të kryhet vëzhgimi i aktivitetit të anijeve të peshkimit. Mungesa e sistemit të sinjalizimit satelitor rrezikon të mbyllë eksportet e peshkut për Shqipërinë, duke e klasifikuar aktivitetin e peshkimit si të paligjshëm, të paregjistruar dhe të parregulluar.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi po ashtu se aktiviteti i peshkimit dhe akuakulturës nuk monitorohet me inspektim dhe kontroll, si rezultat Inspektorët e Peshkimit nuk mund të kontrollonjë peshkimin e paligjshëm. Ky organizëm nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme dhe mjete logjistike të përshtatshme e bashkëkohore për të inspektuar të gjithë vijën bregdetare që ka vendi ynë.

“Portet e peshkimit të vendit tonë menaxhohen në mënyrë jo efektive dhe kanë probleme të dukshme në infrastrukturë. Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitetet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit. Të gjitha portet e peshkimit kanë probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike”- thuhej ndër të tjera në raport.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img