BallinaFaktometerE PavërtetëPeleshi: Ndalojmë pesticidet që dëmtojnë kolonitë e bletëve

Peleshi: Ndalojmë pesticidet që dëmtojnë kolonitë e bletëve

INVA HASANALIAJ

Sipas një vlerësimi të publikuar në vitin 2018 nga vlerësuesit shkencorë të rrezikut të Bashkimit Evropian, disa nga insekticidet më të përdorura në botë, përfshirë edhe disa të përdorura në vendin tonë paraqesin një rrezik serioz për bletët.

Bëhet fjalë për pesticidet neonicotinoid të cilat pak muaj më parë Franca i hoqi nga përdorimi. Të njëjtën gjë bëri edhe shteti shqiptar, ose të paktën tentoi të bënte në maj të vitit të kaluar, kur u mor edhe vendimi për të hequr nga tregu apo nga qarkullimi disa lloje pesticidesh.

Ish ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi në një takim me bletarë nga Lezha bëri të njohur urdhrin për ndalimin e disa pesticideve ku përfshiheshin: Fenazaquin, Bifenthrin, Neonicotinidet: Clothianidin, Thiamethoxam dhe Imidacloprid.

“Ne ndalojmë përdorimin e këtyre 6 lëndëve vepruese, sipas studimeve të Bashkimit Evropian e të Komisionit Evropian pasi mendohet se janë dëmtuesit kryesorë të bletëve. Siç e thashë dhe siç e dini më mirë se unë, ky është shqetësim jo vetëm shqiptar, është mbarëbotëror.” u shpreh Peleshi.

Në takimin e mbajtur në Lezhë me bletarë nga e gjithë Shqipëria, ai firmosi urdhrin që ndalonte futjen e këtyre pesticideve në vendin tonë. Por çfarë është bërë një vit më vonë që pas firmosjes së këtij urdhëri?

Zyrtarisht edhe pas një nisme të tillë, tre prej pesticideve të listuara nga vetë ministri vazhdojnë të importohen dhe tregtohen rregullisht në Republikën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për Neonicotinidet: Clothianidin, Thiamethoxam dhe Imidacloprid.

Përmes një kërkese zyrtare për informim “Faktoje” i kërkoi institucionit të ministrisë së Bujqësisë listën e PMB-ve (Pesticideve) të regjistruara për t’u importuar dhe tregtuar në vendin tonë për vitin 2019.

Pasi kontrolluam listën mes pesticideve të tjera gjetëm edhe tre prej pesticideve për të cilat ishte firmosur një urdhër ndalimi për tregtimit të tyre.

Duke qenë se lista është e gjatë, ne filtruam të dhënat për të identifikuar pesticidet që duheshin ndaluar. Përkatësisht bëhet fjalë për: Actra 25 WG, Confidor SL 200, Confidor WG 70, Dantop 50 WG, Imidamex 70 WG, Mallet 20 Sl, Mido 20, Nuprid supreme SC, Midas, Pulsar 209 Sl.

Ne shkuam në disa prej farmacive bujqësore në qytetin e Tiranës dhe mësuam se mund t’i sigurojmë lehtësisht këto pesticide, pavarësisht vendimit për të mos lejuar hyrjen e tyre në treg.

Faktoje udhëtoi në disa qytete të Shqipërisë dhe fillimisht drejt Kukësit për të kontaktuar personalisht me bletarët dhe për të mësuar se çfarë mendojnë në lidhje me këtë nismë të ministrisë dhe zbatimin e saj. Ramadan Tërshalla ishte bletari i pari i cili na tregoi se përdorimi i pesticideve (të ndaluara) është një proces që vazhdon edhe pse shumë mund ta dinë se janë të dëmshme për bletët. Më tej ai shtoi se vetë përdor ato të cilat janë më organike, por në zonën përreth nuk ndodh e njëjta gjë me fermerët e tjerë.

Takimi i radhës ishte me sekretarin e “Shoqatës së bletarëve të Kukësit” Bledar Zhubi i cili tregoi se nisma nuk është zbatuar dhe kjo vjen jo vetëm si pasojë e neglizhencës së institucioneve, por edhe si pasojë e mosinformimit të masës së fermerëve.

“Janë marrë masa por jo aq sa duhet, edhe masa e njerëzve që përdorin pesticide nuk kanë marrë informacionin e duhur në lidhje me atë çfarë shkaktojnë pesticidet”- tha Zhubi.

Më tej ai shtoi se shoqata e tyre bashkëpunon me shoqatën e bletarëve të Podujevës ku vlente të theksohej shembulli i tyre. Sipas Zhubit në rastin e tyre bletarët lajmëroheshin një javë më parë përsa i përket periudhës së dezinfektimit, gjë që në vendin tonë nuk bëhet.

Një urdhëresë e nënshkruar nga vetë ish-ministri me shumë bindje dhe nën sytë e mediave dhe qytetarëve fatkeqësisht nuk është zbatuar. Sigurisht që nuk mund të ndodhë përsa kohë ministria e Bujqësisë vazhdon ende të tregëtojë këto pesticide në rrugën më ligjore të mundshme.

Nisur nga deklarata që ministri ka dhënë dhe ajo çfarë “Faktoje” gjeti në terren, deklaratën e ish-ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ndalimin e disa pesticideve, do ta kategorizojmë GËNJESHTËR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img