BallinaPertejPandemia rriti borxhin publik, por fondet nuk u përdorën për shëndetësinë

Pandemia rriti borxhin publik, por fondet nuk u përdorën për shëndetësinë

 

AURORA SULÇE

 

Në vitin e dytë të pandemisë, pavarësisht ndryshimeve në buxhet me qëllim përballimin e pasojave shëndetësore të Covid-19 dhe rritjes së borxhit publik, rezulton se shpenzimet nuk po shkojnë në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj popullatës. Sipas një raporti të Together For Life, nga totali i fondeve prej 143 milionë euro vitin e kaluar, vetëm 19% u përdor për financimin e nevojave shëndetësore që krijoi pandemia, ndërsa 110 milionë euro shkuan për financimin e paketave financiare. Në planifikimin e projekt buxhetit 2022 dhe Programit Buxhetor Afatmesëm 2021-2023, shëndetësia rezulton me një ulje të fondeve buxhetore rreth 0.76 për qind të totalit.


Aurora Sulçe

Pandemia e COVID 19 vendosi nën presion buxhetet e të gjitha vendeve të botës. Një emergjencë shëndetësore që kërkoi fonde të konsiderueshme për t’u përballuar, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe atë ekonomik. Rritja e deficitit dhe borxhit publik ishte politika që ndoqën thuajse të gjitha vendet, pas thirrjes së Bashkimit Europian se ruajtja e vendeve të punës dhe mosfalimentimi i biznesit ishin më thelbësore se ruajtja e çdo tavani buxhetor.

Shqipëria, gjithashtu mori borxh për të përballuar krizën e COVID 19. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të 2020-s, borxhi publik arriti në 77.8%, duke pësuar një rritje prej 11.6% kundrejt një viti më parë.

“Ndërsa, rritja e borxhit publik është një efekt i detyruar prej situatës së shkaktuar nga pandemia, vlen të përmendet fakti se ritmet e rritjes së borxhit publik deri në vitin 2017 ishin mbi nivelin e 70% të PBB-së dhe në vitin 2019 ato arritën sa 66.2% të PBB-së. Ndërkohë në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, stoku i borxhit publik është sa 75.67 % e PBB, me tendencë për të arritur në nivelin 80% të PBB-së deri në fund të Dhjetorit të këtij viti. E gjithë kjo panoramë na tregon se ka pak hapësirë për një rritje të mundësive për të marrë borxhe të reja”- shprehet Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Por rritja e nivelit të borxhit në periudhë krize nuk është një dukuri tipike shqiptare. 4 nga 6 vendet e Ballkanit Perendimor e kanë rritur këtë tregues, për shkak të nevojës për përballimin e efekteve të pandemisë. Megjithatë rritja në këto vende ka qenë më e moderuar. Në Bosnjë-Hercegovinë, niveli i borxhit publik në vitin 2019 ishte sa 34.5% e PBB-së dhe në fund të vitit 2020 arriti në nivelin e 38.8% e PBB-së. Në Kosovë, niveli i borxhit publik në 2019 ishte sa 17.6% e PBB-së dhe në vitin 2020 arriti sa 22.4% e PBB-së. Në Maqedoninë e Veriut, niveli i borxhit publik në vitin 2019 ishte sa 49.4% e PBB-së dhe në fund të vitit 2020 arriti sa 60.2% e PBB-së. Ndërsa në Serbi, niveli i borxhit publik në vitin 2019 ishte sa 52.7% e PBB-së dhe në vitin 2020 arriti në nivelin e 57.8% të PBB-së.

Për çfarë morëm borxh dhe ku u përdorën paratë?

Për të përballuar pandeminë, qeveria shqiptare akordoi një shumë prej 16.5 miliardë lekë, ekuivalente kjo me 143 milionë euro. Pjesa dërrmuese e këtij fondi shkoi për financimin e dy paketave të ndihmës, pasi vendi hyri në karantinë.

Raporti i Monitorimit të Buxhetit të Shtetit për Shëndetësinë, hartuar nga “Together for Life” me mbështetjen e  Fondacionit Ëestminster konstatoi se nga totali i fondeve prej 143 milionë euro, vetëm 24 milionë euro ose 19% u përdorën për financimin e nevojave shëndetësore që krijoi pandemia, ndërsa 110 milionë euro shkuan për financimin e paketave, në përpjekje për të mbështetur ekonominë në periudhë krize.

“Për periudhën shtator – dhjetor 2020, që përkon me ashpërsimin e valës së parë të pandemisë, shpenzimet faktike për shëndetësinë, përfshirë fondet për Mbrojtjen Sociale, u rritën me 14% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Por këto shpenzime nuk janë të lidhura direkt me shpenzimet shëndetësore, por janë pagesa që u bëhen familjeve në nevojë”- shprehet Egla Bardhi, drejtore Ekzekutive e “Together For Life”.

“Është e dukshme që rritja e shpenzimeve buxhetore dhe borxhit publik, me qëllimin kryesor luftimin e pasojave të pandemisë në ekonomi dhe shëndetin e popullatës, nuk u shfrytëzua për të alokuar më shumë fonde për të përballuar pasojat që pandemia solli në shëndetin e njerëzve”- deklaron Bardhi.

Në periudhën e karantinës (mars-maj 2020) qeveria shqiptare akordoi dy paketa të ndihmës ekonomike. Ato parashikonin dhënien e pagave të luftës për të gjithë ata që humbën vendet e punës, dyfishim të ndihmës ekonomike dhe garanci sovrane për bizneset që donin të merrnin kredi në bankë për të kapërcyer vështirësitë e shkaktuara nga situata me koronavirusin.

A është shëndetësia një sektor prioritar?

Të gjitha qeveritë pas viteve ’90 e kanë konsideruar shëndetësinë një sektor prioritar. Si e tillë, shëndetësia duhet të kishte më shumë financime sesa sektorët e tjerë. Por të dhënat tregojnë një tjetër realitet. Madje, edhe në këtë periudhë të pandemisë së COVID 19. Në qershor të këtij viti, qeveria rishikoi buxhetin, nisur nga një performancë e mirë e të ardhurave, që reflektoi edhe rimëkëmbjen e ekonomisë pas recesionit të fortë të vitit që lamë pas. Sipas raportit të Monitorimit të Buxhetit të Shtetit për Shëndetësinë, shpenzimet buxhetore në total u rritën me 17 miliardë lekë ose 138 milionë euro. Por kjo rritje nuk u reflektua tek fondet për Ministrinë e Shëndetësisë, përkundrazi, asaj iu dhanë më pak para se ato të planifikuara në buxhetin fillestar. Kështu, fondet totale për këtë dikaster arritën në 70.4 miliardë lekë  (572 milionë euro) nga 71.4 miliardë (580 milionë euro) që ishin, duke pësuar një rënie prej 1.4%.

“Për vitin 2021, ndonëse vala pandemike ishte shumë e fortë në muajt e parë të vitit dhe vendi ka hyrë në një periudhë të re me raste të rritura të raportuara me COVID-19, shpenzimet e planifikuara për shëndetësisë janë 6.6% e totalit, me rënie prej 0.6 pikë përqindje në krahasim me vitin 2020, për shkak të rritjes shumë më të lartë të shpenzimeve totale, në raport me ato për shëndetësinë”- argumenton Egla Bardhi, drejtore Ekzekutive e Together For Life.

Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se nga pikëpamja financiare, shëndetësia nuk është prioritet, pavarësisht deklaratave politike. Pasi sektori është i nënfinancuar dhe parashikohet të jepen më pak fonde edhe në të ardhmen. Kjo bazuar në Programin Buxhetor Afatmesëm 2021-2023, publikuar nga Ministria e Financave.

“Në planifikimin e projekt buxhetit për vitin 2022, si dhe nga të dhëna nga Programi Buxhetor Afatmesëm 2021-2023 duket se shëndetësia do të jetë me një ulje të fondeve buxhetore në përgjithësi, ku nga niveli sa 4.14% e PBB-së në vitin 2020, në vitin 2022 parashihet të shkojë në nivelin e 3.38% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, me një ulje prej 0.76 për qind të fondeve buxhetore gjithsej. Natyrshëm, që nisur edhe nga niveli i fondeve është orientuar edhe hartimi i programit qeverisës 2021-2025, ku shëndetësia synon të konsolidohet në drejtim të rritjes së pagës për mjekët dhe infermierët, përmbylljen e disa investimeve të infrastrukturës shëndetesore, si dhe  mbulimin universal shëndetësor” – shprehet Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Në programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, qeveria Rama 3 ka premtuar rritje me 40% të pagave të mjekëve. Një masë pozitive që padyshim shkon në ndihmë të  stafit mjekësor, por që nuk e bën shëndetësinë prioritet, në kushtet kur ka ende probleme me shërbimin, funksionimin e aparaturave dhe mbi të gjitha, kur pandemisë nuk i dihet fundit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img