BallinaPertejNjë letër nga Britania për të mos u hedhur në “koshin e plehrave” të Ksamilit

Një letër nga Britania për të mos u hedhur në “koshin e plehrave” të Ksamilit

MERXHAN DACI

Soraldos nuk i erdhi aspak mirë vitin e shkuar kur një familje britanikësh para se të largohej nga hoteli i tij me përshtypjet e përgjithshme më të mira për Ksamilin i lanë një letër ku shkruhej: “Ju lutem shpenzoni pak para për pastrimin e mbeturinave”.

————————————————————————————————————————————————————-

Ksamili është një nga zonat më të frekuentuara të rivierës shqiptare. Mediat ndërkombëtare e kanë konsideruar atë si Karaibet e Europës. Megjithatë duket se kjo nuk e ka mobilizuar mjaftueshëm pushtetin vendor për menaxhimin e mbetjeve në qytezën jugore, pjesë e Bashkisë Sarandë që po tërheq gjithmonë e më shumë të huaj.

Qytetarë të Ksamilit janë ankuar shpeshherë në redaksinë e “Faktoje” për situatën problematike të mbeturinave që nuk pastrohen teksa sezoni turistik ka nisur.

Soraldo Nebo, banor i Ksamilit, njëkohësisht drejtues i organizatës “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” tha për “Faktoje” se Ksamili ka dështuar me menaxhimin e mbetjeve urbane.

Mbeturinat në qytezë pastrohen vetëm kur koshat mbushen plot apo kur derdhen nga sasia e tepërt. Si rregull kompania duhet t’i pastrojë çdo ditë, por ata vijnë vetëm një herë në javë”, tregoi Nebo për “Faktoje” duke shtuar se volumi i mbetjeve rritet disafish në kulmin e sezonit veror.

Por ai shton se në këtë histori, “kontributin” e tyre e kanë edhe banorët të cilët nuk janë të gjithë të ndërgjegjësuar për hedhjen e mbeturinave në vendin e duhur.

Kjo është një nga  fotot që tregon mbi situatën e mbetjeve në një prej zonave më të frekuentuara të Ksamilit.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Ksamil, nëpërmjet organizatës që drejton Soraldo, bashkë me disa të rinj i kanë kërkuar Bashkisë Sarandë dhe kompanisë së pastrimit “Korsel” që ta shohin me prioritet problematikën e mbetjeve në qytezë por sipas tyre, nga ana e pushtetit vendor dhe kompanisë ka pasur shumë fjalë dhe pak vepra.

Soraldo tregoi për “Faktoje” se në shkurt të këtij viti i ka paraqitur Bashkisë Sarandë një projekt për pastrimin në mënyrë më eficiente, por projekti me të cilin bashkia kishte rënë dakord mbeti në letër dhe e ka lënë pa zgjidhje çështjen e mbetjeve në qytezën turistike të Ksamilit.

Xhuliano Hamzaj, një i ri nga Ksamili, shumë popullor në rrjetet sociale me faqet e tij promovuese të qytezës, thotë se duhet të ketë më shumë kosha për mbeturina dhe se ato duhen pastruar më shpesh.

Dihet që ka problem me mbeturinat, sepse nuk ka shumë vende të përcaktuara. Ato që janë, janë shumë pak. Duhen akoma më shumë kosha duke marrë parasysh sa shumë mbeturina mblidhen në muajt e sezonit turistik”, tha ai për “Faktoje”.

Ndërkohë Franck Egly, një turist francez që frekuenton rregullisht prej vitesh Ksamilin bashkë me familjen e tij të vogël, thotë se kanë rënë në dashuri me këtë qytezë.

Zakonisht ne vijmë në fund të qershorit dhe nuk ka shumë turistë. Mendoj se situata me mbetjet është pak më mirë se para pesë vitesh kur erdhëm për herë të parë. Më kujtohet një episod që një person gjithmonë mblidhte kanaçe alumini dhe mbeturinat i hidhte jashtë koshave. Ajo ishte një bombë mjedisore”, kujton ai për “Faktoje”.

Por nuk kam qenë ndonjëherë në gusht në Ksamil, mendoj se në atë periudhë duhet të jetë edhe më problematike”, shton ai.

Miliona lekë për (mos) pastrimin

Kështu shkruhej në relacionin e buxhetit të vitit 2017 të Bashkisë Sarandë e cila vlerësonte prioritar pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.

Edhe pse dy vitet e fundit në faqen e internetit të Bashkisë Sarandë mungojnë të dhënat për buxhetin e saj vjetor, “Faktoje” arriti t’i sigurojë ato pasi i drejtoi institucionit përkatës një kërkese për informacion. Sipas statistikave zyrtare, për vitin 2019 Bashkia e Sarandës ka një buxhet prej 92 milionë lekësh për pastrimin.

Edhe pse nga viti 2017 deri në 2019-n buxheti për pastrimin ka ardhur në rritje, duket se kjo nuk ka ndikuar në përmirësimin e situatës së mbetjeve në Ksamil.

Megjithatë Bashkia Sarandë pretendon se e ka kryer mirë detyrën.

Po, pastrimi është efikas, pasi politikat e bashkisë janë për ta mbuluar të gjithë territorin e saj administrativ me këtë shërbim, gjë që është realizuar” tha Bashkia Sarandë në përgjigjen e saj.

Sipas bashkisë, gjatë periudhës qershor-shtator mbetjet mblidhen dy herë në 24 orë, kundrejt një herë në 24 orë në periudhën tetor-maj.

Edhe pse kompetenca e menaxhimit të mbetjeve është e bashkisë, “Faktoje” pyeti edhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për situatën për menaxhimin e mbetjeve.

Ministria u shpreh se pastrimi është përgjegjësi e njësive të qeverisjes vendore, në këtë rast bashkisë.

Por sa kanë ndikuar nismat kombëtare të ministrisë për pastrimin  e territorit në Ksamil?

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se në bashkëpunim me Prefektin, Njësitë e Pushtetit Vendor dhe institucionet në varësi janë marrë nisma në pastrimin  e zonave në nivel edhe rajonal, për mbetjet të hedhura në zona të papërshtatshme.

Por situata në realitet rezulton të jetë ndryshe.

Banorët ankohen se koshat nuk pastrohen shpesh aq sa për të përballuar fluksin e madh të pushuesve që qyteza e Ksamilit tërheq në tre muajt e verës.

Ishujt e Ksamilit dhe plehrat në mes të detit

Ishujt e Ksamilit, ligjërisht zonë e mbrojtur, janë prej kohësh të ndotur me mbetje prej fluksit të madh të vizitorëve.

Pyetur nga “Faktoje” nëse është në dijeni për situatën me mbetjet në Ishujt e Ksamilit dhe nëse ka marrë ndonjë masë, Ministria Turizmit dhe Mjedisit tha se situata nuk është problematike.

Nga informacionet që kemi për në këtë zonë nuk paraqet problematikë pasi monitorohet edhe nga institucionet tona të varësisë Agjencia Kombëtëre të Zonave të Mbrojtura”, tha MTM.

Nisur nga denoncimet e banorëve, një nga zonat që e vuan më së shumti situatën me mbetjet janë pikërisht ishujt. Duke qenë se ato janë zonë e mbrojtur me ligj, “Faktoje” iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

AKZM tha se vëmendja dhe dyndja e turistëve në këto zona sjell pasoja të rënda në mjedis.

“Kjo situatë shkaktohet si nga sjellja e papërgjegjshme e vizitorëve por edhe nga ndotja e  zonës detare përreth. Stafi ynë ka zhvilluar disa aktivitete pastrimi para dhe pas sezonit, duke përfshirë edhe nxënës të shkollave të zonës, me qëllim ndërgjegjësues, por kjo nuk ka sjellë një zgjidhje përfundimtare dhe problemi i mbetjeve, vazhdon të përkeqësohet, tha AKZM duke shtuar se menaxhimi i mbetjeve është detyrë e Njësisë së qeverisjes vendore.

Edhe projekti i iniciuar nga qeveria “Të pastrojmë Shqipërinë” nuk e ndihmoi Ksamilin të përmirësojë situatën nga mbetjet.

Turistët e parë kanë filluar të frekuentojnë qytezën e bukur jugore, ndërsa banorët druhen se numri i lartë i tyre do ta bëjë edhe më të papërballueshëm menaxhimin e mbetjeve. Kjo do të thotë sipas tyre imazh më i keq për Ksamilin, i cili mbetet kartolina përfaqësuese e turizmit shqiptar kudo në botë me ishujt dhe plazhet.

E që interesi i madh i të huajve të mos kthehet ne bumerang për Ksamilin dhe Shqipërinë, banorët kërkojnë më shumë se kurrë vëmendjen e autoriteteve para se ndotja të kthehet në një dëm të pariparueshëm.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img