BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMontana nuk ka ndaluar dhurimin e gjakut nga personat e vaksinuar

Montana nuk ka ndaluar dhurimin e gjakut nga personat e vaksinuar

Shteti i Montanës në SHBA nuk e ka ndaluar dhurimin e gjakut për personat e vaksinuar, siç pretendohet në disa postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se bëhet fjalë thjesht për një projektligj të prezantuar nga një senator republikan.

Në një postim të shpërndarë në Facebook më 18 mars, përdorues të këtij rrjeti social pretendojnë se shteti i Montanës ka ndaluar personat e vaksinuar që të dhurojnë gjak.

Personalisht mendoj se sasia e gjakut të dhuruar ka rënë drastikisht, pasi personat që kanë bërë gjilpërën me helm nuk mund të dhurojnë më gjak pasi është i kontaminuar. Shteti i Montanës në SHBA e ka ndaluar me ligj dhurimin e gjakut nga persona të vraksinuar me K19”, shkruan një përdorues i rrjeteve sociale.

Screenshot, lajmi i shpërndarë në Facebook

Por, si qëndron e vërteta e këtij postimi? “Faktoje” bëri një verifikim të tij, duke iu referuar informacioneve zyrtare të publikuara në mediat e huaja. Sipas këtyre të dhënave rezulton se në fakt ky është një projektligj i prezantuar nga senatori amerikan, Greg Kmetz. Ai kërkon të ndalohet që të dhurojë gjak, kushdo që është vaksinuar kundër Covid-19. Mirëpo ky propozim ligjor personal, nuk është vënë në zbatim, siç pretendohet në rrjetet sociale.

Ekspertët kanë argumentuar se gjaku i grumbulluar është i sigurt. “Gjaku ynë është i sigurt,” -u tha ligjvënësve Vicky Byrd, CEO i Shoqatës së Infermierëve në Montana. Më tej ekspertët ngrenë shqetësimin se një projektligj i tillë do të kriminalizonte aktin e përpjekjes për të dhuruar gjak në mënyrë vullnetare.

Në lidhje me pretendimet e uljes së sasisë të dhurimeve të gjakut, Kryqi i Kuq sqaron për mediat e huaja: “Dhurimet e gjakut nga individë që kanë marrë një vaksinë COVID-19 të miratuar ose të autorizuar për përdorim në SHBA janë të sigurta për transfuzion.

Ashtu si vaksinat e tjera si ato për fruthin, shytat ose gripin, vaksinat COVID-19 janë krijuar për të gjeneruar një përgjigje imune, me qëllim mbrojtjen e një individi nga sëmundja, por vetë përbërësit e vaksinës nuk riprodhohen përmes transfuzionit të gjakut ose nuk ndryshojnë ADN-në e marrësit të gjakut. Nuk ka asnjë provë shkencore që tregon rezultate negative nga transfuzionet e produkteve të gjakut të mbledhura nga donatorët e vaksinuar dhe për rrjedhojë, nuk ka asnjë arsye mjekësore për të dalluar ose ndarë dhurimet e gjakut nga individët që kanë marrë një vaksinë kundër COVID-19”. Të njëjtën argumentime të provuara shkencërisht janë publikuar edhe nga të gjitha organizmat serioze shëndetësore në botë.

Duke qenë se pjesa më e madhe e popullsisë së botës rezulton të jetë vaksinuar kundër Covid-19, dhurimi i gjakut nga personat e vaksinuar është normalisht më i lartë në sasi se ai nga personat që janë treguar skeptikë për të ndërmarrë një hap të tillë. Është e logjikshme që sasitë e gjakut nga personat e vaksinuar do të jenë në rritje me kalimin e viteve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img