BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBankat amerikane të falimentuara nuk kishin të njëjtin drejtues

Bankat amerikane të falimentuara nuk kishin të njëjtin drejtues

Banka amerikane që falimentoi së fundi, “Sillicon Valley” nuk drejtohej nga i njëjti financier që shkatërroi bankën “Lehman Brothers” në vitin 2008. Verifikimet tregojnë se lidhja mes dy institucioneve financiare nuk qëndron duke hedhur poshtë teorinë e riformatimit të qëllimshëm të sistemit financiar.

Pas falimentimit të Silicon Valley Bank,një institucion bankar tregtar në Kaliforni, në rrjete sociale filloi të shpërndahej një informacion ku thuhej se “shefi ekzekutiv i Bankës Silicon Valley, Joseph Gentile, ishte ish-drejtori kryesor financiar i Lehman Brothers”. Lehman Brothers është banka amerikane e investimeve e përfshirë në vitin 2008 në dështimin më të madh në historinë e fundit të SHBA-ve.

Zanafilla e këtij pretendimi është një postim i 12 marsit në Instagram, i cili tregon një fotografi profili të financierit amerikan Joseph Gentile me këtë mbishkrim: “Ju nuk mund ta shpikni këtë, Zyrtari Kryesor Administrativ i Bankave të Silicon Valley ishte CFO i Lehman Brothers kur u rrëzua”. Postimi gjeneroi mbi 11,000 pëlqime në më pak se një javë. Po ashtu, postime të ngjashme kanë grumbulluar qindra ndërveprime në Instagram dhe Twitter duke i bërë jehonë idesë se falimentimi i dy bankave amerikane është një veprim i qëllimshëm dhe i organizuar nga grupe të caktuara financiare.

Këtë qasje të një organizimi të qëllimshëm ka ndarë edhe një profil shqiptar në Facebook, ndërkohë që falimentimin e bankës amerikane e krahason me firmat piramidale të 1997 në Shqipëri, duke shkruar: “Joseph Gentile është Zyrtari Kryesor Administrativ në Silicon Valley Bank Securities. Përpara se t’i bashkohej firmës në vitin 2007, z.Gentile shërbeu si CFO për Bankën Globale të Investimeve të Lehman Brothers. Me siguri si ky tip ka edhe të tjerë që po punojnë për ‘riformatimin’ e sistemit financiar. Vras mendjen pse më vjen parasysh gjithmonë Sudja e 1997”

Por nga verifikimet rezulton se lajmi është i rremë. Kolegët tanë të Facta dhe USA Today kanë konstatuar se Joseph Gentile nuk ka ndonjë rol në bankën në krizë.

Sipas një njoftimi për shtyp, Gentile nuk ka qenë kurrë një ekzekutiv në bankën Silicon Valley. Edhe faqja e internetit të Bankës së Silicon Valley nuk liston ndonjë zyrtar kryesor administrativ.

E vërteta është se Gentile punon si zyrtari kryesor administrativ i SVB Securities, një filial i pavarur bankar i SVB Financial Group, sipas një njoftimi për shtyp.

SVB Securities është një ent i veçantë dhe i pavarur nga Banka Silicon Valley, pra banka tregtare që u mbyll ditët e fundit dhe është pjesë e të njëjtit grup, Svbfg.

Është e rëndësishme të saktësohet se në kohën e falimentimit të Lehman Brothers, Gentile nuk dukej se mbulonte ndonjë rol menaxherial brenda saj. Në fakt, siç thuhet në një deklaratë për shtyp nga SVB Securities të publikuar më 13 mars 2023, ai ishte drejtor financiar i një divizioni specifik të Lehman Brothers për gjashtë muaj, një rol i ndryshëm (dhe më i ulët) nga ai i shefit financiar të gjithë kompanisë.

Për më tepër, Gentile punoi në atë institucion bankar deri në janar 2007. Lehman Brothers paraqiti kërkesën për falimentim në shtator 2008, më shumë se një vit e gjysmë më vonë. Gjatë krizës financiare të bankës, nga fundi i vitit 2007 deri në mesin e vitit 2008, shefi financiar ishte një menaxher i quajtur Erin Callan.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img