BallinaAktualitetMjeku onkolog: Mamografia, ekzaminimi që shpëton jetë

Mjeku onkolog: Mamografia, ekzaminimi që shpëton jetë

Në një intervistë për Faktoje, mjeku onkolog pranë Shërbimit të Onkologjisë Paliative në Tiranë, Henrik Zotaj tregon rëndësinë e mamografisë në depistimin e kancerit të gjirit.

1.Doktor, jemi në ditët e fundit të tetorit roze, ç’mendim keni në lidhje me fushatat sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese në këtë muaj?

Ajo që unë mendoj është se sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave në 10-vjeçarin e fundit në lidhje me zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit ka dhënë rezultate mjaft të mira. Mjafton të shikoni një statistikë: rastet me kancer gjiri të avancuar në shërbimin e onkologjise paliative, Tiranë në vitet e fundit, nga 2020 deri ne 2023, kanë ardhur në rënie.

Viti 2020- 66 raste

Viti 2021 – 54 raste

Viti 2022- 49 raste

Viti 2023- 36 raste

Kjo rënie e të sëmurëve me kancer gjiri të avancuar, ka ardhur për shkak se kjo sëmundje ka filluar të kapet në stade më të hershme dhe një ndër faktorët e rëndësishëm që kjo sëmundje të kapet shpejt është ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për të kryer kontrolle periodike.

2. Sa e rëndësishme është mamografia për depistimin e kancerit të gjirit dhe kur rekomandohet ajo?

Mamografia luan një rol shumë të rëndësishëm në depistimin e kancerit të gjirit. Ky ekzaminim nëpërmjet kësaj pajisjeje mund të zbuloje kancerin e gjirit, përpara se sa ne, të zbulojmë simptoma (shenja) ose anomali të tjera në gjirin e një gruaje ose vajze. Në punën e përditshme të stafeve mjekësore, mamografia rekomandohet kryesisht për dy arsye: E para për kontrolle rutinë, për screening etj dhe e dyta për qëllime diagnostike.

Mamografia në rastet e kontrollit rutinë kryhet kryesisht tek popullata e shëndoshë, rekomandohet për kontrolle rutinë, screening kontrolle periodike për gratë në risk etj. Qëllimi i këtyre kontrolleve është të zbulojë kancerin përpara shfaqjes së dukshme të shenjave klinike, atë që ne e konsiderojmë si zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit. E dyta është mamografia për qellime diagnostike. Mamografia diagnostike rekomandohet, për të ekzaminimuar simptoma (shenja) të dyshimta të gjirit në rastet kur janë të pranishme një ose disa simptomat të tilla si: Prezenca e një mase ne gji, prezenca e një nodusi ose gungë në gji. Prezenca e një dhimbjeje të herë pas hershme të gjirit. Ndryshime të strukturës dhe arkitekturës së gjirit. Ndryshime të struktures dhe ngjyrës së lëkurës. Rrjedhje të gjirit, tërheqje nga brenda e thithave të gjirit. Majisje, asimetri e gjinjeve. etj

3.Në çfare moshe rekomandohet kryerja e mamografisë dhe sa është saktësia e këtij ekzaminimi?

Ekzaminimin me mamografi duhet ta kryejnë kryesisht të gjitha gratë dhe vajzat e moshës mbi 40 vjeçe. Saktësia e mamografisë në zbulimin e kancerit të gjirit është në masën rreth 90%. Në disa gra ose vajza ku dendësia e gjirit është e lartë, kryesisht te gratë në moshë të re, përdoret dhe ekografia e gjirit, Në të njëjtën kohë ekografia e gjirit përdoret për ekzaminime rutinë për gratë dhe vajzat nën moshën 40 vjece. Ndërkohë, te femrat te të cilat janë prezentë faktorët e rrezikut të shfaqjes së kancerit të gjirit, mamografia rekomandohet edhe para moshës 40 vjeçe.

4.Për sa i përket periudhes kohore, njëherë në sa kohë duhet të kryhet mamografia?

Mamografia rekomandohet në moshat mbi 40 vjeç dhe do duhej të përsëritet çdo 2 vjet. Ndërkohë te femrat te të cilat janë prezentë faktorët e riskut të shfaqjes së kancerit të gjirit, mamografia rekomandohet cdo vit.

 5.Cili është qëllimi dhe çfarë arrihet të depistohet nëpërmjet mamografisë?

Qëllimi i këtyre kontrolleve është të zbulojë kancerin përpara shfaqjes së dukshme të shenjave klinike, madje rreth një ose dy vite para shfaqjes së këtyre shenjave. Ekzaminimi me mamografi është nje lloj ekzaminimi që përdor rrezatimin X për vlerësimin e strukturës dhe përmbajtjes së gjirit, duke zbuluar masa karakteristike, noduse, ciste, mikrokalçifikime tumore beninje..etj, që në pothuajse të gjitha rastet janë të trajtueshme dhe të parrezikshme për jetën por, në disa raste, mund të zbulojë edhe tumore malinje (kancerin e gjirit). Ndaj dhe ne të gjithë bashkë duhet të ndërgjegjësojmë dhe sensibilizojmë të gjitha gratë dhe vajzat për kontrolle çdo dy vjet ose çdo vit sipas rasteve, me qëllim kapjen në kohë të kësaj sëmundjeje.

6.A keni informacione nëse mamografia është e ndaluar në ndonjë vend të Europës ose më gjerë, pasi pretendohet se paraqet rreziqe?

Jo, aspak. Mamografia si pajisje për ekzaminimin e gjirit nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin. Mamografia ju ekspozon ndaj rrezatimit X me dozë të ulët, Duhet theksuar që pasojat dhe rreziqet që vijnë nga kjo sasi rrezatimi janë të papërfillshme dhe nuk sjellin asnjë pasojë për shëndetin e grave dhe vajzave. Ndërkohë që për shumicën e njerëzve përfitimet nga ekzaminimet me mamografi janë shumë të rëndësishme për shëndetin e tyre. Europa dhe më gjerë, jo vetem nuk e ka ndaluar mamografite tradicionale dy dimensionale por, po kalon me shpejtësi në një pajisje tre dimensionale të mamografisë dixhitale me tomosintezë. Kjo është një pajisje që siguron imazhe dy dhe tre dimensionale me dozë të ulët rrezatimi, që kap imazhe në ato zona dhe regjione ku mamografia tradicionale dydimensionale nuk e arrin.

7.Përveç mamografisë, çfarë do ju keshilloni grave dhe vajzave në ditët e fundit të këtij muaji?

Ajo që unë mund t’u rekomandoj është: E para, vetëkontrolli i gjirit çdo muaj. Vetëkontrolli është një proces i thjeshte, por shumë i rëndësishëm për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. E dyta, vizitat klinike periodike çdo vit tek mjeku i familjes ose një mjek specialist. E treta, kryerjen e ekzaminimit te mamografise çdo dy vjet dhe për gratë në risk që kanë ose kanë pasur familjarë të tyre me këtë semundje, mamografia do kryer çdo vit. E katërta, sensibilizimi, vlen dhe për politikbërësit. Do duhej me prioritet të rritet numri i ketyre pajisjeve/mamografive, në poliklinka specialitetesh, në spitalet obstetrike- gjinekoligjike, spitalet rajonale dhe pranë shërbimeve të Onkologjisë. Vetëm kështu ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi do e kishte efektin dhe rezultatin e plotë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img