BallinaAktualitetViti i dytë i aksionit të shembjeve, në çelje të sezonit turistik

Viti i dytë i aksionit të shembjeve, në çelje të sezonit turistik

Prej datës 7 qershor ka nisur aksioni i njoftuar mediatikisht nga kryeministri Rama për shembjen e objekteve pa leje përgjatë vijës bregdetare, nga Velipoja në Ksamil. Ministria e Brendshme refuzoi t’i jepte Faktojes të dhënat e planit operacional, me argumentin se ishin konfdenciale. Nga verifikimi në terren rezulton se aksionet për shembjen po zhvillohen paralelisht në Velipojë e Ksamil, ndërkohë që ka nisur edhe sezoni turistik dhe kanë mbërritur pushuesit e parë.


Me 1 qershor Kryeministri Rama së bashku me Ministrin e Brendshëm Çuçi, Policinë e Shtetit dhe Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, lajmëruan nisjen e aksionit “Bregdeti ynë”. Aksioni konsistote në shembjen e objekteve pa leje përgjatë vijës bregdetare, nga Velipoja në Ksamil.

“Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur, deri në goditjen e fundit. Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit Bregdeti Ynë, do të jetë shumë vonë për ju.” – shkruante në rrjetin e tij social, kryeministri Rama.

Faktoje në po atë ditë, iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Brendshmë dhe IKMT, të cilat i pyeti për numrin total të ndërtesave pa leje që janë planifikuar të shemben, në cilat bashki dhe nëse këto të fundit janë vënë në dijeni për planin.

                      Kërkesë për Informacion drejtuar Ministrisë së Brendshmë, 1 qershor 2021

Ministria e Brendshme në përgjigjen që na ktheu, jep këtë informacion:

“Plani operacional për identifikimin dhe planifikimin e prishjeve të ndërtimeve pa leje, për muajin Qershor përmban të dhëna konfidenciale, të cilat nuk mund të vihen në dispozicion të publikut.

Zonat ku janë evidentuar ndërtimet pa leje janë përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga Velipoja deri në Ksamil.

Operacioni “Bregdeti Ynë” synon pastrimin e bregdetit dhe territorit, e çuarjen para ligjit të gjithë shkelësve, duke koordinuar veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe autoritetet vendore.

Bashkive dhe Prefektëve u është drejtuar Ministri i Brendshëm me shkresë nr. prot. 2427/3, datë 27.05.2021. Gjithashtu janë njoftuar gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Konsultativ Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Vendore, datë 20.05.2021, bashkëdrejtuar nga Zv.ministrja e Brendshme dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë.

Veprimet janë të koordinuara me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Prefektët dhe autoritetet vendore.

Aksioni i muajit Qershor do të ketë në fokus ndërtime apo struktura në ndërtim.

Interesi primar është nxitja e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe në fushën e turizmit, mbi bazë të konkurrencës së drejtë e të barabartë, duke dekurajuar dhe parandaluar paligjshmërinë”.

Ndërsa IKMT dha këtë përgjigje:

“Do të viheni në dijeni live në ditët në vazhdim me aksionin IKMT”

                     Përgjigje e Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, 3 qershor 2021

Më 8 qershor Faktoje shkoi në Velipojë, zonë në administrimin e Bashkisë Shkodër për të verifikuar sesi si po shkonte procesi i shembjes së ndërtimeve pa leje.

Përfaqesuesit e IKMT në terren konfirmuan se po vijonin në ditën e dytë të aksionit. Ata ishin njoftuar për shembjen e 15 objekteve, nga të cilat 6 në ditën e parë të operacionit, kryesisht ndërtesa dykatëshe.

                             Aksioni i IKMT për shembjen e objekteve pa leje, Velipojë, 8 qershor 2021

                              Aksioni i IKMT për shembjen e objekteve pa leje, Velipojë, 8 qershor 2021

                             Aksioni i IKMT për shembjen e objekteve pa leje, Velipojë, 8 qershor 2021

Faktoje pyeti edhe banorët të cilët u prekën nga ky aksion I IKMT -së.

“Kjo tokë është e imja, e trasheguar brez pas brezi dhe është në oborrin tim, ne kishim ndërtuar për femijët tanë shtëpi të vogla njëkatëshë, i kam bërë me mundim. E përjetova shumë keq lajmin se do na e shembnin, dje pasditë kanë ardhur dhe e kanë shembur!”-u shpreh për Faktoje, A.K banor në Velipojë.

Një tjetër qyterar thotë për Faktoje:

“Është një moment i papërshtatshëm, kanë ardhur turistët nga Kosova dhe më gjerë dhe po kalojnë ditët e tyre të pushimit, nuk ka kuptim ky aksion nga qeveria”.

                           Aksioni i IKMT për shembjen e objekteve pa leje, Velipojë, 8 qershor 2021

                           Aksioni i IKMT për shembjen e objekteve pa leje, Velipojë, 8 qershor 2021

Faktoje shkoi dhe në Bashkinë Shkodër ku pyeti nëse ishin njoftuar për shembjet, ashtu siç konfirmoi Ministria e Brendshme.

                                                                  Bashkia Shkodër, 8 qershor 2021

Burime nga Bashkia Shkodër na konfirmuan se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar për aksionin, ai është marrë vesh nga mediat. Në total janë 28 objekte, beton arme, të cilat janë në procedurë për t’u shembur. 15 prej tyre raportohet se janë ndërtuar gjatë fushatës elektorale. Monitorimi bëhet nga IMT.

                                      Aksioni i IKMT për shembjen e objekteve pa leje, Ksamil 2021

Aksioni i për prishjen e ndërtimeve pa leje ka vijuar paralelisht edhe në plazhin e Ksamilit. Mjetet e rënda të IKMT-së kanë shembur deri më tani një pjesë nga 30 ndërtime të planifikura që ndodhen në zonën e bregdetit dhe që janë nga 1 deri në 5 kate. Kryesisht struktura beton-arme.

Edhe vitin e kaluar Faktoje raportoi përmes disa artikujve për shembjen e ndërtimeve  pikërisht në sezonin turistik, një aksion i kontestuar edhe nga kryetarët e disa bashkive.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img