BallinaFaktometerE vërtetëRritja e pensioneve nga 2013 ka ndodhur, por sa është ndier?

Rritja e pensioneve nga 2013 ka ndodhur, por sa është ndier?

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pensionet janë rritur me 8.2% në krahasim më vitin 2013. Bazuar në të dhënat e INSTAT, kjo deklaratë është e vërtetë. Pensioni mesatar në qytet është rritur me 2.178 lekë në muaj dhe pensioni mesatar në fshat është rritur me 1700 lekë në muaj. Të dhënat tregojnë se në qytetet rritja e pensioneve ka qenë mbi inflacionin (1.77%), por jo sa dyfishi i tij, ndërsa në fshat kjo rritje rezulton të jetë sa dyfishi i inflacionit.


Në mars 2017, kryeministri Rama me anë të një postimi deklaroi:

“Falë reformave për të bërë shtet sot të gjithë gjyshet dhe gjyshërit, si në qytet ashtu edhe në fshatmarrin një pension 8.2% më të lartë se në 2013. Shumë më shumë mbetet ende për të bërë dhe do të bëhet se s’bën”

Sipas të dhënave nga INSTAT, pensioni mesatar mujor në qytet është rritur nga 14,076 lekë në muaj në 2013 në 15,527 lekë në muaj në 2017, ose një rritje rreth 10%. Ndërsa pensioni mesatar mujor në fshat është rritur nga 7,465 lekë në muaj në 2013 në 8,808 lekë në muaj në 2017, ose një rritje rreth 18%.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama sipas të dhënave të Instat rezulton të jetë e vërtetë.

Por ne kemi analizuar rritjen e pensioneve jo vetëm në vlerë nominale, por edhe reale (fuqinë blerëse), nga viti 2013 në 2019. 

Sipas të dhënave nga INSTAT, pensioni mesatar mujor në qytet është rritur nga 14,076 lekë në muaj në 2013 në 16,254 lekë në muaj në 2019. Ndërsa pensioni mesatar mujor në fshat është rritur nga 7,465 lekë në muaj në 2013 në 9,165 lekë në muaj në 2019.

Pensioni i Qytetit – Rritja Nominale

Gjatë 6 viteve të fundit, siç do të shpjegojmë në vijim, pensioni mesatar mujor në qytet është rritur me 2,178 lekë, ose 15.5%. Pensioni mujor i qytetit është rritur mesatarisht me 363 lek nga viti në vit, ose një rritje një herë në vit me mesatarisht 2.4% çdo vit.

Pra, një pensionisti të qytetit i janë rritur të ardhurat me mesatarisht 4,356 lekë nga viti në vit. Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale që ka përfituar nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 86,122 lekë.

Pensioni i Fshatit – Rritja Nominale

Siç mund të shihet nga dy grafikët më poshtë, pensioni mesatar mujor në fshat është rritur me 1,700 lekë, ose 22.8%, gjatë periudhës 6-vjeçare. Pensioni mujor i fshatit është rritur mesatarisht me 283 lek nga viti në vit, ose një rritje një herë në vit me mesatarisht 3.5% cdo vit.

Për një vit, një pensionti të fshatit i janë rritur të ardhurat me mesatarisht 3,400 lekë. Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale që ka përfituar nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 80,232 lekë.

Por nga ana tjetër edhe çmimet janë shtrenjtuar nga viti në vit, fenomen që njihet ndryshe me termin inflacioni i çmimeve. Pra, me lekët e djeshme sot mund të blesh më pak. Duke konsideruar edhe rritjen vjetore të çmimeve ose inflacionit, kemi llogaritur rritjen reale te pensioneve nga viti 2013 në 2019, duke përdorur çmimet konstante të 2015-s.

A janë rritur pensionet gjatë kësaj periudhe më shumë apo me pak se ç’janë rritur çmimet? A mund të blejnë pensionistët më shumë produkte e shërbime?

Pensioni i Qytetit – Rritja Reale

Nga ilustrimi grafik më poshtë, tregohet se pensioni mesatar mujor në qytet është rritur realisht (i zhveshur nga kompensimi për rritjen e çmimeve) me 638 lekë, ose 4.4%, gjatë periudhës 6 vjeçare. Pensioni mujor i qytetit ka një rritje reale mesatarisht me 106 lek nga viti në vit, ose një rritje reale mesatarisht nga viti në vit me 0.72%.

Për një vit, një pensionti të qytetit i janë rritur realisht të ardhurat (pra çfarë mund të blejë më shumë me çmimet e 2015) me mesatarisht 1,275 lekë nga viti në vit. Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale reale që ka përfituar (çfarë mund të blejë shtesë me cmimet e 2015) nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 23,283 lekë. Pra me gjithë shtesat nga pensioni gjatë 6 viteve mund të blejë një celular shtesë që e ka patur çmimin 23,283 lekë në vitin 2015.

Pensioni i Fshatit – Rritja Reale

Me ilustrimin grafik më poshtë, pensioni mesatar mujor në fshat është rritur realisht (i zhveshur nga kompensimi për rritjen e cmimeve) me 848 lekë, ose 11%, gjatë periudhës 6-vjeçare. Pensioni mujor i fshatit ka një rritje reale mesatarisht me 141 lek nga viti në vit, ose një rritje reale mesatarisht nga viti në vit me 1.77%.

Për 1 vit, një pensionti të fshatit i janë rritur realisht të ardhurat (çfarë mund të blejë më shumë me çmimet e 2015) me mesatarisht 1,696 lekë nga viti në vit. Në 6 vite të marra së bashku, shtesa totale reale që ka përfituar (çfarë mund të blejë shtesë me cmimet e 2015) nga rritja e pensioneve mund të llogaritet në vlerë totale 45,969 lekë. Pra me gjithë shtesat nga pensioni gjatë 6 viteve mund të blejë një televizor shtesë që e ka patur cmimin 45,969 lekë në vitin 2015.

Nga kjo analizë kuptojmë që rritja e pensioneve në qytet ka qenë mesatarisht mbi inflacionin (inflacioni mesatar 1.7%) gjatë këtyre viteve, por jo sa dyfishi i tij. Rritja mesatare nominale ka qenë 2.4% në vit. Rritja mesatare reale e pensioneve të qytetit ka qenë 0.72% në vit. Ndërsa rritja mesatare reale e ekonomisë gjatë viteve 2014-2019 ka qenë mesatarisht 2.9%.

Pra rritja e pensioneve në fshat ka qenë mesatarisht mbi inflacionin (inflacioni mesatar 1.7%) gjatë këtyre viteve dhe afërsisht sa dyfishi i tij. Rritja mesatare nominale ka qenë 3.5% në vit. Rritja mesatare reale e pensioneve të fshatit ka qenë 1.77% në vit. Ndërsa rritja mesatare reale e ekonomisë gjatë viteve 2014-2019 ka qenë mesatarisht 2.9%.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img