BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëMisioni i pamundur për lirimin e trotuarëve në Shkodër

Misioni i pamundur për lirimin e trotuarëve në Shkodër

Një muaj pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci lajmëroi aksionin për lirimin e hapësirave publike në Shkodër. Pjesë e aksionit ishte heqja e dhjetëra shitësve ambulantë në sheshin “Hafiz Sabri Koçi” në lagjen Rus. Verifikimet e Faktoje tregojnë se edhe këtë herë, aksioni për lirimi e trotuarëve pranë tregut në Rus rezultoi mision i pamundur.

Esmeralda Topi 

Lirimi i hapësirave publike në kryeqendrën e veriut, Shkodër, është një nga premtimet më të shpeshta të kryebashkiakëve të këtij qyteti.  Edhe kryetari i sapozgjedhur socialist Benet Beci e nisi detyrën me aksione kundër lirimit të hapësirave publike. 

“Sot në Rus, në sheshin ” Hafiz Sabri Koçi”. Për shitësit ambulantë janë sistemuar vendet përkatëse brenda tregut dhe ditët në vijim do të kryhet regjistrimi i tyre sipas rregullave, ndërsa trotuaret u janë kthyer qytetarëve., shkruante Beci më 15 korrik të këtij viti, pak javë pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut. 

Beci e shoqëronte edhe me pamje filmike aksionin për lirimin e trotuarëve nga shitësit ambulantë në Rus.

Aksioni i radhës për lirimin e hapësirave, pa rezultat

Nisur nga impakti i madh që ka zaptimi i hapësirave publike në jetën e qytetarëve të Shkodrës, Faktoje vendosi të verifikojë premtimin e Kryetarit Benet Beci. 

Ne u rikthyem në sheshin “Hafiz Sabri Koçi“ katër muaj pas aksionit për lirimin e hapësirave. 

Në zonën pranë tregut të lagjes Rus gjatë verifikimit të 13 nëntorit hasëm dhjetëra shitës ambulantë nëpër trotuare. 

Edhe këtë herë, aksioni për lirimin e hapësirave rezultoi mision i pamundur. 

“Unë nuk dal çdo ditë, prandaj nuk jam zhvendosur brenda në treg. Kur kam ndonjë produkt dal e shes këtu”, u shpreh një shitëse ambulante që kishte zënë vend në trotuarin pranë tregut të lagjes Rus. 

Kontrollet do të vazhdojnë

Për Bashkinë e Shkodrës, misioni për lirimin e hapësirave publike konsiderohet  i mundur madje sqaron zyrtarisht për Faktoje se ato janë të vazhdueshme, sikurse edhe ndëshkimet:

“Bashkia Shkodër ka krijuar grupe pune mes përgjegjësve për tregjet, policisë bashkiake, administratorëve të rajoneve që po identifikojnë hapësira të mundshme për t’i kthyer në tregje në shërbim të komunitetit, njëkohësisht po kryhen kontrolle të vazhdueshme në hapësirat publike.”

Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Bashkia thotë se në Shkodër është bërë kulturë pandëshkueshmëria, por institucionet përgjegjëse do të vijojnë gjobat për shkelësit.

“Janë ndërmarrë çdo muaj masa ndëshkimore nga ana e Policisë Bashkiake në këtë drejtim për kundërvajtësit. Problematika e mbartur gjatë dhjetëra viteve, duke lejuar dhe mos ndëshkuar shkelësit në drejtim të zënies së hapësirave publike ka sjellë keqedukimin e qytetarëve duke u krijuar idenë se zënia e hapësirave publike nuk ndëshkohet.”- Bashkia Shkodër.

Në tregun Rus janë krijuar hapësira të përkohshme për rreth 27 tregtarë ambulantë që ndër vite janë lejuar të shesin në trotuarët përreth zonës. Por sërish, dhjetëra të tjerë i gjen duke tregtuar dhe bllokuar hapësirat publike dedikuar kalimtarëve, pranë tregut.

Përfundim 

Zaptimi i hapësirave publike në Shkodër ka është një problematikë e ndjekur në vazhdimësi nga Faktoje. Edhe në verifikimet e mëparshme, aksionet e bujshme për lirimin e hapësirave në kryeqendrën e veriut kanë dështuar rrugës. 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për lirimin e hapësirave publike në Rus, e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img