BallinaPertejMinoritetet lexojnë me dy standarte ligjin për toponimet

Minoritetet lexojnë me dy standarte ligjin për toponimet

JURGEN BAME

Të shtunën e kaluar u hoqën tabelat orientuese të vendosura në Bashkinë e Finiqit, duke shkaktuar debate në politikën e vendit dhe përtej kufirit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hequr rreth 35 tabela në Finiq, të cilat përcaktonin toponimet e fshatrave me renditje në gjuhën greke të parën dhe në gjuhën shqipe të dytën.

Popullsia që në shumicën dërmuese i përket minoritetit grek dhe flet greqisht, u indinjua por kjo ngjarje tregoi se banorët nuk kanë shumë informacion për ligjin e pakicave kombëtare që përcakton rregullat në përdorimin e gjuhës.

Sipas ligjit 97/2017 për “ MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” thuhet:

 “Personat që u përkasin pakicave kombëtare kanë të drejtë të përdorin, krahas gjuhës shqipe, gjuhën e pakicës kombëtare që banojnë tradicionalisht ose përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë së kësaj njësie’’.

Kreu i bashkisë së Finiqit, Leonidha Kristo shprehet se nuk ka patur asgjë tendencioze në vendosjen e tabelave në gjuhën greke duke argumentuar se ligji për minoritetet lë vend për interpretime dhe ka paqartësi mbi renditjen e gjuhëve apo mbi standardin teknik të tabelave.

Nga ana tjetër Kryeministri Rama u shpreh se tabelat janë hequr për t’u rivendosur përsëri, si për të qetësuar acarimin që ishte më i theksuar te organizata OMONIA sesa mes vetë komunitetit minoritar.

“Tabelat nuk u hoqën sepse kishte lidhje me minoritetin, por sepse ishin jashtë kritereve teknike dhe jashtë parametrave të sigurisë”-tha Rama.

Por si zbatohet i njëjti ligj në zonat e tjera me pakica kombëtare në Shqipëri dhe a e kanë lexuar njëlloj si kryetari i bashkisë së Finiqit?

“Faktoje” bëri një vëzhgim në Bashkinë Pustec e cila ndryshe nga Bashkia Finiq, banohet 100% nga pakica maqedonase.

Në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit midis institucionit të Prefektit të Qarkut Korçë dhe Bashkisë Pustec nënshkruar më datë 15.11.2005, këto dy institucione janë angazhuar që emërtimet tradicionale vendore, emrat e rrugëve, shesheve dhe treguesve të tjerë topografikë për publikun, përveç emërtimeve në gjuhën shqipe të bëhen edhe në gjuhën maqedonase në respekt të ligjit.

Nga verifikimi i “Faktoje” duket qartë se ligji është respektuar sic është shkruar në bashkinë Pustec, pra fillimisht gjuha shqipe e më pas vendoset shkrimi në gjuhën amtare të minoritetit maqedonas.

E njëjta gjë ndodh edhe në bashkinë e dytë në Shqipëri të përbërë nga minoriteti grek, ajo e Dropullit ku vendosja e tabelave është bërë sipas ligjit dhe rregullave të Kodit Rrugor shqiptar.

Ndryshon situata me minoritetin grek në Finiq, ku indinjata e banorëve për heqjen e tabelave pasoi me deklarata të ashpra të OMONIA-s duke e konsideruar respektimin e ligjit shqiptar një akt vandal.

Pas organizatës OMONIA, kryetari I PBDNJ, Vangjel Dule e konsideroi veprimin e ARRSH-së si një akt vandal.

Dëshirojmë edhe njëherë të shprehim indinjatën tonë dhe të dënojmë me forcë aktin vandal të heqjes së tabelave dy gjuheshe në Bashkine Finiq”, deklaroi Dule në deklaratën e tij për shtyp pas heqjes së tabelave.

Qeveria njoftoi se tabelat e reja do të jenë në përputhje të plotë me standardet e sigurisë percaktuar në Kodin Rrugor dhe vendosja e plotë e tyre do të përfundojë ditën e premte.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img