BallinaAktualitetMbijetesa e një pensionisti, që përpiqet t’ia dalë me art

Mbijetesa e një pensionisti, që përpiqet t’ia dalë me art

Si mbijeton një pensionist sot në Durrës, kur çmimet e ushqimeve bazë vazhdojnë të shtrenjtohen. Faktoje ju njeh me historinë e një 72 vjeçari, i cili pavarësisht moshës, përpiqet të nxjerrë të ardhura duke krijuar anije në miniaturë. Por as arti i tij, nuk po i jep mundësinë të sigurojë jetesën, ndaj edhe ai është një ndër banorët që blen me listë ushqimet. Rreziku i varfërisë, edhe sipas shifrave zyrtare nga INSTAT kërcënon 621 mijë qytetarë.

Albina Hoxhaj

Ahmet Lila është 72 vjeç. Ai ka humbur bashkëshorten vite më parë. Sot vuan nga probleme shëndetësore dhe nga 9 mijë lekë që merr pensionin, 8 mijë thotë se i shpenzon për ilaçe. Vajza e tij e divorcuar, është rikthyer në shtëpi dhe merr mbështetje sociale 2 mijë lekë. Ajo kujdeset për shtëpinë dhe gatuan me ato mundësi që ka. Ndërsa dy djemtë e familjes janë përpjekur të gjejnë një rrugëdalje për të siguruar të ardhura. Njëri punon dhe jeton Vlorë me të fejuarën e tij. Ndërsa tjetri punon sa mundet me një pagë minimale, 30 mijë lekë.

Pas tërmetit, që i dëmtoi shtëpinë, familja e Ahmet Lilës, që në lagje e thërrasin Noku, u zhvendos në shtëpi me qira, e cila u ndërpre dy muaj më parë. Ai pohon se është në borxh 150 milionë lekë të vjetra.

“Dy muaj pa paguar qiranë, rritja e çmimeve, faturat e dritave dhe ujit, janë detyrime të mbledhura”- thotë ai. Kur e pyet se çfarë ushqimesh siguron thotë: “Blejmë groshë, patate, presh, qepë dhe speca. Kaq mundësi kemi!”.

Sa për produktet e bulmetit, ato janë një luks, të cilin nuk mund t’ia lejojë vetes sidomos pas shtrenjtimit të pandalshëm. Gjatë kësaj periudhe Noku e ka pasur të pamundur të shesë anijet artistike që ndërton, ndaj detyrohet të marrë ushqime me listë. Kësaj liste iu shtuan këtë muaj edhe 7 mijë lekë të reja, sipas shitësit të marketit.

“Janë familje e mirë, nuk u them dot jo. Nuk e di se kur mund të m’i shlyejë detyrimet, por nuk i përcaktoj afate. E di që kur të shesë diçka do të vijë vetë të shlyejë detyrimet”. Në fletoren e marketit duket se lista e banorëve boxhlinj është e gjatë dhe tregon se ata nuk mund të përballojnë as ushqimet jetike.

Në këtë zonë të gjithë e njohin Ahmet Lilën, për artin që krijon prej gjysmë shekulli dhe për fisnikërinë që ka ruajtur, ndonëse jeta ka qenë e vështirë.

Megjithëse 72-vjeç, ai duket i vendosur të vazhdojë punën, me të cilën për shumë vite me radhë ka mbajtur familjen. Dëshmi për këtë janë duart e vrara nga vitet e gjata në punën me dru. Noku tregon se ky zanat që dikur vlerësohej shumë, sot nuk po i shërben për të siguruar të ardhura, por ai është i lidhur pandashmërisht me të.

INSTAT 621 mijë shqiptarë jetojnë në rrezik varfërie

Sipas një studimit nga INSTAT, të publikur në dhjetorin e vitit të kaluar, rreth 621 mijë shqiptarë jetojnë në rrezik varfërie.

Sipas gjetjeve të avokatit të popullit, një qytetari në Shqipëri i duhen 18 500 lekë për të jetuar në kushte minimale.

Ndërsa eksperti Enkriko Ceko thotë se: “Për një familje me 4 persona, vetëm për ushqime, energji, transport, shërbim shëndetësor, arsim, ujë, duhen rreth 2.000 euro në muaj. Në këtë shifër nuk llogaritet qiraja, apo mundësitë për të kursyer para për të blerë një shtëpi”.

Sipas INSTAT Pensionet (urbane dhe rurale) janë kategoria kryesore e përfitimeve që kanë numrin më të madh të përfituesve dhe shpenzimet më të mëdha financiare në sistemin e mbrojtjes sociale në Shqipëri. Në vitin 2019, sipas llojit të pensionit, 81% të pensioneve gjithsej në shkallë vendi e zënë pensionet e pleqërisë; 11% pensionet e invaliditetit dhe 8% pensionet familjare. Përqindjen më të madhe të numrit të pensioneve të pleqërisë në shkallë vendi e zë qarku i Tiranës me 24,5% dhe atë më të ulët qarku i Kukësit me 2,1% të numrit të pensioneve të pleqërisë.

Sipas të dhënave (të cilat I referohen vitit 2022, në qytet (pensione urbane) pensioni mesatar i pleqërisë është 14 974 Lekë; Pensioni mesatar për Invalid është 13 092 Lekë dhe pensioni familjar mesatar është 6 722 Lekë. Ndërsa një pensionist në fshat ka marrë mesatarisht 8,410 lekë pension pleqërie, 6,659 lekë pension invaliditeti dhe 2,884 pension familjar. Sipas Open Data masa mesatare mujore e pensionit të pleqërisë për vitin 2020 ka pësuar një rënie me rreth 3% krahasuar me atë të një viti më parë. Ajo që kuptojmë është që pensioni mesatar si për pensione Urbane dhe për Pensione Rurale është ulur nga viti në vit me 3% në rastin e pensionit të pleqërisë në qytet mesatarja është 522 lekë më pak se një vit më parë.

Aktivistët mbledhin mbi 20 mijë firma, synojnë t’i propozojnë parlamentit një projektligj për minimumin jetik

Aktivistët e Organizatës Politike ndërmorën një nismë lidhur me mimumin jetik. Ata synuan të mbledhin 20 mijë firma për t’i propozuar parlamentit një projektligj për minimumin jetik. Klodi Leka tha për faktoje: “Në 5 nëntor kemi nisur fushatën duke dalë në rrugë për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve dhe më 28 nëntor kemi arritur të mbledhim mbi 20.000 nënshkrimet e nevojshme për t’i propozuar parlamentit projektligjin për Minimumin Jetik”.

Aktivisti thotë se sfidat e fundit, pandemia dhe rritja e çmimeve pas luftës në Ukrainë e kanë thelluar më tej varfërinë e cila ishte edhe më herët mes nesh.

“Ne ishim ndër të fundit në Evropë për paga, pensione, konsum dhe kursime si nga shtresa e ulët ashtu edhe nga shtresa e mesme. Tani që çmimet janë shtrenjtuar kriza është bërë edhe më e ndjeshme. Me situatën aktuale të rritjes së çmimeve paga minimale prej 32 mijë lekësh është e pamjaftueshme për të jetuar. Asistencat sociale për 70.000 familjet në nevojë janë patetike, revoltuese. Po ashtu edhe pagesa për 400.000 pensionistë që marrin nën Minimumin jetik. Qeveria thotë se çmimet janë rritur me 7%, por në fakt ato janë rritur 30-40%.”-thotë ndër të tjera Leka.

OKB: 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshëmria ushqimore

Sipas raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshëmria ushqimore.

21.6% e popullsisë në 27 vendet e anëtarë të BE-së jetojnë në kufirin e varfërisë, ndërsa Shqipëria numëron dyfishin e mesatares së BE-së. 43.4%t e popullsisë shqiptare rrezikon varfërinë, tregojnë të dhënat e Eurostat për 2020.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img