BallinaPertejMbështetja e BE për Shqipërinë në kontekstin rajonal dhe pikat ku duhet ndryshuar

Mbështetja e BE për Shqipërinë në kontekstin rajonal dhe pikat ku duhet ndryshuar

Eduard Gjokutaj

Në vitin 2022 përmes Planit Ekonomik dhe Investiv, mbështetja në fushën e energjisë duket se u përvijua përmes disa projekteve që tashmë kanë patur kohën e mjaftueshme disavjeçare për t’u analizuar dhe studiuar në një analizë që besojmë se ka marrë në konsideratë koston dhe përfitimin.

Theksi i madh do t’i kushtohet integrimit tw tregut, dixhitalizimit të sistemit dhe rrjeteve inteligjente, efiçiencës së energjisë, duke përfshirë modernizimin e ngrohjes qendrore, dhe sigurinë energjetike.

Këto janë edhe drejtimet që përbëjnë një nga shtyllat kryesore të Planit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në linjë me synimet e Axhendës së Gjelbër.

Pjesëmarrja në Traktatin e Komunitetit të Energjisë parashikon një kornizë të qartë politike dhe mbart potencialin për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit energjetik përmes shumë projekteve dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Synimi kryesor është të preken ato projekte të rajonit që përcjellin edhe mundësinë për energji të madhe të rinovueshme dhe efikasitet të potencialeve të energjisë.

Në këtë kuadër, ndër projektet që do të mbështeten në rajon nga kjo qasje janë:

  • Projekti për energji diellore mbi platformë lundruese në basenin e HEC të Vaut të dejës, me një kosto totale të projektit prej 12 milion Euro, ku grante janë 2.6 milion Euro, hua nga BERZH 7.5 milion Euro dhe Kontributi i kostove lokale për 1.9 milion Euro. Ky projekt investimi do të prodhojë 18Gh energji e barabëratë me 8700 tonë CO2. Kjo do të jetë hera e parë me energjia e parë diellore lundruese si teknologji në Ballkanin Perëndimor.
  • Projektet Oslomej1 dhe Oslomej2 për energji diellore me një kosto totale prej 34.3 milion Euro, ku përveç kontributit nga shteti me 2 milion Euro, do të jepen 6.6 milion Euro grante dhe 25.7 milion Euro janë hua nga BERZH. Ky projekt investimi do të prodhojë 65GWh energji e barabëratë me 46.177 tonë CO2.
  • Projekti i linjave të transmetimit 400 kV Serbi-Mal i Zi-Bosnjë Hercegovinë që do të ndërtojë 84 km linjë. Kosto totale e projektit prej 40.8 milion Euro, do të përfshijë grante të dhëna më parë nga BE prej 2.1milion Euro, grante të reja të BE prej 8.5 milion Euro, hua nga KfW 27.8 milion Euro dhe Kontributi nga kostot lokale për 2.4 milionw Euro.
  • Projekti për sistemin e avancuar të leximit të energjisë së konsumuar në distancë (smartmetra), i cili do të mbështesë hyrjen e matjes inteligjente në sistemin e shpërndarjes se energjisë elektrike në Serbi. Kostoja totale prej 40.1 milionë Euro, përveç huasë nga BERZH prej 32.2 milionw Euro do të financohet edhe nga 0.1 milionw Euro grante nga BERZH dhe 7.8 milionw Euro grante nga BE.

Sipas masës së përfitimit në këtë drejtim duket se pjesa më e madhe e investimeve që bazohen në kombinimin e granteve dhe huave shkon për vendet përreth Shqipërisë duke treguar në këtë mënyrë edhe dimensionet më të gjera të tregut ballkanas, i cili mundet të përthithë dhe zbatojë fonde më të shumta me gati 2-3 herë më të mëdha se projekti i Shqipërisë.

Ndërkohë, për 2023 dhe në vijim 2024 do të jepen në dy transhe 1 miliard euro grante të BE-së[1] për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor që të adresojë pasojat e menjëhershme të krizës energjetike dhe të krijojë elasticitet në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Gjysma e parë e paketës përbëhet nga 500 milionë euro në mbështetje buxhetore për të zbutur ndikimin ekonomik dhe social në familjet e cenueshme dhe NVM-të dhe për të mbështetur tranzicionin energjetik dhe sigurinë e rajonit.

Gjysma e dytë e paketës përbëhet nga 500 milionë euro për të avancuar në diversifikimin e energjisë, prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe ndërlidhjet e gazit dhe energjisë elektrike përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Por, duke u nisur nga raporti i progresit të KE për Shqipërinë në Tetor 2022 duket se progresi i kufizuar në reformën e tregut të energjisë elektrike dhe në sektorët e burimeve të rinovueshme dhe gazit dhe në linjat e interkonjeksionit rajonal kanë një ndikim direkt  në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë sipas Marrëveshjes së Parisit dhe nevojën për t’u angazhuar në tranzicionin e energjisë së pastër, në përputhje me Axhendën e Gjelbër për Ballkani Perëndimor.

Ndërkohë, varësia e madhe edhe pas tri dekadash të një tregu të lirë nga energjia e prodhuar nga HEC, si dhe mungesa e finalizimit të reformës së sektorit energjetik (forcimi i rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike, përfundimi i ndarjes së operatorëve të energjisë, shfrytëzimi i mundësive që vijnë nga përfitimet në garancitë e origjinës të Komunitetit të Energjisë , funksionimi i plotë i Bursës së Energjisë (ALPEX) dhe tregut të energjisë elektrike të ditës së ardhshme, si dhe zbatimi i pikave të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, 2020-2030, duke përfshirë planet e veprimit të energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë) kanë ndikuar në një eficencë poshtë kapacitetit të nevojshëm për zgjerimin e tregut, liberalizimin e tij dhe rritjen e konkurrueshmërisë energjetike të Shqipërisë në rajon.

Pa përfunduar këto detyra shtëpie bashkë me forcimin e kapaciteteve për përgatitjen serioze për të përfituar projektet që asistohen financiarisht nga BE duket se të gjithë do të vuajmë fatin e përgjegjshmërisë së ulët politike në drejtim të përthithjes poshtë optimales nga ana e tregut shqiptar.

 

[1] 90% e fondeve do të disbursohen tashmë në janar 2023, ndërsa pjesa tjetër do të pasojë më vonë në 2023/fillim të 2024 kundër zbatimit të suksesshëm të planeve kombëtare të veprimit, për trajtimin e krizës energjetike, nga gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img