BallinaFaktometerPa kategoriAsociacioni i Komunave Serbe, një test për sovranitetin e Kosovës

Asociacioni i Komunave Serbe, një test për sovranitetin e Kosovës

Që nga shtatori i 2021, situata midis Kosovës dhe Serbisë ka pasur disa momente tensioni që u përsëritën ndër muaj. Rasti i fundit qe ai i ngritjes së barrikadave nga Serbët e Kosovës pas arrestimit të një polici me etnitet serb. Ky rast risjell  ngërçin e pazgjidhur në lidhje me Serbinë kundrejt pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Beogradi ushtron trysi për krijimin e asociacionit (bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë) ndërsa qeveria e Kosovës është  kundër tij, duke e konsideruar asociacionin atë të jashtligjshëm dhe të rrezikshëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Barbara Halla

Nëse Kosova është një shtet sovran, nuk ka arsye përse qytetarët e saj të përdorin targa serbe, çertifikata serbe, dhe vetë sistemi gjyqësor vendos mbi arrestimin e atyre që konsiderohen të kenë thyer ligjin. Shikuar nga kjo pikëpamje, marrëveshjet që janë bërë mbi këtë çështje janë thjesht një farë zgjidhjeje provizore ndaj një problemi më themelor: Serbia nuk është e gatshmë të njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Në javët e fundit, fusha e betejës për sovranitetin e Kosovës është fokusuar tek çështja e Asociacionit të Komunave Serbe. Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara kanë dhënë deklarata për mediat duke i mëshuar çështjes. Më datë 21 janar, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha për Zërin e Amerikës se Kurti nuk ka nevojë të pajtohet me [krijimin e Asociacionit], sepse më të është pajtuar Kosova, duke lënë të nënkuptohet që mbështetja e kryeministrit nuk është e nevojshme për të zbatuar planin. Ambasadori i SHBA për Serbinë, Christopher Hill pohoi diçka të ngjashme, duke thënë se krijimi i Asociacionit vjen si detyrim nga marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar në Bruksel.

Burimi: Zëri i Amerikës

Nga ana e saj, qeveria e Kosovës, duke përfshirë këtu si kryeministrin Kurti, edhe presidenten Vjosa Osmani kanë qenë vazhdimisht kundër një Asociacioni, duke e konsideruar atë të jashtligjshëm dhe të rrezikshëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Çfarë ështe Asociacioni i Komunave Serbe?

Në 2013-n, në kuadrin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që vazhdon të ndërmjetësohet përmes Brukselit, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje që përfshinte krijimin e një Asociacioni/Bashkësie e komunave me shumicë serbe. Sipas marrëveshjes, këto komuna do të kishin vetëqeverisje të plotë dhe të bashkëpunonim mes tyre. “Asociacioni/bashkësia do të ketë mbikqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimin, shëndetësinë, planifikimin urban dhe rural,”- shkruhej në marrëveshje. Më 25 gusht 2015, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje të mëtejshme për Asociacionin që shtronte parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore të zbatimit të tij.

Shumë nga dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është fokusuar tek statusi i serbëve të Kosovës dhe integrimi i tyre në shoqërinë kosovare. Serbët e Kosovës përbëjnë 4% të popullsisë së vendit dhe janë të përqëndruar kryesisht në veri në komunat e Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, por edhe në zona të tjera në qendër dhe jug të Kosovës (siç është rasti i komunës së Shtërpcës).

Burim: Wikimedia. Në blue: komunat me shumicë serbe

Sipas një studimi të Balkan Policy Research Group, “Serbët e Kosovës dëshirojnë që bashkësia të jetë një mjet praktik që do t’u ndihmojë në ruajtjen e identitetit, fuqizimit të mjeteve të tyre për t’u marrë me Qeverinë e Prishtinës dhe në ruajtjen e shërbimeve “jetike” të financuara nga Serbia dhe lidhjeve me Beogradin.”

Por, dëshirat dhe përfitimet e Serbëve të Kosovës nuk janë të qarta. Siç shkruan Qendra Kosovare për Çështjet e Sigurisë, serbët e Kosovës nuk janë përfshirë në diskutimet për krijimin e Asociacionit, duke lënë përshtypjen se kjo kërkesë është promovuar dhe shtyrë nga Serbia vetë. QKSS shkruan se ekziston besimi në Kosovë se Serbët e vendit po përdoren nga Serbia dhe monopolizimi i përfaqësimit politik të tyre nga partia ekstreme ‘Srpska Lista’ e ka përkeqësuar këtë përshtypje, duke heshtur pjesën më të madhe të Serbëve dhe duke amplifikuar zërin e atyre me pikëpamje më ekstreme.

Përse Refuzohet Asociacioni nga Qeveria e Kosovës?

Në tetor 2015, pak muaj pas publikimit të Parimeve të Përgjithshme, Zyra e Presidencës së Kosovës dorëzoi para Gjykatës Kushtetuese një kërkesë ku parashtrohej se krijimi i një asociacioni të komunave serbe cënon kushtetutën e Kosovës. Në dhjetor, Gjykata lëshoi vendimin ku mori anën e kërkuesit dhe vendosi se Parimet e Asociacionit shkelnin 23 pika të Kushtetutës së Kosovës. “Parimet e elaboruara… nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës,” shkruhet në vendim.

Kryeministri Albin Kurti është bazuar te ky vendim për të refuzuar kërkesat që Asociacioni të krijohet. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai tha:

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në shtatë kapituj më 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje, nga 33 marrëveshjet e Brukselit, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Megjithatë, ana ligjore nuk është e vetmja pengesë ndaj këtij Asociacioni që Kurti dhe partia e tij, Lëviza Vetëvendosje e kanë refuzuar që në parim, duke arritur edhe të hedhin bomba gazi në parlament kur marrëveshja po votohej.

“Përsëri sipas BPRG, Kurti dhe ata që e refuzojnë Asociacionin e shohin atë “si një ofertë të propozuar nga Beogradi (jo nga serbët e Kosovës) e cila do të shfrytëzohet për ta minuar dhe për ta bërë shtetin e tyre jo funksional. Mënyra se si Beogradi kontrollon serbët e Kosovës vetëm sa e ushqen frikën e tyre.” -tha ai.

Në fakt, Kurti dhe aleatët e tij e shohin Asociacionin si vazhdimin dhe thellimin e strukturave paralele serbe në Kosovë, që do t’i jepnin fuqi ekzekutive një minorance që më pas do ta shkërmoqte Kosovën dhe aftësinë e qeverisë së saj për të udhëhequr, duke lejuar influencën e Serbisë në Kosovë. Kjo është një frikë e frymëzuar nga roli që ka luajtur Republika Srpska në Bosnje, duke përqëndruar fuqinë e entitetit serb, paralizuar qeverinë e Bosnjes, dhe fuqizuar Serbinë dhe Vuçiç në rajon.

Një marrëveshje tjetër është duke qarkulluar e cila parashikon krijimin e Asociacionit. Dhe SHBA duket e gatshme të nisë punën edhe pa praninë e Kurtit, duke u përpjekur kështu të kënaqë Serbinë. Por qeveria e Kurtit duket e patundur në vendimin e saj, dhe e ardhmja e Asociacionit, si dhe dialogut duket për momentin e paqartë.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img