Infodemia është në garë me pandeminë e COVID-19, kur vjen fjala për përhapjen. Një nga informacionet që po qarkullon në nivel global duke u shpërndarë me mijëra herë, është se mbajtja e maskave shkakton rënie të nivelit të oksigjenit tek njeriu. Disa organizata faktverifikuese, kanë konstatuar se bëhet fjalë për informacionone të rreme dhe janë përfshirë në një fushatë ndërgjegjësuese që njerëzit të mos bien pre e tyre.
—————————————————————————————————————————————–
Në shumë vende të botës, por kryesisht në Amerikën Latine dhe pastaj në Europë qarkulloi një lajm në mediat sociale se maskat mund të shkaktojë hipoksi – një rënie e rrezikshme në nivelin e oksigjenit të qelizave të trupit.
Në fakt kjo rezulton të jetë një e pavërtetë.
Nga 30 Prilli deri në 13 Maj, janë botuar të paktën pesë artikuj të vërtetuar me fakte duke sqaruar se ky rrezik nuk ekziston, dhe se është e rëndësishme që njerëzit të vënë maska për fytyrën gjatë pandemisë së COVID- 19, raporton Poynter.
Media e parë për kontrollimin e fakteve që tërhoqi vëmendjen ndaj këtij “lajmi” ishte media fakt-verifikuese Animal Político në Meksikë.
Në fund të prillit, kjo media publikoi me shkronja kapitale në faqen e saj: “ASNJË LLOJ MASKE PËR FYTYRËN NUK SHKAKTON HIPOKSI.”
Ky shërbim i kontrollit të fakteve shtoi: “Megjithëse është e vërtetë që maskat në fytyrë mund të gjenerojnë ndjesi të pakëndshme, mos u shqetëso, është normale. Përdorimi i maskave për fytyrën nuk do të shkaktojë asnjë lloj mangësie të oksigjenit. Në realitet, hipoksia mund të shkaktohet vetëm nga pirja e duhanit, thithja e gazrave ose ekspozimi në lartësi të mëdha – jo duke përdorur maska ose filtra”.
Ky lajm arriti në Evropë në më pak se dy javë.
AFP në Francë gjeti të njëjtën të pavërtetë dhe publikoi një artikull ku përmendi dy faqe në internet dhe gjashtë faqe në Facebook që kishin ndarë dezinformatat në tre gjuhë të ndryshme: anglisht, spanjisht, dhe portugalisht.
Vetëm katër postimet në spanjisht ishin shpërndarë plot 24.800 herë në Facebook.
Në Kolumbi, të pavërtetat ishin se frymëmarrja në mënyrë të përsëritur brenda një maske shkaktonte një lloj parehatie apo humbje të reflekseve, apo humbje të vetëdijes. Të gjitha këto informacione janë të rreme, bazuar në burimet mjekësore.
Në Brazil u përhap lajmi se “ajri i konsumuar” (brenda maskës) shndërrohet në dioksid karboni dhe kjo shkakton marrje mendsh.
Shpërndarësit e këtij ‘lajmi’ bënin thirrje për sa më shumë ‘share’ në rrjetet sociale para se kjo gjë të kontribuojë sipas tyre në më shumë infeksione ose më shumë vdekje.
Edhe në Shqipëri qarkulluan dhe vazhdojnë të qarkullojnë lajme që sugjerojnë se maskat janë të dëmshme. Një lajm i tillë për shembull është se në verë maskat bëhen të dëmshme për shëndetin.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetit ka rekomanduar që të përdoren maska për të mbrojtur veten dhe të tjerët në mes të pandemisë.