Pretendimi: Polonia ka kaluar në një alarm bërthamor pas sulmeve me raketa të Rusisë në Ukrainë

Vlerësimi: E pavërtetë


Barbara Halla

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një lajm sipas të cilit Polonia është në alarm si pasojë e një sulmi që Rusia ka nisur ndaj Ukrainës më 11 prill. Në fakt, artikulli përmban disa të pavërteta.

Duke filluar nga titulli, artikulli përshkruan një situatë alarmi bërthamorë në Poloni, duke mos specifikuar që sulmi në fjalë ndodhi në Ukrainë dhe nuk ka të bëj me armë bërthamore.   

Artikulli fillon me deklaratën se Ukraina ka mbetur pa energji, gjë që nuk është e vertetë. Rusia me datë 11 prill shkatërroi një central elektrik në Kiev, si pjesë e një sulmi strategjik për të cënuar sistemin energjitik të Ukrainës. Si pjesë e këtij sulmi u dëmtuan edhe dy rezerva gazi natyror, por jo rezerva më e madhe siç pretendon artikull i Mast.al. Për më tepër, Ukraina nuk ka mbetur pa energji si pasojë e këtij sulmi. Stacionet vazhdojnë të jenë në punë ndërsa specialistët vlerësojnë dëmin, sipas Oleksiy Chernyshov, shefi ekzekutiv i Naftogaz. Këto janë sulmet e katërta ndaj depozitave të gazit të Ukrainës, të cilat deri më tani nuk kanë ndaluar operacionet e tyre.

Për më tepër, Burimi kryesor i këtij artikulli është në postim i paverfikuar në uebsajtin Twitter (njohur gjithashtu si X), nga një llogari anonime që e përshkruan veten si “rusofile.”

Duke marrë parasysh vartësinë që Europa ende ka ndaj gazit në Ukrainë, ka pasur luhatje në çmim ndërsa Europa përgatitet për përçarje të mëtejshme në fluksin e gazit nga Rusia ndërsa Rusia vazhdon të shenjëstrojë sistemin energjitik të vendit. Për më tepër, një marrëveshje midis Europës dhe Rusisë për kalimin e gazit përmes Ukrainës skadon në fund të 2024, dhe ka ende dyshime nëse marrëveshja do të rinovohet duke marrë parasysh vazhdimësinë e luftës midis dy vendeve. Megjithatë, sulmet e datës 11 Prill nuk kanë ndaluar konsumin e gazit brenda ose jashtë Ukrainës. 

Mbi pretendimin se Polonia ishte vënë në alarm pasi kishte frikë se sulmi ishte një raketë bërthamore, autorja e artikullit nuk ka vënë asnjë burim. Ka vetëm një imazh, i cili pretendohet të jetë marrë nga burime polake, por që në fakt përmban shkrim në rusisht dhe jo polonisht (polonishtja përdor alfabetin latin, dhe jo atë cirilik).

 Një kërkim në Google lens tregon po ashtu që imazhi është marrë nga një nga shumë llogaritë anonime pro-Ruse në Twitter/X dhe Telegram. Kjo llogari po ashtu shpërndan të njejtat deklarata të paverifikuara që ka përkthyer në shqip Mast.al.

Për të verifikuar nëse një alarm i tillë është shpërndarë dhe në mediat vendase, Faktoje.al kontaktoi me zv. kryeredaktoren e medias polake Ślązag.pl, Katarzyna Pachelska

“Në median polake nuk është raportuar për një lajm të tillë. Shërbimet zytare nuk kanë sjellë asnjë njoftim lidhur më një alarm të tillë. Po të bëjmë një krahasim me lajmin e shkeljes së hapësirës territorial ajrore të Polonisë, në muaji mars, që në krahasim me alarmin bërthamor është shumë më i vogël, ai lajm ishte kudo.”- tha për Faktoje, Pachelska.