BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëLuan Rama: Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës nuk është krijuar, asnjë relacion i dorëzuar në Kuvend

Luan Rama: Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës nuk është krijuar, asnjë relacion i dorëzuar në Kuvend

INVA HASANALIAJ

Pasi Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin dorëzoi në 17 prill raportin e rekomandimit për çeljen e negociatave, disa ditë më vonë nënkryetari i LSI-së Luan Rama postoi një reagim në rrjetin social Facebook.

Krahas mbështetjes për vlerësimin e bërë nga ambasadorja e BE-së, Rama vendos të ndajë publikisht një fakt për të cilin zonja Vlahutin nuk ishte në dijeni.

Sipas tij në vitin 2001, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 8750 “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope” i cili në nenin 3 thotë shprehimisht: “Krijohet Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës, nën drejtimin e Kryeministrit”.

Nënkryetari i LSI-së i bën me dije ambasadores Vlahutin se ky Komitet nuk është krijuar dhe duke mos ekzistuar, nuk ka as relacion që po nëpërmjet Kryeministrit duhej t’i paraqitej Kuvendit.

Ky Komitet nuk është krijuar, zonja Vlahutin, e për rrjedhojë, gjendemi përpara faktit që qeveria shqiptare e më drejtpërdrejtë Kryeministri, nuk ka përmbushur detyrimet e ligjit. Analiza është e thjeshtë: Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës të cilin duhet ta drejtojë Kryeministri, nuk krijohet, për rrjedhojë nuk funksionon. Duke mos qenë, duke mos ekzistuar, nuk ka as relacion që po nëpërmjet Kryeministrit duhej t’i paraqitej Kuvendit!”- shkruan Rama.

Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” vendosi të kontrollojë për ekzistencën e një Komiteti të tillë, e për rrjedhojë dorëzimin e relacioneve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Fillimisht kontaktuam me Kuvendin për të ditur se kur është krijuar Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës, sa herë është mbledhur dhe nëse është dorëzuar ndonjë relacion i hartuar prej tij.

Në përgjigjen e kthyer nga ky institucion na bëhet me dije; ‘’bazuar në nenin 3 të ligjit Nr.8750 23.06.2001 krijohet Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës nën drejtimin e Kryeministrit.

“Lidhur me informacionin e numrit të mbledhjeve dhe relacioneve të dorëzuara pranë Kuvendit, ju informoj se në Arkivën e Dokumentacionit Parlamentar nuk rezulton të ketë relacione të Komitetit Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës”-shkruhet më tej në përgjigjen e Kuvendit.

Ne vazhduam punën tonë duke kontaktuar me institucionin e Kryeministrisë, për të mësuar nëse ky Komitet është krijuar apo jo. Kjo nisur nga fakti se në nenin 3 theksohet se ai kryesohet nga kryeministri.

Kërkesa për informacion drejtuar Koordinatores së Njesisë Antikorrupsion është dërguar në datën 6 qershor 2018 ndërsa përgjigjja pas insistimeve tona dhe telefonatave pa përgjigje, mbërriti në 26 qershor 2018.

As më shumë dhe as më pak se 20 ditë na është dashur të presim për të marrë përgjigje dhe në këtë pikë theksojmë se, bazuar në ligjin e të drejtës për informim afati nga institucioni i sipërpërmendur është shkelur me 5 ditë.

“Në lidhje me kërkesën tuaj për informacion, dëshiroj t’ju bëj me dije se Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të luftës ndaj drogës është krijuar në bazë të ligjit nr.8750, datë 26.3.2001, Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope, i ndryshuar me ligjin nr.88/2016.

Në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr.8750, datë 26.3.2001, është miratuar vendimi i Këshillit të ministrave nr.299, date 14.4.2011, “Për miratimin e rregullores për funksionimin e Komitetit Kombëtar të bashkërendimit të luftës ndaj drogës, sekretarisë së këtij komiteti dhe zyrës së sistemit kombëtar të të dhënave për drogën” ku janë përcaktuar detyrimet për secilin institucion, pjesë e kësaj rregulloreje.

Nga Policia e Shtetit dhe konkretisht nga Sektori Kundër Narkotikëve, janë përcjellë të dhënat në mënyrë periodike, pranë zyrës përgjegjëse për grumbullimin e të dhënave në nivel kombëtar”- shkruhet në përgjigje.

Në këtë rast kemi ligjin dhe datën në të cilin është referuar krijimi i Komitetit, por nuk kemi asnjë të dhënë nëse Kuvendit i është dorëzuar apo jo ndonjë relacion nga ky Komitet.

Nisur nga përgjigjet e dy institucioneve lajmin e deklaratës së nënkryetarit të LSI-së do ta konsiderojmë GJYSMË TË VËRTETË.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img