BallinaPertejLiria e shprehjes në rrezik nga projektligji kundër shpifjes

Liria e shprehjes në rrezik nga projektligji kundër shpifjes

MERXHAN DACI

Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në Tiranë, organizatat europiane dhe ato shqiptare që mbrojnë lirinë e medias kanë kundërshtuar njëzëri  projektligjin “Antishpifje”. Në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë kësaj të marte ky projektligj u diskutua në tre komisione njëherazi. Organizatat mediatike dhe ato të shoqërisë civile u shprehën kundër kësaj pakete që cënon rëndë lirinë e shprehjes dhe parimet e vetërregullimit të medias. Paketa “Antishpifje” i jep AMA-s të drejtë ligjore të gjobisë dhe të mbyllë mediat online pa një urdhër gjykate.

————————————————————————————————————————————————————-

Edhe pse vetë anëtaret e bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) kanë votuar kundër paketës “Antishpifje” e cila cënon rënde lirinë e të shprehurit dhe është në kundështim me parimet e vetrregullimit të medias, kreu i këtij institucioni Gentian Sala tha sot në Komisionin e Medias se nëse Parlamenti e voton, AMA do të detyrohet ta zbatojë këtë projektligj.

Paralelisht në tre  komisione, atë të Medias, Ligjeve dhe Veprimtarive Prodhuese , u risoll sot (10 dhjetor) për diskutim projektligji antishpifje i cili siç është deklaruar pritet të kalojë për votim në Parlament në 19 dhjetor. Jehona e projektligjit ka shkuar deri tek  media prestigjoze si New York Times e cila raportoi se si OSBE i ka kërkuar Shqipërisë të mos cënojë lirinë e mediave online.

Përfaqësuesja e OSBE Irina Radu tha se jo te gjitha rekomandimet e tyre janë marrë parasysh.

Nëse OSBE nuk do kishte ndërhyrë projektligji do të kishte mbetur siç u paraqit në janar. Topi është në fushën tuaj tani. Gjobat janë shumë të larta dhe duhet të jenë proporcionale. Duhet të ndahen kritkat ndaj qeverisjes me shpifjen. Po presim disa përmiresime të rëndësishme në këtë ligj”, tha ndër të tjera ajo.

Përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave këmbëngulën se ky projektligj nuk cënon lirinë e mediave dhe se është në përputhje me praktikat ndërkombëtare. Sipas tyre, është marrë kryesisht praktika kroate dhe argumentet e ekspertëve ndërkombëtarë.

Monika Bylaite nga Bashkimi Europian tha se mendimi i tyre nuk ka ndryshuar nga ai i herës së kaluar se duhet të ketë përputhshmëri me të gjitha standartet për lirinë e shprehjes.

 Cili është synimi i parlamentit, a do të ketë konsultime, çfarë sugjerimesh janë marrë parasysh? Ne rekomandojmë qasje më pak të ashpra dhe të bazuar në qasjen e vetërregullimit. Ne mobilizuam edhe tjetër ekspertizë për paketën ndaj ju bëjmë thirrje që edhe njëherë të përfitoni. Inkurajojmë autoritetet shqiptare të ndjekin proces shterrues konsultimi, ky duhet të jetë proces i plotë përpara miratimit. Ne nuk na duket sikur kjo mund të arrihet në mënyrën e duhur deri në fund të këtij viti”.

 Edhe përfaqësuesit e zyrave të UNDP dhe Këshillit të Europës thanë se ligji duhet të krijojë qasje vetërregulluese.

Përfaqësuesit e Këshillit të Europës, OSBE, AMA, AKEP dhe Bashkimit Europian në Komisionin e Medias

Musa Ulqini, një nga relatorët e çështjes ndërhyri duke thënë se në Shqipëri nuk ka patur dhe nuk ka mekanizma veterregullues për median.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir publikoi më 9 dhjetor, analizën e tij të fundit ligjore të projektligjeve, përmes së cilës bën thirrje për përmirësimin e tyre në atë mënyrë që të “sigurohet e drejta e lirisë së shprehjes dhe të evitohet çfarëdo rreziku nga kufizimet apo sanksionet e tepruara ndaj mediave elektronike.

Po në 9 dhjetor, 7 organizata europiane që mbrojnë lirinë e medias dolën me një deklaratë duke i bërë thirrje qeverisë të ndalojë projektligjin “Antishpifje”.

Ne i bëjmë thirrje Parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga procesi këmbëngulës i aprovimit të këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin nga e para. Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshme përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më të mira të lirisë së medias”, thuhej në deklaratë.

Ditët në vijim diskutimet për këtë projektligj do të vazhdojnë teksa qeveria ka njoftuar se në seancën e 19 dhjetorit projektligji do të miratohet.

Përfaqësues të organizatave mediatike shqiptare në Komisionin e Ligjeve

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img