BallinaFaktometerE vërtetëMinistrja e Arsimit Besa Shahini: Shkollat e përkohshme fillojnë më 9 dhjetor

Ministrja e Arsimit Besa Shahini: Shkollat e përkohshme fillojnë më 9 dhjetor

JOEL ÇELA & INVA HASANALIAJ

Gjatë seancës parlamentare të datës 5 dhjetor, një ndër problemet e lidhura me tërmetin që u adresua ishte rikthimi i nxënësve në shkolla. Si pasojë e tërmetit që goditi vendin në orët e para të datës 26 nëntor, mësimi u pezullua në të gjitha qarqet e vendit.

Në 9 qarqe ku nuk ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme mësimi rifilloi normalisht më datë 2 dhjetor, ndërsa për Durrësin, Tiranën dhe Lezhën, nxënësit u rikthyen më 9 dhjetor. Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini tha se: “Nëse kemi një grup hotelesh ku kemi një numër më të madh të qytetarëve të strehuar – në një nga ato që ofron kushtet më të mira, do të themelohet një shkollë e përkohshme. Puna ka filluar tani, por këto shkolla do të fillojnë të japin mësim më datë 9 dhjetor.”

Shkollat e përkohshme u themeluan dhe filluan mësimin më 9 dhjetor.

Faktoje shkoi për të parë nga afër situatën dhe mënyrën e zhvillimit të mësimit në këto shkolla. Nga bisedat me mësues, edukatorë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në terren morëm një pamje më të qartë të situatës.

Shkollat e përkohshme janë themeluar në 4 hotele në zonën e plazhit Durrës-Golem në të cilat vazhdojnë mësimin 150 fëmijë. Nga këto, dy hotele po shfrytëzohen si kopshte për fëmijët nga mosha 3 në 6 vjeç, dhe dy hotelet e tjera si shkolla për fëmijët nga klasa e parë në klasën e pestë. Fëmijët më të rritur, nga klasa e gjashtë në klasën e nëntë do të mblidhen në hyrje të hotelit dhe do të transportohen nga hoteli, në prani të oficerëve të sigurisë, në shkollat 9-vjeçare “Abedin Dino” dhe “Bajram Curri”. (Ndërsa nxënësit e shkollave të mesme, respektivisht klasave të dhjetë deri në të dymbëdhjetë, do të transportohen “Tek Stacioni i Trenit”, me mundësinë për të zgjedhur shkollën ku dëshirojnë.)

Hotelet që janë përzgjedhur për të funksionuar si shkolla të përkohshme janë hotel “Fafa Premium”, hotel “Aler Luxury”, hotel “Bonita” dhe Hotel “As/Ibiza”. Hotelet “Fafa Premium” dhe “Aler Luxury”, respektivisht për kopështin dhe fëmijët nga klasa e parë në klasën e pestë, shërbejnë si shkollë e përkohshme për nxënësit e strehuar në hotelet “Aler”, “Casa”, “Eter”, “Fafa”, “Kolaveri”, “Pameba” dhe “Pishat e Buta”. Hotelet “Bonita” dhe “As/Ibiza”, gjithashtu për kopështin dhe fëmijët nga klasa e parë në të pestën, mirëpresin nxënësit e strehuar në hotelet “As/Ibiza”, “Bonita”, “Diamma Resort” dhe “Dolce Vita”. Në këtë rast transporti kryhet nga prindërit, arsye për të cilën shkollat e përkohshme janë grumbulluar në grupe dy nga dy (kopësht+fillore), për nxënësit që janë strehuar në hotele që ndodhen afër.

Nga verifikimi i “Faktojes” këto shkolla kanë filluar të funksionojnë. Orari i mësimit, si për shkollën ashtu edhe për kopështin, është nga 09:00 të mëngjesit deri në orën 12:30. Numri i nxënësve në hotelet “Aler Luxury” dhe “Bonita”, shkonte rreth 50 ku çdo mësues drejtonte një grup prej rreth 10 vetash. Ky raport ishte i ngjashëm edhe në hotelet “As/Ibiza” dhe “Fafa Premium”.Të pranishëm ishin edhe psikologët, si gjatë mësimeve paradite, ashtu edhe gjatë pjesëmarrjes opsionale pasdite.

 

Hotelet “Aler Luxury” dhe “Bonita” “As/Ibiza” dhe “Fafa Premium”
Numri i nxënësve 50 50
Numri i mësuesve 5 5
Mësues ndihmës 2 ose më shumë 2 ose më shumë

 

Përfaqësues nga Ministria e Arsimit na bënë me dije se mësimdhënia në shkollat e përkohshme pritet të zgjas të paktën përgjatë gjithë muajit dhjetor, kohë në të cilën është konfirmuar strehimi në hotel i këtyre familjeve të prekura nga tërmeti.

Nisur nga deklarata e ministres Shahini dhe verifikimit që “Faktoje” bëri në terren këtë deklaratë do ta kategorizojmë Të Vërtetë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img