BallinaFakte dhe MjedisiLeksionet e COVID-19 për uljen e ndotjes së ajrit në Tiranë

Leksionet e COVID-19 për uljen e ndotjes së ajrit në Tiranë

DENIS TAHIRI

Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik raportojnë ulje deri në 60% të ndotjes së ajrit në Tiranë për shkak të kufizimeve të pandemisë së COVID-19, por ekspertët e mjedisit e konsiderojnë këtë “një aksident” dhe paralajmërojnë rikthim në gjendjen e mëparshme, sapo vendi të hapet plotësisht.


Me një pajisje elektronike në dorë, Arion Sauku nga organizata mjedisore, Mileukontakt, mat prej dy vitesh cilësinë e ajrit në Tiranë, qytetit më të ndotur të Shqipërisë. Në mars ai vërejti ulje drastike të nivelit të ndotjes për herë të parë në dy vite, gati dyfish nën normën e lejuar të Bashkimit Europian.

Sauku thotë se të dhënat e reja nuk e entuziazmuan. Menjëherë pasi qeveria ndaloi lëvizjen e makinave dhe qarkullimin e qytetarëve si pasojë e pandemisë së COVID-19, rigjenerimi i natyrës dhe zhdukja e resë së dendur të smogut mbi Tiranë ishte një efekt “anësor”, i pritshëm për monitoruesit lokalë të mjedisit.

Përmirësimi i cilësisë së ajrit si pasojë e masave për parandalimin e pandemisë së koronavirusit të ri konfirmohet edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik, dy institucionet përgjegjëse për matjen zyrtare të cilësisë së ajrit në Shqipëri.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit i tha Faktoje se, në dy matje të kryera në fund të marsit dhe në fillim të prillit niveli i ndotjes së ajrit nga grimcat e rrezikshme PM 10 kishte rënë me 60%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Grafiku i AKM

Nga monitorimi i kryer më 28 mars, prania e PM 10 në ajër ishte 21.77µg/m³, më pak se gjysma e normës së lejuar të Bashkimit Europian prej 50 µg/m³, për herë të parë pas shumë vitesh.

Norma më e ulët e PM 10 në ajër u regjistrua më 5 prill 2020 në vlerën 12.8 µg/m³.

Grimcat PM 10 janë ndër ndotësit kryesorë të ajrit në Tiranë dhe fajësohen si shkaktare të një serie sëmundjesh të rrezikshme. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, prania e PM 10 në ajër në vitin 2019 ishte afërsisht 20% më e lartë se norma e Bashkimit Europian dhe kishte raste kur e tejkalonte më shumë se dy herë këtë normë.

Grimcat e pluhurit, të shkaktuara kryesisht nga kantieret në lulëzim të ndërtimit në Tiranë, nuk janë ndotësit e vetëm. Instituti i Shëndetit Publik raporton ulje të ndjeshme edhe të gazrave të shkarkuar në ajër gjatë muajve mars dhe prill të karantinës.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, nivelet e SO2 (dyoksidit të sulfurit), CO (monoksidi i karbonit), NO2 (dyoksidi i nitrogjenit) dhe të benzenit thuajse janë përgjysmuar.

Ndërkohë, niveli i O3 (ozonit) ka shënuar rritje gjatë marsit dhe prillit.

Tabela e ISHP

Agjencia Kombëtare e Mjedisit fajëson qarkullimin e madh të automjeteve dhe sektorin e ndërtimeve për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Tiranë ndër vite. Agjencia thekson se grimcat me diametër PM 10, PM 2.5 dhe PM 1 janë shkaktare të një morie sëmundjesh të rrezikshme për popullatën.

“Pluhurat depërtojnë thellë në mushkëri duke shkaktuar përkeqësime të frymëmarrjes, sidomos te moshat e mëdha, sëmundje të zemrës, goditje në zemër dhe aritmi. PM mund të dëmtojë sistemin nervor qendror, sistemin prodhues dhe mund të shkaktojë kancer”, – tha Agjencia Kombëtare e Mjedisit, duke shtuar se grimcat PM mund të shkaktojnë edhe vdekje të parakohshme.

Përmirësimi i ajrit, një “aksident”

Përmirësimi i cilësisë së ajrit në Tiranë si pasojë e masave drastike ndaj përhapjes së infeksionit SARS-CoV-2 konsiderohet një “aksident” nga ekspertët e mjedisit në Shqipëri.

Aktivistët mjedisorë shqetësohen, se, sapo kufizimet të bien dhe njerëzit t’i kthehen normalitetit, parametrat e ajrit në Tiranë mund të përkeqësohen edhe më shumë sesa në periudhën para pandemisë.

“COVID-i mund të kalojë, por unë do të doja që qytetarët t’i ruajnë maskat, pasi ndotja do të kthehet përsëri”, – thotë Olsi Nika, biolog në profesion dhe drejtues ekzekutiv i organizatës mjedisore Eco Albania.

“Nuk ka ndonjë element të papritur, pasi, për qytete si Tirana, ndotësit kryesorë nuk janë industrialë, por ndotësit që nxjerrin makinat nga marmita”, – shtoi ai.

Eksperti i Mjedisit, Mihallaq Qirjo, i tha Faktoje se situata me COVID-19 tregoi qartë se ndotësit kryesorë të Tiranës janë tashmë të njohur në të dyja kategoritë, pluhurat dhe gazrat.

“Përgjithësisht ndotja në Tiranë ruan modelin e ndotjes që vjen nga një infrastrukturë e keqe.

Pra, përqindja shumë e lartë e pluhurave të imët është tipike e cilësisë së dobët të rrugëve, moslarjes së tyre, pranisë së gropave apo edhe kalimit të makinave të mëdha, të ngarkuara me inerte”, – sqaron ai.

Qirjo vëren me shqetësim edhe rritjen e ndotjes nga gazrat kimikë, të cilët, sipas tij, shkaktohen nga flota e vjetër e transportit publik në Tiranë, flota në rritje e automjeteve private, si dhe cilësia e keqe e karburanteve.

“Unë nuk jam shumë optimist se situata post-COVID do të ruajë të njëjtët parametra, por gjykoj se do të ketë një lloj përgjegjshmërie më të madhe për ta menaxhuar ajrin sesa para periudhës së COVID”, – shtoi eksperti.

Për Arion Saukun nga Mileukontakt, çlirimi i vendit nga masat shtrënguese nënkupton rikthimin e menjëhershëm të smogut në kryeqytet.

“Nëse lirohet çdo gjë si më përpara, flota e autobusëve të Bashkisë së Tiranës do të jetë po e njëjta. Flota e automjeteve private, po e njëjta, karburanti po i njëjti, ndërtimi njësoj.

Mund të them se ndotja do të jetë njësoj, për të mos thënë edhe më e lartë”, – tha ai me pesimizëm. 

Progres i vogël

Pandemia e koronavirusit të ri, SARS-CoV-2, ka prekur me qindra persona në Shqipëri dhe ka shkaktuar 31 viktima. Ekspertët vlerësojnë se ekziston një lidhje e errët mes pandemisë dhe ajrit të ndotur, i cili i ekspozon njerëzit ndaj sëmundjeve që përkeqësojnë shanset në përballjen me COVID-19.

Aktivistët mjedisorë në Shqipëri mendojnë se situata e jashtëzakonshme, e shkaktuar nga pandemia, mund të jetë një leksion i mirë për vendimmarrësit, në mënyrë që këta të fundit të adresojnë ndotjen e lartë të ajrit në Tiranë. Ata kërkojnë gjithashtu rritje të financimeve, në mënyrë që institucionet përgjegjëse, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, të kryejnë matje periodike të cilësisë së ajrit.

Arion Sauku i tha Faktoje se pandemia ishte rasti praktik që tregoi se si mund të ulej ndotja e ajrit.

“Pamë se duke reduktuar trafikun, ndotja bie. Nëse flota e autobusëve të Tiranës do të ketë rinovim dhe trafiku do të jetë i kufizuar në disa zona problematike për disa orë, këto janë disa masa që duhen marrë nga pushteti qendror dhe ai lokal”, – tha ai.

Përveç kufizimeve në lëvizjen e makinave, ekspertët Nika dhe Qirjo sugjeruan edhe kontroll më të lartë të cilësisë së karburanteve dhe kantiereve të ndërtimit, si dhe një ndërgjegjësim më të lartë të popullatës për të lënë në shtëpi makinat. Megjithatë, dy ekspertët shtuan se keqfinancimi i institucioneve nuk lë shumë hapësira për shpresë.

“Cilësia e ajrit është një nga fushat që ka bërë progresin më të vogël në Shqipëri”, – thotë Mihallaq Qirjo, ndërsa thekson se nuk është bërë as minimumi i nevojshëm për përmirësimin e parametrave. “Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, i cili nuk raporton online për cilësinë e ajrit”, – shton ai.

Nika nga Eco Albania pohon se, pavarësisht përpjekjeve të ekspertëve të mjedisit, raporti vjetor i gjendjes së mjedisit nuk përmbush shumë detyrime të Shqipërisë.

“Nëse qeveritë do ta kenë prioritet cilësinë e ajrit, duhet ta hapin pak më shumë rubinetin dhe t’iu japin ekspertëve atë buxhet që kërkojnë për të ushtruar plotësisht funksionin që ata kanë.

Këto institucione duhet të jenë të hapura edhe për të bashkëpunuar me organizata dhe institucione të tjera, të cilat prodhojnë të dhëna”, – përfundoi Nika.


Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img