BallinaFaktometerE PavërtetëKryeministri Rama dhe të pavërtetat e thëna në '10 Downing Street'

Kryeministri Rama dhe të pavërtetat e thëna në ’10 Downing Street’

Raportimi për vizitën “historike” të kryeministrit Edi Rama në 10 Downing Street të Londrës dhe dy deklarata të tij, rezultuan me disa të pavërteta nga një verifikim i Faktoje. Mungesë memorieje apo propagandë, mbetet për t’u qartësuar, por e vërteta është se kryeministri Rama ka gënjyer kur deklaroi se ajo e 23 marsit ishte vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në 10 Downing Street dhe se asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë, prej kohës së Winston Churchill. Gjeni në vijim provat që rrëzojnë këto dy deklarata.

Jona Plumbi

Sikurse e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike. Jam falënderues për këtë. Është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona.”

Kështu i tha kryeministri Rama homologut të tij britanik, Rishi Sunak në 23 Mars 2023, gjatë një vizite në godinën qeveritare të Britanisë “10 Downing Street”. Deklarata është bërë publike nga zyra e medias së Kryeministrisë, e cila ka shpërndarë për mediat videon që më pas është kthyer në lajm.

* Video e shpërndarë për mediat, e publikuar në faqen e Kryeministrit Rama për vizitën e tij në 10 Downing Street, Londër

Pretendimi se ky është takimi i parë zyrtar i një kryeministri shqiptar në 10 Downing Street është në rastin më të mirë një ekzagjerim i të vërtetës, dhe në rastin më të keq propagandë, e shpërndarë dhe shumëfishuar përmes mediave.

Kryeministri Rama në 10 Downing Street për herë të tretë

Kjo vizitë e kryeministrit Edi Rama në zyrën e kryeministrit të Britanisë së Madhe, që ndodhet në “10 Downing Street” në Londër, në të vërtetë nuk është e para. Kryeministri Rama e ka kaluar pragun e hyrjes 10 në Downing Street edhe dy herë të tjera më parë, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë. Faktoje verifikoi dhe përgënjeshtroi pretendimet e shpërndara në rrjet se kjo është hera e parë që një kryeministër shqiptar viziton Downing Street në këtë artikull.

Vizita zyrtare në Britaninë e Madhe

Sipas përkufizimit, “vizita zyrtare” në një shtet është “pjesëmarrja në takime, seminare, kongrese, kurse trajnimi apo çdo lloj ngjarjeje ku delegati merr pjesë në cilësinë e tij zyrtare” apo “vizita në një shtet e Ministrit të një shteti tjetër që performon bazuar mbi funksionin e tij si anëtar i asaj qeverie”.

Nisur nga ky përkufizim është lehtësisht e kuptueshme se të dy vizitat e mëhershme të kryeministrit Rama në Britaninë e Madhe, njëra në vitin 2013 dhe tjetra në vitin 2019, kanë qenë pikërisht vizita zyrtare.

*Rama në takim me Kryeministrin e Britanisë në 10 Downing Street në vitin 2013, marrë nga faqja e Kryeministrisë

Në 2013-n, sipas lajmit të shpërndarë nga Kryeministria në faqen e saj zyrtare, “Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në 10 Downing Street, ku u takua me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, David Cameron. Gjatë takimit me homologun britanik, Kryeministri Rama u përqendrua tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe theksoi reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Takimin me homologun e tij Britanik, Rama e shpërndau edhe në rrjetin social facebook ku njoftoi takimin me David Cameron për t’i shprehur atij vullnetin e qeverisë së Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.

*Shpërndarja e fotografisë së takimit mes Kryeministrit Rama dhe Cameron në 2013-ën në 10 Downing Street
*Shpërndarja e fotografisë së takimit mes Ramës dhe Cameron në 2013-ën

Pra, kjo vizitë e Kryeministri Rama, shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të qeverisë së tij të parë në 2013-n, kur vizitoi kryeministrin e Britanisë së Madhe, David Cameron me të cilin bisedoi për reforma shtetërore dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë, është qartësisht një vizitë zyrtare.

Edhe në vitin 2019, Kryeministri Rama e kaloi pragun e portës numër 10 në Downing Street. Këtë rradhë, Rama ishte ftuar në samitin e NATO-s, në 70 vjetorin e krijimit të Aleancës Euroatlantike.

Edhe ky rast i dha Kryeministrit shqiptar mundësinë të vizitonte godinën historike të zyrës kryeministrore të Britanisë së Madhe, për të përfaqësuar Shqipërinë në cilësinë e kreut të qeverisë.

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra

Vizita e kryeministrit Rama në Britaninë e Madhe vjen në një kohë të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve, për shkak të numrit tejet të lartë të emigrantëve të paligjshëm që udhëtojnë drejt Anglisë me gomone.

Për këtë arsye, vendosja e theksit tek “arritjet e reja” në marrëdhëniet dypalshe mes Shqipërisë dhe Britanisë ka një rëndësi sociale, e për rrjedhojë edhe politike. Por kjo nuk justifikon të pavërtetat e thëna në takim nga Kryeministri. Ai jo vetëm ka qënë në Downing Street edhe dy herë të tjera përpara kësaj vizite, ndryshe nga çfarë deklaron në takimin me Rishi Sunak, por Kryeministri thotë edhe një tjetër të pavërtetë.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Rama fton homologun e tij Rishi Sunak në Tiranë me pretendimin se “asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë, prej kohës së Winston Churchill.

Tony Blair në Shqipëri

Një bisedë e shkurtër me socialistin Pandeli Majko mund t’i kishte rifreskuar memorien kryeministrit, për t’i kujtuar se në Maj të 1999-s, Majko, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, priti kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair i cili vizitoi një kamp refugjatësh me shqiptarë të Kosovës të cilët ishin larguar nga Kosova pas nisjes së luftës.

Takimi është i dokumentuar me video nga Associated Press dhe tregon Pandeli Majkon i cili pret Tony Blair në aeroportin e Tiranës.

Përfundim

Është e vështirë të kuptohet nëse këto pasaktësi në fjalën e kryeministrit Rama janë të qëllimshme, apo janë rezultat i dështimit të memories mbi historinë politike të vendit. Nisur nga të dhënat që gjenden lehtësisht në rrjet mund të dalim në përfunimin se deklaratat e kryeministrit Rama, për vizitën e tij në zyrën e kryeministrit të Britanisë, apo edhe vizitën e kryeministave britanik në Shqipëri, janë të pavërteta.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img