BallinaFaktometerE PavërtetëKriza e lindshmërisë një vit pas bonusit të bebes

Kriza e lindshmërisë një vit pas bonusit të bebes

MERXHAN DACI

Prej vitesh Shqipëria përballet me uljen drastike të numrit të lindjeve. Bonusi i bebes, nisma e prezantuar në vitin 2018 për mbështetur financiarisht familjet që të rrisin lindshmërinë duket se nuk ka dhënë rezultat, një vit pas hyrjes në fuqi.

————————————————————————————————————————————————————-

Është një politikë sociale dhe pro lindshmërisë. Ne duam që në vitin e parë të jetës çdo fëmijë të jetojë më mirë. Politika e re do të ndikojë edhe në lindshmëri dhe do të ketë efekt afatmesëm dhe afatgjatë”-deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në 28 shtator 2018.

Në fund të vitit 2019, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Ogerta Manastirliu në Komisionin e Shëndetësisë, teksa prezantonte buxhetin e vitit 2020 u shpreh sërish se bonusi do të vazhdojë me qëllim rritjen e lindshmërisë.

Bonusi i bebes do të rrisë lindshmërinë. Buxheti i vitit 2020 mbështet financimin në vlerën 2 miliard lekë për bonusin e bebes, si një politikë pro natalitetit dhe që shkon direkt për mbështetjen e familjeve të reja”.

“Faktoje” verifikoi numrin e lindjeve për periudhën 2018-2019 duke iu referuar burimeve zyrtare.

Nga ky verifikim rezulton se edhe pas aplikimit të bonusit të ri  numri i lindjeve erdhi duke u pakësuar pas vitit 2018, fakt që konfirmohet nga INSTAT.

Madje të dhënat e Institutit të Statistikave flasin për thellimin e krizës së lindshmërisë në Shqipëri.

Nga janari deri në shtator të 2019-s kanë ardhur në jetë 19,751 bebe. Shifra totale vjetore do të jetë me shumë gjasë sërish në rënie teksa në vitin 2018 erdhën në jetë 28,934 bebe. Shanset që tremujori i fundit i këtij viti të ketë më shumë se 9-mijë bebe janë shumë të pakta.

Bonusi

Për të ulur lindshmërinë në vend, qeveria prezantoi në vitin 2018 një politikë që do t’i jepte për çdo fëmijë të lindur nga janari i vitit 2019 40-mijë lekë për fëmijën e parë, 80-mijë për të dytin dhe 120-mijë për fëmijën e tretë.

Ekspertët i thanë më herët “Faktoje-s” se bonusi i bebes nuk e zgjidh situatën e rëndë demografike në Shqipëri.

“Faktoje” po ashtu ka raportuar më herët edhe për problemet me marrjen e bonusit të bebes.

Edhe pse bonusi i bebes është një nismë që parashikohet të ndikojë për një periudhë afatgjatë në rritjen e lindshmërisë “Faktoje” konstaton se për vitin e parë bonusi nuk ia ka arritur qëllimit.

Çfarë po ndodh me popullsinë e Shqipërisë

Prej vitesh Shqipëria vuan ikjen e popullsisë por edhe lindjet në rënie duke shkaktuar një krizë demografike tashmë të gjithëpranuar. Nëse në vitin 1990 kishte mbi 80-mijë lindje të reja, në vitin 2018 kjo shifër nuk shkon më shumë se 29-mijë, thuajse 3 herë më e ulët.

Nëse në vitet 1960, numri mesatar i fëmijëve që lindte një grua shqiptare ishte 6,5 fëmijë, të dhënat e fundit tregojnë që kjo normë është pakësuar thuajse 5 herë, duke ka zbritur në 1,48 fëmijë.

Sipas INSTAT, numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm në të gjithë Shqipërinë. Arsyet janë kryesisht:

  • Emigracioni i lartë i popullsisë në moshë fertile
  • Rritja e moshës mesatare të martesës
  • Përdorimi i metodave të planifikimit familjar

Organizata e Kombeve të Bashkuara këtë janar publikoi raportin që tregon se Shqipëria në vitin 2100 rrezikon të mbetet me vetëm 512-mijë banorë në skenarin më pesimist.

Edhe pse bonusi i bebes është një nismë afatmesme dhe afatgjatë dhe normalisht efektet nuk mund të shihen brenda një periudhe të shkurtër, “Faktoje” vëren se kjo iniciativë vitin e saj të parë nuk ka rritur lindshmërinë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img